Kryetar i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kritikoi dje Partinë Socialiste se me qëndrimin e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore po përsërit skenarin e zgjedhjeve të vitit 2009. Dule nga qyteti i Gjirokastrës ka lëshuar një lumë kritikash mbi aleatët e së majtës, për të cilët ka lëshuar dhe sinjalet e para të krisjes së koalicionit. Kreu i PBDNJ-së shprehur skepticizëm rreth ndryshimeve të mundshme në Kodin e ri Elektoral, e sipas tij “ngritja e komisionit për këtë çështje nuk pritet të sjellë ndonjë produkt të ndryshëm nga ai i komisioneve të mëparshme elektorale dhe këtu qëndron fatkeqësia”.
Gjatë një takimi festiv të organizuar me përfaqësues të strukturave të OMONIA-s dhe PBDNJ-së në jug të vendit, Vangjel Dule tha se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk i shërbejnë demokracisë së vendit. “Ndryshimet që sjell ky Kod, nuk i shërbejnë realitetit politik të vendit, nuk u përgjigjen sfidave politike të vendit dhe, mbi të gjitha, nuk do të japin zgjidhje mbi problemin kryesor kronik të demokracisë sonë, që janë zgjedhjet e kontestuara të papranuara dhe të cilat gjithmonë kanë qenë një realitet tjetërsimi i vullnetit të sovranit”, ka deklaruar lideri i PBDNJsë. Ai shtoi me tej se “sfidat e vendit kanë ndryshuar në mënyrë drastike nga ato të viteve të kaluara, ndërkohë që ne vazhdojmë me të njëjtat mentalitete, me të njëjtat praktika, sikur nuk jetojmë dhe nuk ndikohemi nga pasojat që vetë kemi shkaktuar me këto lloj produktesh në të gjitha zgjedhjet e mëparshme qoftë administrative, apo politike”, deklaroi kreu i PBDNJ-së.
Kritikat ndaj Partisë Socialiste nuk janë kursyer nga Dule dhe për opozitën e dobët evazive kundër qeverisjes aktuale. “Nëse kemi një qeverisje kryekëput të papërshtatshme për t’iu përgjigjur sfidave të shoqërisë dhe të vendit në një shkallë të konsiderueshme, kjo i dedikohet edhe opozitës së vakët me një strategji evazive dhe me taktika jo-adekuate”, u shpreh Dule. Rreth bashkëpunimit të mëtejshëm me PS, pas mungesave në disa tryeza të organizuara prej saj me forcat e tjera opozitare, Dule u shpreh se “bashkëpunimi do të jetë prezent aty ku ka hapësira”.











