
Jonathan Knott nga britanikja, The Guardian sjell një reportazh nga veriu i Shqipërisë që e ka titulluar “Duke ecur në “Bjeshkët e Nemuna” të Shqipërisë, një peizazh që, siç e quan ai, është i virgjër.
Knott shkruan se; “Ashtu si shumë rrugë rurale të Shqipërisë, rruga nga qyteti verior i Shkodrës në malet më të afërta nuk është e asfaltuar. Re të mëdha pluhuri të shoqërojnë gjatë gjithë udhëtimit. Në të kalojnë makina të panumërta Mercedes, kryesisht të vjetra, disa kuaj, karroca dhe burra të moshuar me biçikleta. Shumica e ndërtesave buzë rrugës janë gjysmë të ndërtuara ose të shkatërruara, por kafenetë në anë të rrugës dhe pikat e karburantit janë duke bërë biznes të mirë.”
Më tej, Knott thotë se gjatë regjimit komunist, i cili u rrëzua në vitin 1990 është vlerësuar se më shumë se 500.000 bunkerë janë ndërtuar në Shqipëri.
“Diktatori ynë i ka ndërtuar ato që të përcjellë tek njerëzit gjatë gjithë kohës idene se shtetet e tjera mund të na sulmojnë, duke mos menduar kështu për problemet në vend”- thotë Aleks, udhëheqësi i grupit.
Kjo epokë e izolimit, është lënë pas, thotë The Guardian, por Shqipëria ende mbetet një libër i mbyllur për shumë njerëz, ndërsa deri para pak kohësh shqiptarëve ju duheshin viza për të udhëtuar në pjesën më të madhe të Europës, dhe vendi ka patur relativisht shumë pak vizitorë të huaj.
Knott thotë se në minibusin me të cilin po udhëtojnë ndodhen disa turistë me diferencë moshe deri në 40 vjeç. Çfarë na bashkon, shton ai, është dëshira për të mësuar më shumë për këtë vend.
Knott citon një shpjegim që një banor i zonës i ka bërë lidhur me faktin se pse quhen “Bjeshkët e Nemuna”, duke shkruar më tej se; “Në Shqipëri, jo çdo gjë shkon pa probleme. Më shumë gjasa ka që të takoni një zanë të mirë, sesa të gjeni një autobus që niset në orarin e paracaktuar. Brenda një nate në kryeqytet mund të përjetosh disa kënaqësi.”
“Para se të shkoja në Shqipëri, nuk isha i sigurt nëse do të mund të ecja, dhe nëse do ta gëzoja udhëtimin. Deri në fund të gjitha këto shqetësime kishin avulluar në ajrin malor”- përfundon reportazhi i Jonathan Knott në The Guardian.
© Panorama.al











