Duke kuvenduar me pyjet

Sep 14, 2012 | 12:23

SAZAN GURI

Një ndër nenet kryesore në Kushtetutën kanadeze është se nëse dikush pret një pemë, i nënshtrohet një procesi gjyqësor për vepër kriminale dhe dënohet pa avokat, në kuptimin që nuk ka avokat të të mbrojë, dhe pretenca është e prerë, jo më pak se tre vjet heqje lirie. Ndërkohë  që vendet e tjera perëndimore, e sidomos ato nordike, e kanë shtrirë këtë lloj dënimi gjyqësor edhe për rastet kur ti vret apo plagos një arushë apo një qenush. Ndaj dhe kanë të gjitha shtetet e Europës apo të botës jo më pak se 60% të territorit të vendit pyll e kullotë, sikundër e kemi pasur dhe ne deri në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, madje mbi 80%. Aq sa kishte vende nga ato që na pushtonin dhe bëheshin xheloze për pyjet shqiptare, dhe të marrosura pyesnin se si ka mundësi këta varfanjakë të kenë kaq drurë të mirë? Harronin se shqiptari kish për zakon, qysh nga koha e parahistorisë, apo e Zeusit, apo e dardanëve, që kur lindte një fëmijë, mbillte 10 lisa, me demek që njeriu të rronte po aq vite sa lisi, të cilit i mateshin vitet mbi supe me rrathët që bënte në trungun e vet. “Po pse 10 drurë? – do pyesni ju. Sepse një i duhej për dru zjarri, një i duhej për të kapur CO2 (mund të talleni ju: çne ky gaz të mendohej atëherë?), një i duhej për qerre, një i duhej për parmendë, një për gardh, një për t’u fshehur ujku që t’i hante delen me brucelozë, një për të bërë plehun për arrat, një për të filtruar ujin e kroit të fshatit, një i duhej për shkëmbim malli apo për kredi dhe e fundit për brezin tjetër, si për t’iu thënë se ç’të lash do lësh. Po këtë kod shqiptari e ndoqi edhe në kohë të Skënderbeut, deri disa dekada më parë, ku pylli nuk prekej, pale të digjej! Ndërsa, sot, pas mijëra vjetësh, shqiptari për të parën herë në jetën e vet vuri dorë mbi dru, mbi pyll, mbi qen; për pasojë, edhe mbi vetveten.
A e di ti pyll i dashur, se ti figuron në shifra zyrtare se ke një sipërfaqe prej 1 100 000 ha, që ndihmohesh nga 400 000 ha kullota dhe rrethohesh nga 700 000 ha tokë buke? Por, ama, të kanë ngelur vetëm nëpër defter, se në realitet, po ta fillojmë nga më e dhimbshmja, mëmës tokë i janë rrëmbyer 30% sipërfaqe për ndërtime urbane dhe një 30% tjetër për shkak se të presin ty, i është futur nën efektin e erozionit dhe rrëshqitjeve. Kullotat dihet që ikën për lesh, kur në kohën e qoftëlargut u morën për t’iu qepur maleve e t’i bënin pjellore si fushat, që s’u bënë as fusha për grurë e misër e as male për të gjezdisur dhen e dhi. Le të kthehemi, o pyll i mjerë, te dhimbja jote në këtë verë, që ka të ngjarë, nëse vazhdojmë me këtë lloj sjelljeje, s’do të kesh të sosur. Qysh nga flakët e para, diku disa vjet më parë deri sot, Instituti Europian i Zjarreve në Pyje ka matur nga ajri që ty, pyll i dashur, të janë shkrumbuar jo pak, por 110 000 ha (vetëm për vitin 2007 janë raportuar nga MM 7000 ha pyje të djegur në një situatë si kjo, po që më së shumti ishin kullota). A e di ti, or miku im pyll, se nga ty dalin dy milionë tonë dru qymyr me leje, që me rregull treshi i bie edhe 6 milionë dru katrani pa leje? Po mirë, mor miku im pyll, nuk të vjen plasje që të marrin pa të pyetur dhe bëjnë gati për shitje me leje zyrtare 1 milion m3 dru, që është e barabartë me aq biomasë drusore që rritet, e cila do të kapte jo më pak se 1,5 milion ton CO2? Nëse e përkthejmë në shifra financiare këtë tonazh gazi karbonik, duke e llogaritur jo si në vendet nordike, me 70 euro/ton/CO2, as si në bursë 50 euro/ton, e as si në vendet lindore me 25 euro/toni, por le të themi 10 euro/toni, ne humbasim çdo vit të paktën 15 milionë euro, që është kosto direkte mjedisore, pa folur për ato indirekte, që më pastaj vijnë. Se me rregull treshi dalin natën si hajn me 70 euro/m3, 3 milionë m3 për dru me pre për vendet fqinje lindore. Ah mor pyll, mor pyll! Po si arrite që të përvëloheshe me mbi 370 vatra zjarri këtë vit, që filluan si me shaka me kullotat përreth, e të vazhduan mbi trungje, degë e