Universiteti Shqipëri është pjesa më e rëndësishme e jetës sime. Jo vetëm jam diplomuar në Universitetin e Tiranës, por aty kam hedhur edhe firmën e parë në një bordero fill pas diplomimit, 24 vjet të shkuara. Në auditorët ku u formova mësova edhe mësoj të tjerët. Aty u riktheva edhe pas studimeve pasuniversitare jashtë vendit, për të kaluar të gjitha sprovat e tranzicionit që s’po na lëshon. Pjesë e këtij sistemi jam ende dhe marr pashmangshmërisht frymë brenda tij.
E more vesh?
Ditët e fundit, pasi diploma e “peshkut” të Bossi-t ra në rrjetën e Drejtësisë italiane, këtu në Shqipëri plasën diskutimet dhe habitë. Sinqerisht do të kisha preferuar shumë që të kishte qenë e kundërta…, që rrjeta të kishte qenë shqiptare e pastaj le të bënin gallatë italianët me ne. Askush nuk mund të thotë që u habit, ndërkohë që legjendat urbane kanë kohë që tregojnë barcaleta me variacione mbi temën e diplomimit në universitetet shqiptare.
Njësoj si për rrugët, demontimet, votat, korrupsionin, krimet…. A thua se nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë, a thua se s’ndodhin para syve tanë, a thua se s’i njohim…, por nëse njerëzit e thjeshtë, siç ne jemi, nuk guxojnë ta ngrenë zërin, sepse guximi qytetar është një ushqim që s’e hanë as qentë e Brigitte Bardo-së, të paktën institucionet të bëjnë punën e tyre, qoftë edhe formalisht.
Megjithatë, më mirë që ndodhi kështu. Shpesh kemi treguar se me (jo)logjikën e strucit nuk e prekim plagën për sa kohë s’i del qelbi jashtë, e veç kur na shpërthen fillojmë shohim sa e thellë është. Nuk kam aspak ndër mend të merrem me peshkun në fjalë. Pasi argumenti u bë telef nëpër rrjetet sociale e median fjalëshumë, shpresoj që kësaj t’i japë drejtim Prokuroria e Ministria e Arsimit.
Do bëjmë universitet?
Ajo që unë besoj se duhet të na interesojë është arsimi i lartë si sistem vlerash, si politikë, si themel e ekuilibër midis të ardhmes së shoqërisë dhe interesave të ekonomisë. Asnjë mandat qeveritar nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të kryer reformat që në arsim duhet të jenë të studiuara mirë, të planifikuara me kujdes, të rrahura në debatin publik, të zbatuara me konsensus e të shtrira në kohë.
Vetëm brenda kësaj filozofie duhet gjetur dhe realizimi i interesave individuale. Qofshin ato të sipërmarrjes së lirë, të profesionistëve të arsimit, të familjeve, të nxënësve, por edhe të tregut të punës. Harmonizimi i këtyre interesave është një sfidë kombëtare. Arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti ka në dorë fatet e vendit. Në këtë kuptim, roli i shtetit dhe i politikave arsimore është kapital dhe duhet të ketë minimumin e dinjitetit për të kapërcyer dalldisjen pas dafinave elektorale. Në 20 vjet askush nuk ka arritur ta fitojë atë kurorë.
Nga ana tjetër, sado kemi rrahur ujë në havanët e kafeneve, në korridoret e fakulteteve apo në rrjetet sociale e në bigbrother-at mediatikë, konstatoj se ka një konfuzion të madh: paragjykime gjithfarë, thashetheme lloj-lloj, teori prapaskenash, more-vesh-që-thua-ti-e-që-s’the-asgjë, viktima financiare me ligj e ndënë dorë, marrje më qafë nëpër provime ku kalohet me testin e analfabetizmit e shkëlqime notash që as ata që i marrin s’i besojnë, sekserllëqe e oferta promocionale prej supermarketi, luftë me emra që luajnë “botash” duke zënë troje që nga provincat e Shqipërisë e deri në hapësirat kozmike, pa harruar ca emra qelqesh e xhamllëqesh, ku i ziu prind kapet në kurth si në labirint.
Nuk po përmend këtu kuotat e frikshme për doktorata, po ka shumë gjasa që krahas rritjes ekonomike, kujdesit shëndetësor dhe turizmit të pashoq, ne të zëmë edhe një ndër vendet e para në kërkimin shkencor botëror.
Ç’bëhet në publik?
