Durrës, bllokohen në plazh 300 shezlongë, ikin pushuesit

Jul 8, 2011 | 11:09
Aksioni i djeshëm në plazhin e Durrësit

Inspektorët e Tatimeve të Durrësit mësyjnë në plazh kundër privatëve abuzues.Ata kanë bllokuar qindra çadra dhe shezlongë, duke u përplasur dhe me pushuesit, në një aksion të ndërmarrë bashkarisht me Inspektoratin e Mjedisit dhe komunën e Rrashbullit, që e ka nën juridiksionin e saj zonën e Shkëmbit të Kavajës. Të gjitha subjekteve që kishin zënë hapësirat publike pa u pajisur më parë me leje nga komuna e Rrashbullit, u janë vendosur gjoba prej 100 mijë lekësh. Ndërkohë, gjatë kontrollit është vënë re dhe një tjetër fenomen. Edhe ato subjekte që ishin pajisur me leje nga pushteti lokal kishin zënë një hapësirë më të madhe, sesa sipërfaqja prej 200 metrash që kanë në dispozicion për të vendosur shezlonget dhe në të njëjtën kohë nuk pajisin me kuponë tatimorë pushuesit. Në këto raste, inspektorët kanë proceduar me sekuestrimin e shezlongeve dhe çadrave të vendosura në mënyrë të paligjshme. Në total, gjatë aksionit të paradites u sekuestruan rreth 300 shezlongë, ndërkohë që puna e inspektorëve ka vazhduar edhe gjatë pasdites të së mërkurës me konfiskimin e dhjetëra prej tyre. Në një prononcim për mediat, inspektori tatimor Eltion Shahollari, deklaroi se 40 për qind e subjekteve që zënë hapësirën e plazheve përgjatë Adriatikut për të vendosur shezlongë me pagesë, janë të paligjshëm. Aksioni ka përfshirë edhe shkatërrimin e tubave që derdhin ujërat e zeza në det. Në mënyrë demonstrative është gërmuar në rërë dhe janë nxjerrë tubat në prani të pushuesve të shumtë. Strukturat shtetërore dhe lokale kanë ndërhyrë kështu në prishjen e tubacioneve të shkarkimit të ujërave të zeza në det, po pa vendosur sanksione, pasi nuk kanë mundur të konstatojnë subjektet që i përdorin ato në shkelje të ligjit. Pronarët të cilëve u është dëmtuar biznesi nga aksioni i fundit kanë protestuar dhe u kanë kërkuar tatimorëve që t’u linin kohë për t’i hequr vetë shezlongët. Ndërsa inspektorët vijonin punën e tyre, reagime të ashpra kanë ardhur edhe nga pushuesit, të cilët janë detyruar të ngrihen nga shezlonget e sekuestruara, pavarësisht se kishin paguar për qëndrimin në to. Veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i një çifti grek, të cilët janë shprehur se aksione të tilla nuk duhet të ndërmerren në kulmin e sezonit turistik. “Shteti duhet të marrë masa me kohë për këtë çështje, e jo të na ngrejë neve nga çadrat. Kemi qenë në shumë vende, po askund nuk ndodh një gjë e ngjashme. Ne kemi paguar për të qëndruar një muaj në këta shezlogne. Kush i merr përsipër pasojat?”, u shprehën turistët e huaj. Për të shmangur përballjen me pushuesit, inspektorët e kanë ndërprerë aksionin gjatë paradites për të vazhduar pasdite, kohë kur dhe plazhi zbrazet.

Plazhi i Durrësit, sërish i ndotur

Pavarësisht masave dhe aksioneve të ndërmarra për pastrimin e plazhit të Durrësit dhe bllokimin e derdhjes në det të ujërave të zeza, fenomeni vazhdon të mbetet prezent përgjatë kësaj vije bregdetare. Inspektorët e mjedisit kanë nxjerrë në mënyrë demonstrative disa nga tubat e shumtë që vazhdojnë të derdhin në det ujërat e zeza, pikërisht në vendin ku dhjetëra plazhistë pushojnë çdo ditë. Megjithëse është plazhi më i madh në vend dhe frekuentohet çdo verë nga mijëra pushues, ndotja e ujit dhe e rërës vazhdon të mbetet në nivele shumë më të larta nga ato të lejuara.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura