Dule: Regjistrimi, ligj sa për të na hedhur hi syve

Aug 11, 2011 | 11:37

Regjistrimi i popullsisë kundërshtohet tashmë edhe nga ata që e kanë mbështetur vazhdimisht.Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, tha dje se ligji i miratuar në Kuvend me disa amendamente nga PDIU, nuk është aspak transparent dhe është bërë në sajë të presioneve politike. “Nga presionet e deputetëve të caktuar në Parlament imponohen penalitete. Penalitetet kanë emër dhe mbiemër. Ai që penalizohet me gjobë është i identifikuar dhe, rrjedhimisht, i identifikuari si i penalizuar i dekonspirohen edhe të dhënat e deklaruara. Është një proces krejtësisht i zbuluar dhe nuk mund të jetë i pranueshëm, aq më tepër kur nuk mund dhe në asnjë regjistrim popullsie të ngjashëm me atë që do të ndodhë në vendin tonë nuk ka penalitete të kësaj natyre”, tha Dule. Juristët e PBDNJ-së do të depozitojnë në fillim të shtatorit amendimet e ligjit, i cili në këtë formë, sipas Dules, nuk mund të zbatohet. Në të kundërt, forca që drejton do të përshkallëzojë qëndrimet. Vangjel Dule sheh si dhunim të të dhënave personale pikërisht gjobitjen e individëve që deklarojnë të dhëna të rreme personale.
Busti i Gumës
I pyetur dje në konferencën për shtyp mbi zërat kundër dhe në lidhje me bustin e të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, Dule i sulmoi ashpër ata. “Ne nuk ndiejmë detyrimin më të vogël, aq më tepër ndaj zotërinjve të tipit Xhufi, se si do t’i nderojmë ata që mendojmë ne se duhen nderuar. Jemi në momente të tensionuara për shkak të ngërçit politik, në kohëra të turbullta që janë të favorshme për spekulantë të politikës që mendojmë se mund të peshkojnë kështu vota. Është hera e fundit që komentojmë dhe hymë në debat me individë e grupime që kanë shumë veçori të përbashkëta me kategorinë e batakçinjve politikë. Shqipëria ka nevojë për zëra racionalë”, tha Dule. Njëkohësisht ai shprehu bindjen për domosdoshmërinë e regjistrimit të popullsisë, të parashikuar në shtator, por edhe ka shprehur rezervat e tij në lidhje me arritjen e standardeve europiane të këtij procesi. “Konstatojmë me keqardhje se me amendimet e fundit në ligjin mbi censusin abrogohet e drejta thelbësore e vetëdeklarimit, penalizohet ajo dhe në të njëjtën kohë shkelet parimi i konfidencialitetit të të dhënave në census. Për rrjedhojë, një regjistrim i tillë nuk mund të jetë i standardeve europiane, por një regjistrim hibrid, ku qeveria nga njëra anë kërkon t’i hedhë hi në sy komunitetit ndërkombëtar e, në fakt, do të kemi një regjistrim të ngjashëm me ato të zhvilluara në sistemin totalitar”, theksoi Dule.
Ligji për censusin u miratua në muajin korrik mes shumë kundërshtive për 2 pikat e fundit të pyetësorit, me anë të të cilit do të zbatohet. Konkretisht, deklarimin e fesë dhe etnisë. Pyetësori përmban 40 pyetje, ndërsa procesi i regjistrimit do të kryhet gjatë gjithë muajit tetor. Sipas tij, PBDNJ insiston në transparencën e këtij procesi, pasi “regjistrimi me vetëdeklarim përbën të vetmin instrument bashkëkohor në shtetin e së drejtës që i jep mundësinë çdo shoqërie dhe vendi që të mbështesë hartimin e politikave të veta për respektimin e të drejtave të qytetarit, pavarësisht përkatësisë së tij fetare, origjinës etnike, gjuhës amtare dhe veçorive të tjera mbi standarde të qëndrueshme që garantojnë koherencë sociale për çdo vend e aq më shumë për vendin tonë që aspiron për në BE. Duhet të ishin funksionale komisionet përgjegjëse për mbajtjen e censusit e në krye të tyre janë kryetarët e qarqeve. Tek ne ende nuk janë konstituuar këshillat e qarqeve dhe nuk janë zgjedhur kryetarët e qarqeve”.

PDIU: Ligji duhet të shqetësojë vetëm ata që duan “vorio-Epirin”

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet reagoi dje pas deklaratave të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Sipas këtij reagimi, sulmi i Dules ndaj amendamenteve ligjore në ligj të PDIU-së përbëjnë abuzim të së drejtës së minoritetit. “PDIU përcolli sot deklaratën e kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, z. Vangjel Dule, i cili i sulmoi këto amendamente duke deklaruar se ato përbëjnë abuzim me të drejtën e minoritetit. Këto deklarata të përsëritura përbëjnë një dëshirë për të abuzuar me procesin e regjistrimit, pasi këto deklarata synojnë që deklarimi individual të mos kontrollohet. Ne i themi zotit Dule se sot askush nuk duhet të ketë frikë të deklarojë përkatësinë e vet etnike të vërtetë, si në kohen e Enver Hoxhës, por ky vetëdeklarim duhet të bëhet mbi baza objektive. Vetëm vetëdeklarimi mbi themele objektive si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës etj., është e drejtë kushtetuese dhe asgjë tjetër. Vetëdeklarim do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht, dhe jo të deklarosh çfarë të duash, përfshi këtu të pavërteta”, thuhet në reagim. Më tej PDIU shton se vijon të jetë kundër regjistrimit të popullsisë me pyetje mbi etninë dhe fenë, dhe i bën thirrje komisionit të censusit që të mos i përfshijë këto pyetje në pyetësor. “Amendamentet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në thelb heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë. Këto amendamente duhet të shqetësojnë vetëm ata që shpresonin të ngrinin fantazmën e të ashtuquajturit “Vorio Epir” me anë të regjistrimit, duke bërë vetëdeklarime nëpërmjet pensioneve dhe parave të thata në dorë. Suksesi i arritur, duke hequr mundësinë e abuzimit me këtë census, përbën një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, që është ndalimi i këtij lloj censusi. PDIU do të bëjë çmos që censusi të mos bëhet mbi baza etnike dhe fetare, por kjo është në kompetencë të Komisionit Qendror të Censusit, mbi të cilin do të ushtrohet presioni i nevojshëm pozitiv që të mos fus pyetje mbi etninë dhe fenë”, thuhet në reagim.

Reagimet nga Aleanca Kuq e Zi
Aleanca Kuq e Zi ka reaguar në lidhje me ngritjen e bustit ndaj të ndjerit Aristotel Guma në Himarë, duke e quajtur një provokim të radhës ndaj shqiptarëve. “Busti i Gumës vendoset arbitrarisht nga OMONIA. PBDNJ po sfidon ligjet dhe shtetin. Grekët, me këtë provokim, po provokojnë durimin e shqiptarëve. Vendosja e këtij busti është provokacioni i radhës me eshtrat e të vdekurve”, thuhet në deklaratën e lëvizjes Aleanca Kuq e Zi. Të afërmit, si dhe zyrtarë të OMONIA-s, në nder të Gumës, kanë vendosur të ngrenë një bust të tijin të mbuluar me një flamur grek si dhe zhvilluan një ceremoni të veçantë për nder të tij. Reagime erdhën edhe nga bota akademike, si historianë apo aktivistë të shoqërisë civile, të cilët nuk u pajtuan me mënyrën se si veproi OMONIA në nderim të të riut që humbi jetën një vit më parë në Himarë. Pro regjistrimit ka qenë edhe zyra e OSBE-së në Tiranë. Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth, ka thënë  se regjistrimi i popullsisë është i domosdoshëm, ndërsa ka ftuar qytetarët të bëhen pjesë e këtij procesi.

Mediat greke sulmojnë Janullatosin

Vendosja e bustit të 35-vjeçarit Aristotel Guma në kishën e Fshat-Himarë ka qenë kryeartikull në disa media greke, të cilat e kanë pasqyruar si hero të riun që vdiq një vit më parë në aksident, por që për ekstremistët helene “u vra vetëm pse foli greqisht”. Bashkë me ceremoninë, në këto media janë bërë edhe sulme ndaj mitropolitit të Gjirokastrës, Dhimitrit, të cilin e kanë krahasuar me “një dem të tërbuar, kur hyri në kishë dhe më pas refuzoi që të bënte përshpirtjen e Aristotel Gumës”. E përjavshmja më e madhe në Greqi, “Proto-Thema”, shkon deri aty sa përmend kërcënime në emër të hirësi Dhimitrit për heqjen e bustit, ndërsa si prapavijë të refuzimit vendos ambicien e tij. “Sjellja e tij (Dhimitrit) është tentativë për të mos qenë në shënjestër nga nacionalistët shqiptarë, për shkak të ambicies që ka për të pasuar Anastasin si kryepeshkop”, thotë kjo gazetë, ndërsa përforcon akuzat direkt edhe për kreun e Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, Anastas Janullatos: “Kryepeshkopi Janullatos është frikësuar nga pala shqiptare dhe bashkë me mitropolitin e Gjirokastrës po përpiqen të ndalojnë përplasjet etnike”. Ndërkaq, në site si www.neolaialaos.gr, www.e-grammes.gr, www.patari.org dhe dhjetëra site të tjera greke kanë plasur debatet mbi qëndrimin e mitropolitit të Gjirokastrës, i cili ka kërkuar që kisha të mos përzihet në çështje nacionaliste, përtej ritualit fetar.

© Panorama.al

Te lidhura