
Një sasi e madhe droge, e cila do të transportohej drejt brigjeve të Italisë, u bllokua mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit, ndërsa policia arrestoi në flagrancë poseduesin e saj. Bëhet fjalë për 20 kilogramë lëndë narkotike të fortë, e llojit heroinë. Droga u sekuestrua në terminalin e trageteve gjatë tentativës për t’u kaluar përtej Adriatikut. Malli i paketuar dhe i mbështjellë mirë ishte fshehur në pjesën e pasme të mjetit. Sinjalin se rreth orëve të vona të mbrëmjes të së enjtes një shtetas do të tentonte të kalonte nga pika kufitare e Portit të Durrësit një sasi droge, policia e kishte siguruar në rrugë operative. Mësohet se drejtuesi i automjetit kishte aplikuar në pikën e parë të kontrollit për kalim të kufirit në drejtim të shtetit italian, por është ndaluar pak para hyrjes në traget nga Policia Kufitare. Pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar, policia ka zbuluar se në makinë, në pjesën e pasme të saj, ishte fshehur lënda narkotike e dyshuar si heroinë, me një peshë të përgjithshme rreth 20 kilogramë. Forcat e Antidrogës u angazhuan përgjatë gjithë natës, ndërsa të ndarë në skuadra ata kanë ushtruar kontrolle jo vetëm në banesën e të arrestuarit, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij. Policia, për arsye hetimesh, ka qenë shumë e rezervuar në dhënien e informacionit. Deri në orët e mesnatës, policia nuk bëri publik as identitetin e të arrestuarit dhe as itinerarin që do të ndiqte malli. Paraprakisht nga ana e hetuesve të çështjes është zbardhur edhe skema e këtij trafiku ndërkombëtar të drogës. Sasia e lëndës narkotike kishte si destinacion final Veriun e Italisë, ndërsa mësohet se vendi ynë ka qenë vetëm një pjesë e itinerarit të saj. Policia tha se ka arrestuar poseduesin e lëndës narkotike, i cili do të merret në pyetje nga hetuesit e çështjes për të dëshmuar më shumë mbi origjinën, destinacionin, si dhe në identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Ky është sekuestrimi i tretë i një sasie të konsiderueshme brenda pak muajve në Portin e Durrësit. Vetëm pak muaj më parë, në Port u sekuestrua një tjetër sasi prej 10 kilogramësh heroinë dhe 800 kg drogë me karakteristikat e kanabis sativa.
VLORE
Gjykata e Apelit lë të lirë Arben Purizon, por Policia e Vlorës e riarreston. 51-vjeçari, punonjës i administratës së Drejtorisë së Rrugëve, u lirua tri ditë më parë, më 8 maj, pasi Apeli argumentoi se arrestimi i tij ishte kryer në mënyrë të jashtëligjshme. Prokuroria ia paraqiti sërish dosjen Gjykatës së Shkallës së Parë me të tjera klauzola ligjore, çka solli arrestin e Purizos për herë të dytë. Ai akuzohet nga pala italiane për trafik droge dhe qeniesh njerëzore, në drejtim të Italisë, kryer në vitin 1998.
LEZHE
Dy vëllezër nga Shëngjini u arrestuan nga Policia e Lezhës për llogari të Interpol Roma. Agron Metvelaj, 38 vjeç, ishte në kërkim ndërkombëtar, por bashkë me të ka rënë në pranga edhe vëllai i tij, Arben Metvelaj, 33 vjeç. Ata u prangosën në qytetin e Shëngjinit, atje edhe ku kishin ngritur aktivitetin e tyre privat. Burime nga Policia bënë të ditur se për 38-vjeçarin, Interpol Roma kishte kërkuar ndalimin e tij si i dyshuar për pjesëmarrje në aktivitete kriminale, kryesisht me trafikimin e lëndëve narkotike.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











