Duro jashtë, Rubio: Flas për ata që luajnë

Feb 11, 2012 | 12:28
Klodian Duro

Klodian Duro nuk ka qenë dje pjesë e 18-shes së skuadrës së Tiranës për përballjen me Teutën. Para takimit, kur Rubio lexoi emrat e lojtarëve që do luanin titullarë dhe të atyre që do uleshin në pankinë, rezultoi se Duro do ishte pjesë e 18-shes, por nuk do luante nga minuta e parë. Mesfushori i ka kërkuar shpjegime trajnerit për këtë vendim, duke kërkuar që të luante pasi e ndiente veten mirë fizikisht, por Rubio ka qenë i prerë me të, duke i treguar pankinën. Direkt pas kësaj, Duro ka “kërcënuar” se nëse nuk do luante si titullar, e kishte më mirë që të largohej fare nga Durrësi dhe të mos ishte pjesë e skuadrës as në pankinë. Kështu, lojtari është larguar duke mos preferuar që të shikojë këtë ndeshje as nga tribuna e “Niko Dovanës”. Sigurisht, një vendim i tillë nuk i ka pëlqyer shumë spanjollit, i cili nuk ka lënë pa shigjetuar lojtarin edhe në fund të takimit kur u pyet nga mediat. “Unë nuk merrem me ata që nuk luajnë ose nuk janë në dispozicion të skuadrës, por vetëm me ata lojtarë që vihen në dispozicion të trajnerit për çdo ndeshje”, ka thënë prerazi Rubio, duke lënë të kuptohet se një çarje mes tij dhe Klodian Duros tashmë është një realitet i pashmangshëm.

© Panorama.al

Te lidhura