Procesi i Bolonjës, që bëri ndryshimin nga 4 vjet studime në 3 vite + 2 të ciklit të dytë ose të ashtuquajtur Master, u fut në zbatim fill pasi ishte ratifikuar në vitin 2003. Kujtoj se nuk arritëm as ta studionim mirë atë ndryshim e as të parashikonim mundësitë, kapacitetet, tregun, prirjet, por vetëm na u desh t’i nxirrnim teshat nga sëndukët e 4-vjeçarit për t’i mbështjellë me valixhet e reja prej Karte të Bolonjës. Në rrugë e sipër filluam të shihnim se nuk i kishim palosur mirë, se disa ishin vjetruar aq shumë, sa duheshin bërë të tjera, se tregu i punës kishte ndryshuar e ne s’ishim gjëkundi… i nxorëm prapë e prapë i ndryshuam, eksperimentuam me veten, me studentët, me diplomat, ndërsa sfondi ligjor ishte shumë me dembel se sa ne.
Në 2007-n u bë i domosdoshëm hartimi i një ligji të ri, i cili më shumë u debatua për formën e mandatet e zgjedhjes së drejtuesve me emra të përveçëm, sesa për ndryshimet e mëdha që sillte në arsimin e lartë dhe në kërkimin shkencor. Për të përshtatur programet e kurrikulat e reja na u lanë në dispozicion veç gjashtë javë. Prapë u nxituam dhe vetëm dy vjet më pas ligji na doli problematik e u desh të amendohej në 2010-n, e serish në 2011-n se, helbete, ndryshuan emrat.
Po të shtojmë këtu udhëzimet dhe VKM-të, të cilat i shtohen ligjit duke kërkuar çdo herë ndryshime në program, në kurrikula, në organizim, në regjistrim, në tarifa, në bllokim të procesit të masterave apo doktoratave, apo në të kundërt, në masivizim të shkollave të larta, e pra, asnjë vit shkollor nuk gjen karar e zor se në këta dhjetë vitet e fundit ka dy breza studentësh me të njëjtën diplomë, me të njëjtin program, për të njëjtën degë.
Ndërkohë, po për të njëjtat nivele diplomash e degësh, në emër të masivizimit, edhe të populizmit po të doni, janë hapur edhe universitete nëpër rrethe. Qofsha e gabuar, por nuk di të ketë statistika për të parë sa të vlefshme janë këto ose ato diploma në tregun e punës, sipas degëve, viteve, universiteteve, niveleve etj.
Kjo është, besoj, një nga mangësitë e mëdha të sistemit që vjen si nga mungesa e orientimit nga autoritetet drejtuese të arsimit, ashtu edhe nga mungesa e motivimit dhe e profesionalizmit të vetë universiteteve. Në shkollat tona nuk e kemi këtë mekanizëm të përfshirë në vlerësimin e brendshëm. Nuk kemi baza të dhënash për integrimin e studentëve në profesionet për të cilat diplomohen. Nuk ekzistojnë organizatat e “alumni”-t aq të dobishme për të ruajtur përvojën dhe për të ndërtuar rrjetet mes universiteteve dhe profesioneve. Shkurt, nuk dimë çfarë studentësh formojmë, për cilin treg i formojmë, sa i përgatisim për punësim, nuk e matim dot. Gjithçka mbetet në nivele perceptimesh individuale.
Nuk mund të kemi standard, as cilësi e as strategji afatgjatë kur reformat në arsimin e lartë bëhen partizançe. Ende sot nuk është i qartë në ligj se cili është dallimi midis të diplomuarve me 4 vjet, e atyre me DND, apo këtyre me master… në raport me tregun e punës apo me kërkimin shkencor.
Ende sot studentët që përgatiten të mbrojnë diplomën e masterit në qershor nuk e dinë me saktësi nëse do ta kalojnë apo jo testin ndërkombëtar të anglishtes, dhe nëse po, në ç’nivel?
Ka ndodhur që u janë dërguar pedagogëve dokumente në formë propozimesh të paqarta për të ashtuquajturat standarde të cilësisë, por nuk dimë ku kanë përfunduar reagimet e tyre e ç’është bërë me to…
Flitet për autonomi të universiteteve publike, ndërsa fakultetet e departamentet janë në mëshirën e Ministrisë si për lapsat, edhe për kërkimin shkencor…
Ende sot nuk e dimë nëse reforma financiare e njoftuar kaq herë dhe e përfolur po aq, do të fillojë, si do të fillojë, sa janë marrë në konsideratë reagimet e universiteteve publike…, duke i lënë trupat pedagogjike në mjegullnajën e informacionit. Duket sikur të gjithë ndjehemi rehat brenda mjegullës ku digjet i njomi me të thatin… lëre ç’e trazon, të thonë, se mos na prish punë, mirë është kështu…! Po si është, pra?!
E gjatë është lista e çështjeve e nuk shterohet në një shkrim gazete, por kjo vetëm provon se na duhet ta kthjellojmë pa humbur ende kohë qiellin universitar që të mos përfundojmë si viktima të një shtrëngate të paralajmëruar.
