Durrës, buxheti për arsimin përplas Bashkinë me këshilltarët

May 14, 2012 | 13:36
Gjatë mbledhjes për arsimin

DURRES – Buxheti për arsimin ka përplasur administratën e Bashkisë Durrës me Këshillin Bashkiak. Në një takim publik të zhvilluar më pjesëmarrjen e të gjithë drejtorëve të Arsimit të Durrësit, u shkëmbyen replika midis kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti dhe nënkryetarit të Bashkisë, Ardian Çela. Ky i fundit është përballur edhe me “sulmin” e pothuaj të gjithë drejtorëve të shkollave, të pranishëm në këtë takim. Kjo pasi ata nuk janë dakord me shifrën prej 6 për qind të buxhetit vjetor që Bashkia u ka akorduar shkollave. Krerët e shkollave parashtruan kërkesa emergjente, të cilat kërkojnë me çdo kusht financime nga buxheti vjetor i Bashkisë. Por, nënkryetari i Bashkisë, Çela u sugjeroi atyre që këto kërkesa t’ia dërgojnë qeverisë. “Jemi në vit krize”. Kjo ishte fraza që përsëriti disa herë Çela gjatë ballafaqimit me përfaqësuesit e Arsimit. Sipas tij, edhe qeveria qendrore nuk ka akorduar më shumë se sa 3 për qind të buxhetit të shtetit, kështu që Bashkia nuk do ta marrë parasysh kërkesën e drejtorëve të shkollave për rritje të buxhetit vjetor për arsimin. Me debate e akuza të ndërsjella u shoqërua edhe diskutimi i parashikimit të fondeve për rikonstruksionin e shkollave. Dy ditë më parë, zyrtarë të Bashkisë prezantuan projektbuxhetin, por ata u gjendën në vështirësi për të argumentuar se përse janë parashikuar aq pak fonde për rikonstruksionin e shkollave. Nga ana e përfaqësuesve të këshillit, u tha haptas se shifra 6 për qind është e pamjaftueshme për nevojat e arsimit në Durrës dhe se do tentohet me të gjitha mënyrat që ajo të rritet në buxhetin final që do të miratojë Këshilli Bashkiak pas pak ditësh. “Një arsim cilësor nuk mund të realizohet pa një buxhet cilësor”, u shpreh kreu i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, duke lënë të hapur sfidën me administratën e majtë të Bashkisë së Durrësit. Ai ka kërkuar urgjentisht publikimin e draft-buxhetit nga Bashkia, në mënyrë që palët të njihen gjerësisht me parashikimet për zëra të ndryshëm, dhe të gjendet mënyra përmes shkurtimit të zërave të panevojshme që të akordohen fondet e kërkuar nga drejtorët e arsimit në qytetin bregdetar. Ky takim për arsimin përmbylli një seri mjaft të rëndësishme takimesh publike që ka organizuar Këshilli Bashkiak me palët e interesuara në kuadër të diskutimit të Projektbuxhetit 2012, para se ai të votohet nga këshilli. Hamiti ka falënderuar për ndihmësen mjaft pozitive të ofruar nga Zyrën për Transparencë Qytetare, Durrës, e cila i ka ofruar një partneritet të rëndësishëm Këshillit Bashkiak në këtë drejtim.                 l.musaj

© Panorama.al

Te lidhura