Durrës, gjenden edhe 40 predha të luftërave

Jul 31, 2012 | 11:46

DURRES – Arrin në 700 numri i predhave të gjetura në zonën e Ishmit në Durrës. Katër ditë pasi u zbuluan 80 copë predha, dje janë zbuluar sërish municione të artilerive të rënda në fshatin Shtetaj të komunës së Ishmit. Banorët e fshatit më skajor, që shtrihet rrëzë një kodre rreth 40 kilometra në veri të Durrësit, teksa ishin duke zgjeruar një rrugë kanë hasur rreth 40 predha të mbetura nga luftërat në të cilat është përfshirë vendi. Zona në të cilën janë zbuluar municionet ushtarake është shkelur në fillim të shekullit të 20-të nga ushtri të ndryshme, siç ishte dhe ajo e Austrisë. Municionet e gjetura i bashkohen sasisë që u zbulua 4 ditë më parë, rreth 200 metra më larg, po në të njëjtin fshat. Gjergj Gaka, teksa po hapte themelet për të ngritur një shtëpi, zbuloi 80 predha, të cilat qëndronin të groposura për gati një shekull. Ndërsa shtëpia e Gakës ndodhej në një zonë me terren kodrinor, vendi ku u gjetën dje predhat luftarake ishte fushor. Policia dhe ekspertët antieksploziv mbërritën në vendin ku u zbuluan municionet. Mësohet se pasi janë kryer verifikimet nga ana e ekspertëve, predhat u grumbulluan nga xhenierët, të cilët do të kryejnë demontimin e tyre. Kjo është hera e katërt që në këtë zonë zbulohen sasi të mëdha municionesh, ndërkohë numri i predhave së bashku me rastin e djeshëm, arrin në 700, pa përfshirë këtu rastet kur ato janë gjetur në sasi të vogla. Specialistët nuk e përjashtojnë faktin e pranisë së të tjerave municioneve nën tokë, të cilat vlerësohen të rrezikshme.                                                           l.m

© Panorama.al

Te lidhura