Po andej nga privati?
Ndërsa në universitetet publike mësimi vazhdonte të bëhej pa ndonjë ndryshim esencial e ku kapacitetet ekzistuese nuk u përgjigjeshin kërkesave në rritje, sipërmarrja private u shfaq në horizont. Dhe mirë bëri.
Kemi tash 10 vjet që institucione private të arsimit të lartë ofrojnë një alternativë në shkollimin universitar. Plot 48 të tilla u licencuan në këta 10 vjet, përveç 11 universiteteve publike, pa llogaritur këtu edhe ca filiale të hapura në Kukës e Sarandë, Fier, Berat. Të gjitha këto vetëm për 3 milionë shqiptarë, pa llogaritur këtu ndonjë “troftë” që na vjen nga matanë detit, por edhe duke mos harruar që një numër jo i vogël, dhe shpesh më të mirët, shkollohet jashtë. Janë vetëm 19% e studentëve, thotë këshilltari për arsimin pranë Kryeministrit në një debat televiziv, 29% (!) tha përfaqësuesi i një universiteti privat ulur krah tij po në atë debat, 10% tha pak ditë më pas, në të njëjtin emision, drejtoresha e Arsimit të Lartë, të cilën shefat e vet e kishin nxjerrë si rrufepritëse të zemërimit publik që shkaktoi reality-diploma në peshkimin e “troftave”.
Si ta gjej në këtë lojë kungulleshkash se sa studiojnë në privat e sa në publik? Si ta kuptojmë ku ndahet profesionalizmi, dija, kërkesa për cilësi, nga qëllimi i thjeshtë fitimprurës në një biznes “ku paratë fitohen para se të shitet malli”, siç thotë një kolegu im nga Kosova, ku procesi i verifikimit dhe i mbylljes së disa barakave universitare nuk priti 20 vjet për t’u kryer? E kështu i bie të jetë, përderisa shpesh paratë paguhen që në fillim të vitit, madje po të duash ndonjë ulje mund t’i paguash edhe 3 vite bashkë, sipas parimit “merr 3 paguaj 2”.
Në këtë kakofoni nuk mund të mos u jap të drejtë disa aktorëve që falë punës dhe jetëshkrimit të tyre individual kanë ndërtuar një profil vlerash në shoqërinë shqiptare dhe kanë guxuar të ndërmarrin nisma private (atë fjalën “jofitimprurëse” më mirë ta lëmë e t’i kthehemi pas disa dekadash, kur edhe krahasimi i guxuar me Amerikën apo Britaninë e Madhe të mos na duket kaq qesharak sa sot) në lëmin universitar. Kështu e lexova para pak ditësh shkrimin e z. Besnik Aliaj, i cili ka shumë të drejtë të preket kur ndien se mund t’ia njëjtësojnë punën e produktin me fabrikën e “troftave”. Po kështu e mirëkuptoj dhe e mbështes fort (ndonëse vetë nuk kontribuoj në sektorin privat të arsimit të lartë), Deklaratën e konsorciumit të disa universiteteve private (Luarasi, Marubi, UET, TBU) për një hetim të thellë jo thjesht të rastit të bujshëm, por të të gjithë skenës ku ata operojnë, duke u rrekur të ndërtojnë disa standarde. Ata ndjehen drejtpërsëdrejti të dëmtuar nga modelet, fatkeqësisht dominuese, të abuzimit dhe sharlatanizmit në këtë fushë që do të duhej të ishte pjesë e elitës së një shoqërie që vetëm për elitë s’mendon!
Do të kisha dashur që reagimi të ishte më i fortë e në bllok jo vetëm nga universitetet private që duan t’u shpëtojnë analogjive të pashmangshme dhe demonizimit të sistemit privat në arsim, por sidomos nga universitetet publike, që mbledhin numrin më të madh të studentëve, të familjeve dhe të buxheteve që shqiptarët i harxhojnë për arsim, si nëpërmjet ekonomive individuale, ashtu dhe nëpërmjet taksave të paguara, qofshin këto edhe vetëm 2,8 e PBB-së.
Quo vadis?
Kemi ndjesinë se ecim si në tym (do të isha shumë e lumtur ta tërhiqja këtë që them nëse më tregohet e kundërta). Jam e ndërgjegjshme që jetojmë në një shoqëri që nuk e ka pasur dhe ende nuk e ka kulturën e transparencës dhe të informacionit për të gjithë, por, më falni nëse pretendoj që në botën universitare kjo mendësi do të duhej të paktën ta kishte hedhur farën e vet, paçka se toka nuk është pjellore.
Për të kuptuar diçka më shumë, me një durim që më habiti dhe mua vetë, bëra një xhiro të gjatë në faqet e internetit të universiteteve më në zë, publike e private. Duke qene se në internet një universitet dukej më i bukur se tjetri dhe se i di pak a shumë kushtet e secilit në këtë Tiranën e vogël ku jetojmë, thashë të mësoj pak më shumë për tarifat e shkollimit. Dhe e dini çfarë? Në atë mori lavdesh që gjithkush ia bën vetes, ishte shumë e vështirë ta gjeje këtë informacion. Nga universitetet private që unë pashë, vetëm Tirana Bussines University dhe Akademia Marubi i bënte publike tarifat dhe mënyrën e pagesës, ndërsa ndër universitetet publike, vetëm Universiteti i Vlorës e kishte të parashikuar këtë rubrikë qysh nga viti 2010, kontribut fillestar, besoj, i mendësisë revolucionare të ish-rektorit të guximshëm, Shaskaj. Për korrektësi duhet të shtoj gjithashtu se në faqen e universitetit “Vitrina” gjeta një listë çmimesh që ishin në ofertë për 28 asortimente diplomash.
Po sikur?
Në këtë pikë, roli rregullator i shtetit në treg, detyra e politikës për t’i dhënë përparësi arsimit si një garanci për të ardhmen, marrja e përgjegjësive nga ana e aktorëve konkretë vendimmarrës; këta janë ata që tregohen me gisht.
Të gjithë, universitete dhe pedagogë, prindër e studentë, taksapagues e shoqëri civile, jemi të pakënaqur nga mungesa e informacionit, e transparencës, e akreditimit dhe rankimit të universiteteve sipas një standardi ndërkombëtar, qoftë edhe të përshtatur modestisht me kushtet shqiptare. Jemi të shqetësuar për mungesën e një politike të qartë afatshkurtër dhe të një perspektive që do t’u jepte autonominë e munguar universiteteve publike, do t’u mbyllte dyert bizneseve të shëmtuara që s’kanë lidhje me botën universitare dhe do të krijonte më në fund një bazë të shëndetshme dhe sidomos transparente për një konkurrencë të pastër të vlerave, të profesionalizmit dhe të dijes.
Shumë është folur këto ditë për këtë temë pas asaj që ndodhi, dhe sërish e them, më mirë që ndodhi. Do ta mbyll këtë shkrim me një shkëmbim opinionesh që pata në Facebook, me Edonin, i cili kryen me shumë sukses studimet në vendin e “troftës”, e pikërisht për këtë i dhemb situata aktuale e arsimit të lartë në vendin e vet:
Edoni: Nuk jam tërësisht i bindur nëse faji i tërë kësaj ndodhie do duhej të përfshinte edhe ata që e kanë pasur neverinë e këtij sistemi dhe, në jetën e tyre private, i kanë merituar me plot gojë titujt që kanë. Ajo çka fajësoj, megjithatë, është shpërfillja, sepse të gjithë e dimë që kjo që ndodhi s’do të zgjasë edhe shumë…, shpërfillja e të gjithëve i ka lejuar të gjallojnë duke helmuar çdo lloj serioziteti intelektual… Por kultura e vërtetë s’ka kurrfarë ç’të ndajë me një vetëkrenari të shtirur që kemi gati 20 vjet që i injektojmë vetes. Kërkoj ndjesë për tonalitetin, ndoshta më shumë të revoltuar se ç’duhet në fjalët e mia.
Unë: Keni shumë të drejtë, madje duhet të revoltohemi të gjithë bashkë, sepse na dhemb kur shohim se si vlerat individuale që nuk i mungojnë këtij vendi thërrmohen, nuk integrohen, nuk përdoren për t’u përfshirë në një sistem të harmonizuar, i cili do të duhej t’i kthente në vlerë kolektive afatgjatë. Nga ana tjetër, ne (unë, ju, ai, ajo…), ndonëse nuk e ndërtuam të keqen, asistuam si spektatorë pasivë në lindjen dhe gjallimin e saj. Dhe e keqja nuk quhet domosdoshmërisht “arsim privat”, do të ishte gabim i madh ky. E keqja është në menaxhimin e arsimit në këta 20 vjet si në publik, edhe në privat, ku nuk arritëm të përballemi me sfidat e ndryshimit rrënjësor, me gërryerjen korruptive dhe sundimin e fitimit të shpejtë – e pafalshme kjo në arsimim! Edhe unë mendoj se do ketë një fund ky cikël, por jo pak vite kanë kaluar ndërkohë, jo pak vite do të kalojnë ende, dhe një numër të rinjsh do të jenë peshkuar si “trofta” e një numër i madh familjesh kanë lënë paratë e shpresat në atë rrjetë… Pasojat do t’i ndiejmë më vonë…
© Panorama.al