fletë, derisa të shkrumbuan me 37 000 ha?! Dhe për çfarë?! Se 18 kompani të licencuara për qymyr dhe sipas rregullit të treshit, 64 të tjera të palicencuara, iu duheshin post-zjarrmum për katran me bojë. Ndaj, ty o pyll, të lanë fillikat, ku në fillim të hoqën 500 vrojtuesit/sensorët, që përbënin sistemin e paralajmërimit të hershëm për ty. E kupton ti, o pyll, që ti të arrijë në këtë dert, të hoqën 60 fuoristrada, ku 10 prej tyre ishin në nivel zjarrfikësi! Merr vesh ti, o pyll, që ti të arrije në këtë pikë, ty të zëvendësuan inxhinierët e tu me specialistë të fushave të tjera, si të themi inxhinierin mekanik me inxhinierin elektrik! Po kjo ka qenë gjysma e së keqes, por kur i spostuan me mësues, kjo është se ç’është, sepse nga 36 drejtorë në Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, 32 janë jashtë profesionit. E ndjen ti, o pyll, se ç’bëhet me ty, apo jo? Ty të hoqën strategjinë, projektet se sa lëndë drusore duhet prerë apo nuk duhet prekur, se sa lëndë qymyrore duhet shitur dhe në ç’rast gatitet ajo, se sa dhe cila pjesë e pyllit duhet prerë për kërnacka nga ai fshatari me lejen e kryekomunarit, apo sa duhet shitur. A e pe ti, o pyll, që ti të arrije në këtë kësmet, një akshën parku si ai i Dajtit iu hoqën me VKM të datës 25 qershor 2009, një sipërfaqe pyjore prej 169 hektarësh? A të morën leje ty, o pyll, që 60% të sipërfaqeve të tua po u jepen komunave për administrim, bile, prit, prit, se do t’u japin edhe më, deri në 90%, në një kohë që nuk i japin personelin përkatës, sikur një ekspert pylli, një pylltar apo inxhinier pyjesh, por vetëm ca si përgjegjës me këmisha të bardha e me fytyrë topolake e të skuqur o nga flakët, o nga dhjamët? A e di ti, mor pyll, që shkolla për trajnimin e zjarrfikësve të tu është mbyllur, ndaj të ka ndodhur që zjarrfikësit e sotëm, megjithëse heronj për nga njëra anë, por në ca raste dhe ca prej tyre kanë harruar të marrin ujë, ose të kanë ardhur si…… në dasmë, me atlete? Pesë milionë euro ishte dëmi i raportuar nga MM për vitin që shkoi. Po sivjet?! E thjesht fare: 37 000 ha x 2000 fidanë/ha x 2 euro/fidani i zakonshëm = 148 000 000 euro x 30 vjet që të arrijë pjekurinë e sotme, gjejeni vetë. Ore pyll, po paske qenë shumë i pasur, ndaj “të vranë, o Miti, të vranë”, se i ndihmove në varfërinë që kanë. Po…, gjegjet pylli. Ju bëj që të kini ujin të filtruar, sepse ai lumi nëntokësor i Selitës nën rrënjët e mia shkon, mor i dashur qytetar tiranas. Por, si s’më shojtët zjarrin ju qeveri, që aq më tepër sot jeni shtet i NATO-s?! Si më vutë zjarrin ju, o banorë të papërgjegjshëm, në mal, kur unë temperaturën atje lart e kam 5-6-10 gradë më të ulët se ajo që ju kini në qytet?! Po pse më latë të digjem, kur fare shpejt mund të bënit një kanal – brez të prerë dhe mund ta sulmonit zjarrin tim me zjarr? Po si më latë të flakërohem, kur ju kam dhënë 652 liqene artificiale dhe çdo mal i imi me pyll është i rrethuar nga një apo dy liqene të tilla?! Ku e kini skuadriljen me 12 AN2 të dikurshme që ishin me beze të presuar? Po pse nuk merrni nga ato të tipit “canadien air”, gjysmë milioni euro, kasten për punë të tilla, kur merrni 16 milionësh për ata që më lanë shkretë? Po pse nuk krijoni një shtab me të përbashkët nga Ministria e Mjedisit, nga Ministria e Rendit dhe Ministria e Mbrojtjes? Po pse nuk më mbroni si në Francë, që për një zjarr për babikyr merret leje duke paguar një taksë që nuk të leverdis kurrë? Po pse nuk merrni masa si në Turqi, që për një zjarr me dashje apo pa dashje në pronën tënde pyll, ajo sekuestrohet nga shteti? Po pse nuk merrni masa si në Mal të Zi, që rrethohet pylli me një kanal ujor? Po pse nuk bëni si Gjermania, që e rrethon pyllin me një brez druri të lëngshëm? Po pse nuk krijoni një gjykatë dhe një prokurori mjedisore? Po pse nuk hartoni një moratorium, ku për dhjetë vjet as mos të pritem për kërnacka në dimër, as mos të digjem për qymyr në verë, as mos të kthehem për tokë urbane në vjeshtë dhe as të mos shkoj për lesh në pranverë?

© Panorama.al

Te lidhura