Dule takon Berishën: Nano po bëhet kandidaturë e pranueshme

May 30, 2012 | 12:47
Berisha gjatë takimit me Dulen

Paraditen e djeshme, Kryeministri Sali Berisha u takua vetëm 15 minuta me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Takimi u zhvillua 24 orë më vonë nga çfarë ishte parashikuar për shkak të një vizite të Dules në Greqi. Në përfundim të takimit, kreu i qeverisë tha se Presidenti i ri mund të vijë edhe nga Diplomacia ose Drejtësia. “Qëndrimet tona ne i kemi shprehur dhe z. Dule e ka shprehur qëndrimin e  tij. Z. Dule theksoi dhe unë këtu jam plotësisht dakord që çështja e Presidentit është çështje e politikës. Natyrisht, nuk përjashtohen dhe fusha të tjera, sepse janë edhe dy fusha të tjera me të cilat ne kemi rënë dakord me LSI-në, që duhet të konsiderohen në kandidimin për President, siç janë Drejtësia dhe Diplomacia. Por, në tërësi mbizotëron mendimi se përparësi duhet të ketë fusha politike”, u shpreh Berisha.
Lidhur me takimin me Dulen, Berisha është shprehur se është në dijeni për lobimin që PBDNJ bën për Fatos Nanon. “Ne qëllimet tona i kemi shprehur dhe Dule i ka shprehur, ai theksoi dhe unë jam dakord që çështja e Presidentit është çështja e politikës, nuk përjashtohen edhe dy fusha të tjera që jemi rënë dakord me LSI, drejtësia dhe diplomacia, por në tërësi mbizotëron mendimi se përparësi duhet të ketë fusha politike. Dule lobon fuqishëm për Nanon dhe unë nuk jam në dijeni të rezultateve të lobimit, por e kemi shprehur qëndrimin tonë”, tha ai. Ndërsa kreu i PBDNJ-së tha pas takimit se “emra konsensualë ka në radhët e politikanëve të të gjitha forcave politike, aktivë për momentin apo të tërhequr. Në lidhje me kandidaturën e zotit Nano, përditë edhe më tepër ne po konstatojmë se po bëhet më se e pranueshme prej palëve dhe ka shumë gjasa që ajo do të arrijë konsensusin e të gjitha forcave politike”.

© Panorama.al

Te lidhura