Durrës e Gjirokastër, kapen 250 kg marijuanë

Sep 1, 2012 | 11:39

DURRES – Bllokohet sërish drogë në Portin e Durrësit. Rreth 180 kg kanabis sativa, e cila kishte si destinacion parësor Italinë, u kap mesnatën e djeshme në një kamion nga shërbimet e policisë të atashuara në portin më të madh të vendit. Sipas Policisë së qytetit bregdetar, është arrestuar në flagrancë dhe poseduesi i mallit, njëkohësisht drejtuesi i kamionit tip “Renault”, me targa AA057 EO, në të cilin u zbulua lënda narkotike. Pajtim Ismailaj, 38 vjeç, nga Vlora, ka tentuar të kalojë sasinë e drogës përtej kufirit, por është ndaluar pak minuta përpara se të nisej për udhëtim me një prej trageteve të linjës Durrës-Bari. Sasia e lëndës narkotike ishte paketuar në më shumë se 30 thasë dhe ishte fshehur në pjesën e përparme të dhomës frigoriferike, në një vend të sajuar enkas për këtë qëllim. Burime të Policisë kanë bërë të ditur se sasia e lëndës narkotike kishte destinacion Italinë, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të mësuar origjinën e drogës, si dhe personat që janë të përfshirë në këtë rrjet trafiku. Po dje, Policia e Gjirokastrës në fshatin Zhej të komunës Zagorie, u vu në dijeni se në Pyllin e Kondes, në afërsi të fshatit Zhej në Zagorie, në lindje të Gjirokastrës, gjendeshin të kultivuara në një parcelë dhjetëra bimë kanabis sativa. Rreth orës 04:00, Policia ka shkuar në vendngjarje, duke ndërmarrë operacionin e radhës antikanabis dhe për të bërë të mundur kapjen e autorëve e shkatërrimin e parcelës së mbjellë me hashash. Policia në vendngjarje ka konstatuar në zonën pyjore të Zhejit një parcelë gati për të kultivuar bimë narkotike. Kanë qenë gjithsej 147 gropa të mbushura me pleh organik, ku në çdonjëren prej tyre kishte të mbjellë nga një rrënjë hashashi. Policia e Gjirokastrës, krahas shkatërrimit të sasisë së marijuanës, gati për t’u mbjellë, nuk ka arritur dot t’i kapë kultivuesit. Dje, Policia e Gjirokastrës gjatë operacionit antidrogë të koduar “Pasarela”, ka bllokuar 76 kg marijuanë, ndërkohë që është arritur të arrestohet në flagrancë njëri prej trafikantëve të saj. Droga e dalë nga Lazarati ishte e destinuar për në Greqi. Landi Zoi, 43 vjeç, nga Frakulla e Madhe e Fierit, është njëri prej transportuesve, i cili është arrestuar nga Policia e Gjirokastrës.

© Panorama.al

Te lidhura