Durrës, gjykata kthen nga “internimi” tetë pedagogët

May 15, 2012 | 15:04
Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar vendimin e Rektoratit të universitetit “Aleksandër Moisiu”, duke rikthyer nga “internimi” gjashtë pedagogët në vendet e tyre. Pas disa seancash të njëpasnjëshme për çështjen e shumëpërfolur të transferimit të këtyre pedagogëve në filialin e universitetit në Peshkopi, vendimi i Gjykatës ka hedhur poshtë urdhrin e rektorit, duke i rikthyer në vendet e mëparshme të punës, pikërisht në Universitetin e Durrësit. Por, pavarësisht vendimit të marrë në fund të muajit prill, pedagogët shprehen se Rektorati i universitetit vijon të mos pranojë vendimin juridik, duke i mëshuar idesë se pedagogët nuk do të jenë pjesë e universitetit “Aleksandër Moisiu”. Krahas deklaratave të pedagogëve, rektori i universitetit, Mit’hat Mema, sqaron se Gjykata e Durrësit nuk ka dorëzuar asnjë vendim definitiv në lidhje me fatin e pedagogëve pranë Rektoratit, çka do të thotë që vendimi i tij për transferimin e tyre mbetet ende në fuqi. Megjithëse Gjykata ka rrëzuar urdhrin e Rektoratit, pedagogët shprehen se rektori i universitetit, Mit’hat Mema, nuk ka pranuar kthimin e tyre në auditorët e “Aleksandër Moisiut”. Vendimi i Rektoratit për transferimin e pedagogëve ka sjellë reagimin e herëpashershëm jo vetëm të tyre, por edhe të studentëve, duke zhvilluar protesta dhe peticione kundër tij, deri në dyert e Gjykatës. Vendimi për transferimin e pedagogëve erdhi fill pas përfundimit të zgjedhjeve për rektor në Universitetin e Durrësit, ku pedagogët në fjalë deklaruan se nuk mbështetën në fushatë rektorin aktual. Ndaj, urdhri për transferimin e këtyre pedagogëve u konsiderua si hakmarrje ndaj tyre. Gjashtë nga tetë pedagogët që u transferuan në filialin e Peshkopisë nuk kanë shkelur asnjë ditë në këtë qytet, duke refuzuar kështu urdhrin e eprorit të tyre, ndërsa dy të tjerët vijojnë të japin mësim në qytetin lindor. Vendimi i Gjykatës për kthimin e pedagogëve në vendin e mëparshëm të punës erdhi rreth 50 ditë pas urdhrit të transferimit të pedagogëve drejt Peshkopisë. Gjashtë prej tetë pedagogëve iu drejtuan dyerve të Gjykatës dhe pas disa seancash kanë mundur ta fitojnë çështjen kundra eprorit të tyre, Mit’hat Mema.

Mema: S’kam vendim
Ndonëse pedagogët akuzojnë Mit’hat Memën se ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës duke mos i kthyer ata në vendet e tyre të punës, ky i fundit tha për gazetën se në zyrën e tij nuk ka mbërritur ende asnjë vendim definitiv. Rektori tha se deri në momentin që ky vendim nuk mbërrin në zyrën e tij, ai nuk do të njohë asnjë vendim që mund t’i shkojë dorazi, por vetëm në rrugë zyrtare. “Nuk jam në dijeni të faktit që Gjykata të ketë sjellë ndonjë vendim dhe deri sa ai të mbërrijë në zyrën time, do t’i qëndroj korrekt vendimit që ka marrë Rektorati”, deklaroi Mema.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura