TIRANE – Tre persona janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës në kuadër të aksionit antidrogë të koduar me emrin “Lançia”, gjatë të cilit është bërë sekuestrimi i një sasie prej shtatë kilogramë marihuanë. Policia e kryeqytetit bëri të ditur se arrestimet janë kryer mbrëmjen e të mërkurës, pas një hetimi disa mujor. Të arrestuarit janë shtetasit Sokol Balili, 24 vjeç, banues në fshatin Kuç Vlorë, Lision Nanaj, 44 vjeç, banues në fshatin Tërbaç, Vlorë dhe Ridvan Shiroka, 23 vjeç, banues në fshatin Tërbaç, Vlorë. Ata kanë rënë në pranga rreth orës 18:30, pas një ndërhyrjeje të policisë në Rrugën e Durrësit në Tiranë, pasi janë kapur me 7 kg, e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Policia bëri të ditur se në sajë të një hetimi intensiv disa mujor, u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarjeje dhe trafikimi në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia, lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin tip “Lancia”, me targa të huaja si dhe shuma e parave prej 50 000 mijë lekësh. Nga burimet e Policisë mësohet se tre të arrestuarit janë mbajtur nën vëzhgim për një kohë të gjatë. Sipas provave të mbledhura gjatë ecurisë së hetimit ndaj këtyre shtetasve, u konkludua se lënda narkotike e llojit Cannabis vinte nga fshatrat Kuç dhe Tërbaç të Vlorës. Droga transportohej nga këto zona me synim shpërndarjen e saj në zona të ndryshme dhe kryesisht në zonën e Fushës së Aviacionit, Stacioni i Trenit, Laprakës, si dhe zonën e Bllokut në Tiranë. Pas arrestimit të tre personave, policia referoi dosjen penale në Prokurori me akuzën “prodhim, shitje të lëndëve narkotike”, në bashkëpunim. Agjentët e Antidrogës në Policinë e kryeqytetit mësohet se e kanë ndjekur itinerarin e drogës nga Vlora në kryeqytet për të bërë të mundur bllokimin e saj në cilësinë e provës materiale. Ndaj tre shtetasve të arrestuar nuk është ngritur akuzë për trafikim narkotikësh, pasi ngarkesa e drogës ka lëvizur vetëm brenda kufirit shtetëror.











