Dule: Duhet Kod i ri Zgjedhor

Jul 13, 2011 | 10:51

Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, propozon ndryshime drastike që përfshijnë një Kod të ri Zgjedhor, ndryshime në sistem, si dhe ndryshime në procesin e administrimit. Në një dalje publike nga qyteti i Gjirokastrës, Dule u shpreh se duhet të ndryshojë mënyra e administrimit të zgjedhjeve. “Jemi një vend ku zhvillohen zgjedhje dhe duhet me patjetër të fitojë Sali Berisha, herë me ndërhyrje brutale dhe herë me ndërhyrje kirurgjikale. Në një moment i shërben KZAZ, në një moment KQZ dhe në një tjetër Kolegji, ndaj ne jemi të qartë se vendi ka nevojë për ndryshime drastike. Ka nevojë për të vënë themelin e strukturës në vendin e vetë, mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të lira, të ndershme dhe të barabarta, pasi të kemi formuar të gjithë së bashku me konsensus formatin e ri që do të zhvillohen në ato zgjedhje, me një Kod të ri Zgjedhor, me ndryshime në sistem, me ndryshime në procesin e administrimit”, tha Dule. Ai shtoi se Shqipëria po lëshon mesazhe negative në BE për shkak të zgjedhjeve të fundit. “Mesazhet janë tejet negative edhe nga personalitetet më dashamirëse për vendin tonë dhe për perspektivën e tij europiane. Kur komisioneri, drejtpërsëdrejti i ngarkuar me zgjerimin e BE, Fyle, deklaron se vendi është në një qorrsokak të stërzgjatur politik, merreni me mend se cili është perceptimi nga jashtë i realitetit tonë”, tha Dule.

© Panorama.al

Te lidhura