Situata e pazakontë e krijuar te Skënderbeu nga një grup tifozësh me një lojtar të afruar nga drejtuesit e klubit me kërkesë të trajnerit ka sjellë pakënaqësi. Por, natyrisht në këtë vorbull të padëshiruar, krijuar për çështjen Grami, presidenti Agim Zeqo ka qenë në prag të largimit të tij përfundimtar nga drejtimi i Skënderbeut. Lajmi është konfirmuar nga trajneri Duro gjatë një prononcimi për mediat, ku e ka pranuar se Zeqo ka qenë shumë pranë këtij vendimi in extremis. Ardhja e Elton Gramit në qytetin juglindor ka shkaktuar një “tërmet” të fortë në radhët e tifozëve të Skënderbeut. Këta të fundit kanë qenë kundër ardhjes së këtij lojtari, i cili sipas tyre ka ngritur kupën false në Vlorë, ndërsa ka qenë një nga aktorët kryesorë kundër ekipit të Skënderbeut në përplasjet që kishin në distancë dy klubet e futbollit, për shkak të rivalitetit në kampionat. Nisur nga këto zhvillime të cilat sollën një situatë gati dhe absurde, trajneri Duro pas konsultave me presidentin e ekipit, por dhe me vetë lojtarin, i ka kërkuar ditën e shtunë këtij të fundit largimin e tij nga Skënderbeu. Duro e pranon me dhimbje largimin e lojtarit që e kërkoi vetë ta kishte në grup, ndërsa shkon më tej duke pohuar se drejt largimit nga kjo situatë ishte dhe vetë presidenti Agim Zeqo. “Për pak dhe vetë presidenti Zeqo do ishte larguar për shkak të kësaj situate të krijuar me tifozët. Kjo nuk është normale, por gjithsesi unë duke parë gjendjen e rënduar, i kërkova Gramit të largohej”, ka pohuar Duro. Pas kësaj situata në klubin e futbollit duket delikate, teksa një grup tifozësh, që siç thotë trajneri, nuk përfaqësojnë gjithë tifozët e Skënderbeut, ishin duke krijuar një precedent edhe më të rrezikshëm, atë të largimit të presidentit të Skënderebut, Zeqo, njërit prej krijuesve të identitetit të ri të kësaj skuadre në një periudhë të shkurtër për diçka më shumë se një sezon.
Tirana, 10 autobusë falas drejt Korçës
“Tirona Fantacs” edhe këtë herë nuk kanë ndër mend ta lënë në baltë skuadrën e zemrës, kësisoj po organizohen dita-ditës që të jenë sa më të shumtë në këtë finale kundër Skënderbeut. Sakaq, edhe drejtuesit e klubit janë duke dhënë kontributin e tyre, teksa kanë mundësuar 10 autobusë falas. E gjithë kjo për të pasur sa më shumë tifozë në një takim kaq të rëndësishëm, siç është finalja e Superkupës që do të luhet në stadiumin “Skënderbeu”. Mësohet se nisja drejt qytetit juglindor do të bëhet ditën e enjte përpara stadiumit “Selman Stërmasi”, në orën 13:00. Ndaj, klubi u bën ftesë të gjithë sportdashëse të Tiranës që të mos mungojnë në këtë ndeshje dhe t’i japin zemër ekipit të zemrës.











