Duro: Plani për Vllazninë

May 30, 2012 | 13:19
Shpëtim Duro

Trajneri i ri i kuqebluve rrëfen projektin që ka në letër dhe objektivat te ky ekip.

“7-8 blerje dhe stadiumi plot, skuadra do ringrihet”
Shpëtim Duro i ka të qarta idetë në kokë për një Vllazni të peshave të rënda. Në tri vitet e fundit ai ka fituar dy trofe: Kupën me Besën dhe titullin me Skënderbeun. Sakaq ai nuk kërkon të ngutet për projektin e ri, por e thotë hapur se skuadra ka nevojë për të paktën 7-8 futbollistë cilësorë.
Ç’do të thotë të jesh trajner i Vllaznisë?
Përgjegjësi e madhe. Kënaqësi gjithashtu, por mbi të gjitha përgjegjësi.
U menduat gjatë për të pranuar Vllazninë?
U mendova aq sa e kisha të nevojshme. Por në fund thashë: e treta, e vërteta. Nuk ishte hera e parë që mora oferta nga Vllaznia. Më kishin kontaktuar edhe tri vite më parë, por unë u kisha dhënë fjalën drejtuesve të Besës dhe nuk mund të ndryshoja vendim. Pas largimit tim nga Skënderbeu më kontaktuan, por gjykova se ishte shumë herët pas largimit nga korçarët dhe nuk u futa në bisedime. Ndërsa tani u përputhën kushtet për të nisur një projekt së bashku.
Sezonin që shkoi, shkodranët për pak rrezikuan zonën “play-off” dhe kjo erdhi prej problemeve të shumta që patën….
Skuadra dhe klubi patën disa probleme, por kjo ndodhi edhe për shkak të një viti tranzitor për shumë klube elite, pasi ndryshuan edhe format ligjore të klubeve. Megjithatë, unë nuk mund të hyj në detaje në këtë pjesë, sepse përgjithësisht punoj duke u bazuar tek një plan imi, i cili i referohet gjithnjë situatës aktuale.
Cili është plani juaj?
Dua të ndërtoj një skuadër të mirë me qëllim që Vllaznia të rikthehet në vendet e para në klasifikim, por që të jetë gjithashtu një grup solid edhe në të ardhmen.
Si keni ndërmend ta bëni këtë?
Së pari duhet të ulem dhe të bisedoj me drejtuesit e klubit. Të shohim mundësitë që kemi për merkaton dhe të përpiqemi të afrojmë lojtarë sa më cilësorë.
Në gjykimin tuaj, çfarë i duhet momentalisht kësaj Vllaznie?
Unë e kuptoj që ju gazetarët keni qejf emra të përveçëm, por është e pamundur të thuhen tani. Unë mendoj se Vllaznia ka nevojë për të paktën shtatë apo tetë futbollistë cilësorë dhe të disiplinuar, me të cilët mund të luftojë si e barabartë me skuadrat e tjera të elitës.
Ku do i gjeni këta lojtarë?
Ku të mundemi. Ne vërtet kemi një futboll disi modest, por ju siguroj se ka mjaftueshëm lojtarë të mirë për të ndërtuar një ekip konkurrues.
Lojtarët do jenë të huaj apo vendës?
Unë përgjithësisht jam mbështetur te futbollistët shqiptarë ose tek të huajt që kanë luajtur në Shqipëri. Këtë e kam bërë për faktin se ata e kanë më të thjeshtë të përshtaten me futbollin dhe mentalitetin tonë.

JETMIR HALILAJ

© Panorama.al

Te lidhura