Droga e Lazaratit kapet në Greqi. Rreth 133 kg marijuanë janë kapur 70 km brendësi të territorit helen nga Shqipëria. Bilanci flet për tre shqiptarë të arrestuar si trafikantë të marijuanës. Sipas të dhënave të para një nga të arrestuarit rezulton të jetë drejtues i një institucioni rajonal në Gjirokastër, ndërsa dy të tjerët janë njëri nga Gjirokastra dhe tjetri nga Fieri. Në komunikatën e vet, Policia e Janinës, nuk identifikon emrat e të arrestuarve, por specifikon moshën.
Aksioni i policisë greke, ka ndodhur në orët e mbrëmjes së të shtunës në kilometrin 97 të rrugës Egnatia që të con në drejtim të Selanikut. Agjentët e Policisë së Sektorit të Narkotikëve në Janinë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Dhelvinaqit, kanë kapur dhe më pas arrestuar tre shqiptarë, dy të moshës 31 vjec, ndërsa tjetri, 36 vjec. Të tre shqiptarët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Të rinjtë shqiptarë, qarkullonin secili me automjet duke mos rënë në sy të policisë dhe shmangur kontrolleve të mundshme të policisë.
Marijuana, qëndronte e kopertuar në brendësi të bagazhit të makinës që drejtohej nga njëri prej 31 vjecarëve, ndërsa dy të tjerët, qëndronin të barazlarguar në sinkron njëri para dhe tjetri pas mjetit të mbushur me marijuanë për të diktuar ndonjë ndjekje të mundshme të policisë dhe per pasojë shmangien e tyre në ndonjë rrugë sekondare.
Mjeti ku transportohej marijuana, rezultonte i vjedhur në zonën e Peristerit qysh më 15 prill të këtij viti dhe ishte denoncuar nga pronari i tij ndërkohë që targat që përdoreshin, ishin denoncuar të vjedhura në zonën e Larisas. Sipas burimeve policore greke, marijuana ka hyrë nga zona kufitare shqiptare dyshohet nga Kakavija ose nga kufiri i gjelbër në zonën e Gjirokastrës. PIRO NASE
© Panorama.al











