Durrës, e djathta fundos PS në qark, rrëmben 7 mandatet

Aug 10, 2011 | 14:07
Nga mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Durrësit

Armand Teliti ka siguruar përfundimisht numrat e duhur të këshilltarëve për të fituar mandatin e drejtimit të qarkut të Durrësit.Dje ka përfunduar edhe konstituimi i njësisë së fundit në këtë qark, ai i Bashkisë së Durrësit, duke mbyllur edhe shumë dilema për emrin e drejtuesit të qarkut bregdetar. Burime shumë të sigurta thonë se Teliti do të jetë kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” në synimet për të fituar karrigen e kreut të qarkut të Durrësit. Një fakt i tillë është manifestuar edhe dje teksa Teliti ka qenë ndër protagonistët kryesorë në formulën e konstituimit, ndërsa emri tij është vendosur në krye të Aleancës për Qytetarin gjatë propozimeve për anëtar të Këshillit të Qarkut.
Zgjedhjet e majit të këtij viti dhanë një gjeografi të re të ndarjes së mandateve, të cilat u ndanë në mënyrë të barabartë, duke u dhënë PD-së dhe aleatëve të saj 8 bashki e komuna, dhe po aq PS-së. Kështu që gjithçka lidhur me emrin e kreut të qarkut ka mbetur i hapur deri në përfundimin e konstituimit të Këshillit të Bashkisë së Durrësit, i cili i dha Aleancës për Qytetarin 7 anëtarë për Këshillin e Qarkut, duke mos i lënë PS asnjë mandat. Me mandatet e bashkisë së Durrësit PD me aleatë ka marrë 29 mandate në qark përkundrejt 17 mandateve të PS-së.
Në fakt, procesi i konstituimit të Këshillit të ri të Bashkisë së Durrësit ka kaluar në një proces maratonë, të nisur në orën 10:00, për t’u mbyllur në mbrëmje. Të dyja subjektet e mëdha politike, PD e PS, kanë luftuar fort për të bërë ç’është e mundur për të fituar mandatin e kryetarit të Këshillit të Bashkisë dhe sa më shumë numra për në qark. PS ka mundur ta shtyjë disa herë konstituivin, me shpresë se do të thyente disa aleatë të PD-së. Bashkia ka 45 mandate këshilltarësh, prej të cilave 25 shkojnë për Aleancën për Qytetarin. Në shifrën e fundit PD ka vetëm 14 kartonë, ndërsa LSI e PDIU mbajnë secila nga 4 të tjera, për të vijuar me 2 mandate të PR-së dhe një përfaqësues i LKD-së. Procesi është ndjekur edhe nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, si dhe deputetët Igli Cara e Klodiana Spahiu. Diplomati i huaj ka qëndruar për pak kohë duke marrë pjesë në certifikimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako. Fillimisht Këshilli ka zgjedhur me 24 votat e PD-së dhe aleatëve të saj Indrit Hamitin si kryetar të Këshillit. Votimi për Hamitin ka qenë edhe prova e parë e dëshmisë së Aleanca për Qytetarin ka funksionuar e paplasaritur, ndërsa më parë nënkryetari i ishte lënë PR-së, kurse në qark ka dërguar veç 5 anëtarëve të PD-së, edhe Fatmir Volotin e PDIU-së dhe Vasip Habilin e LSI-së.
Aleanca për të Ardhmen nuk ka mundur të marrë asnjë mandat në drejtimin e Këshillit dhe as për Këshillin e Qarkut, por një fakt i tillë duket se ishte sinjalizuar që më parë.

Vangjush Dako: Bashkëpunim me të gjithë

“Do të bashkëpunoj me të gjitha forcat politike dhe grupet e interesit. Mandati im si kryetar bashkie do të jetë në shërbim të qytetarëve, të inteligjencës së qytetit dhe të të gjithë këshilltarëve”. Kështu u shpreh dje kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili nisi mandatin e dytë pas zgjedhjeve të 8 majit. “Durrësi është qytet europian dhe ne së bashku duhet ta ndërtojmë atë për të kapur ritmet e duhura të zhvillimit. Tani unë ushtroj mandatin e dytë në drejtimin e qytetit dhe periudha e kaluar 4-vjeçare më ka mësuar e shërbyer shumë në drejtim të menaxhimit të qytetit dhe të ndërtimit të politikave të bashkëpunimit. Votimet kanë përfunduar dhe ne së bashku na duhet të kthejmë sytë nga qytetari. Unë do të jem i hapur me të gjithë dhe për çdo gjë. Motoja jonë në drejtimin e Bashkisë do të jetë bashkëpunimi, dhe jo përjashtimi”, deklaroi ai.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura