
Banorët e pjesës së sipërme të fshatrave në Komunën e Dropullit të Poshëtm, kanë mungesa të theksuara me furnizimin me ujë të pijshëm. Kjo situatë në kurriz të tyre, rëndon prej më tepër se 15 vitesh. Banorët e fshatit Frashtan rreth 15 km në jug të qytetit të Gjirokastrës, shprehen se situata është alarmante dhe askush nuk i ka marrë në konsideratë ankesat e dhjetëra familjeve. Madje sipas tyre komuna ka sugjeruar që problemit në fjalë, t’i jepet zgjidhje individuale.
Vetëm një vit më parë, uji mungonte për të gjithë banorët e kësaj komune dhe shkaku në atë periudhë, ishte sistemi me ngritje mekanike që furnizonte fshatrat dhe pamundësia financiare e njësisë vendore për të përballuar faturat e energjisë elektrike për pompat që siguronin furnizimin me ujë. Por edhe ndërtimi i ujësjellësit rajonal për shtatë fshatrat e Dropullit të Poshtëm, një investim me vlerë 50 milion lekë, fonde qeveritare, i cili u inagurua me bujë nga kryeministri, Sali Berisha dy vjet më parë, vepër që konsiderohet tashmë e përfunduar, nuk ka arritur të zgjidhë përfundimisht problematikën e furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë banorët.
Duke nisur prej lartesisë 100 metra mbi nivelin e Luginës së Drinos, banorët ose marrin ujë një herë në katër ditë, ose nuk furnizohen fare me ujë të pijshëm. Mbartja e ujit me krahë, kafshë apo mjete deri në banesa në zonën në fjalë, është bërë pjesë e rutinës së përditshme të banorëve. Më të moshuarit që nuk kanë mundësi të transportojnë ujin, jetojnë me ujin që grumbullojnë ullukët e çative në sterat e shtëpive. I pyetur për këtë probelm kreu i Komunes së Dropullit të Poshëtm, ka mohuar që të ketë anomali rreth furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e shtatë fshatrave.
Piro Nase
© Panorama.al











