DURRES – Mbetet ende pa autor atentati i dy ditëve më parë, ku në shënjestër është vënë familja e drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit, Ermira Bllani. Një sasi e vogël tritoli është vënë në derën e banesës ku banonte drejtoresha me familjen e saj, fatmirësisht pa shkaktuar persona të lënduar. Grupi hetimor që ka përpiluar aktin e kontrollit në vendngjarje ka mbledhur disa prova materiale, të cilat do të shërbejnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Ndërkaq, policia po heton në disa pista, duke vënë në qendër detyrat që mban e zonja e shtëpisë dhe vajza e tyre, e cila pak kohë më parë ka nisur të ushtrojë detyrën e mjekes në një zonë periferike të Durrësit. Më së shumti dyshimet janë përqendruar te pozicioni i drejtoreshës së Arsimit, për shkak të detyrës së saj, sidomos tashmë që me fundin e vitit shkollor nisin dhe ndryshimet e arsimtarëve. Mësohet se ditën e djeshme Bllani nuk është shqetësuar nga agjentët e policisë, por mësohet se deklarimet e saj do e vendosin sërish në epiqendër të hetimit për të shmangur edhe ndonjë rishfaqje të ngjarjeve të tilla të dhunshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës, duke tronditur familjen Bllani. Nga dëshmitë e para të familjarëve, ata pohuan se nuk kishin probleme me askënd, duke bërë që në Komisariatin e Policisë të Durrësit të mos kishte asnjë të shoqëruar si të dyshuar për autorësinë. Hetimet po vazhdojnë, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Durrësit, deri në përcaktimin e plotë të motiveve dhe autorëve të vendosjes së lëndës plasëse. l.m.











