
Arrestohen 7 persona. Malli me kafshë nga mali i Sopotit në Sarandë e më pas në Greqi.
Bllokohen 253 kg kanabis, do trafikohej nga Igumenica.
Drogë me kuaj nga Lazarati në Sarandë nëpërmjet malit të Sopotit me qëllim trafikun në Greqi. Një operacion i përbashkët i Komisariatit të Policisë dhe Policisë Kufitare çoi në sekuestrimin e një sasie prej 253 kg kanabis sativa, si dhe arrestimin e 7 personave. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin të arrestuarit trafikonin lëndë narkotike që merrej në Lazarat, nga Saranda në Greqi. Agjentët e Antidrogës kanë rënë në gjurmët e grupit kriminal që drejtohej nga 30-vjeçari Aleks Nanaj, nga Saranda. Policia e ka mbajtur disa ditë në vëzhgim atë si dhe personat me të cilët kontaktonte. Dje, rreth orës 06:00, rrethuan banesën e vëllait të Aleksit, shtetasit Andrea Nanaj, në fshatin Kopaçez të Delvinës. Gjatë kontrollit u zbuluan 10 çanta sportive me 253 kg kanabis sativa. Pas sekuestrimit të lëndës, policia organizoi një operacion në fshatrat Kopaçez të Delvinës, në qytetin e Sarandës e në fshatrat Fterrë e Lukovë. “Në kuadër të operacionit të koduar “Sopoti” janë arrestuar shtetasit Aleks Nanaj, 30-vjeç, nga Saranda, Andrea Nanaj, 27-vjeç, nga fshati Kopaçez i Delvinës, Gjergji Nanaj, 45-vjeç, po nga fshati Kopaçez Delvinë, Maridon Dhuli, 23-vjeç, nga fshati Fterrë Sarandë, Besnik Kasaj, 25-vjeç, nga Lukova, Afrim Kasaj, 33-vjeç, nga Lukova dhe Petrit Halimi, 21-vjeç, banues në Mallakastër”, bëri të ditur Policia. Arrestimit i shpëtoi 19-vjeçari Sabiel Dhuli, banues në Fterrë të Sarandës, i cili u shpall në kërkim. Gjatë operacionit policia u sekuestroi të arrestuarve 9 telefona celularë të markave të ndryshme, si dhe 3 automjete luksoze, një

“Wolsvagen Touareg”, me targë AXO 7121, një “Toyota” me targa të huaja dhe një automjet “Golf 4” me targa GJ 09 79 B. “Nga hetimet ka rezultuar se ky grup ka kryer aktivitet kriminal edhe në raste të tjera të mëparshme dhe se organizatori i këtij trafikimi është shtetasi Aleks Nanaj, i cili nëpërmjet vëllait të tij, shtetasit Andrea Nanaj, rekrutonte shtetas të ndryshëm kundrejt pagesës 50 mijë lekë për të realizuar transportin e lëndës narkotike”, bëri të ditur Policia. Mësohet se Aleks Nanaj, pasi blinte lëndën narkotike në fshatin Lazarat nëpërmjet vëllait të tij, Andrea Nanaj, rekrutonte kundrejt pagesave persona të ndryshëm të cilët bënin transportin e lëndës narkotike në drejtim të Igumenicës. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike që u gjet në banesën e Andrea Nanajt ishte transportuar me kuaj, nga fshati Lazarat nëpërmjet malit të Sopotit deri në fshatrat Palavli e Kopacëz të Delvinës e më pas në Sarandë, me qëllim për ta trafikuar në drejtim të shtetit grek. Gjatë kryerjes se veprimeve hetimore rezultoi si ky grup për një periudhë disavjeçare ka ushtruar aktivitet kriminal në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
Policia e Vlorës: Qytetarë, bashkëpunoni!
Policia e Vlorës ka publikuar disa numra telefoni, mes të cilëve edhe numrin e kreut të Policisë, Artan Cuku, 0694111021 si dhe adresa të tjera e-mail-i. Nëpërmjet këtij publikimi, policia fton të gjithë qytetarët të drejtohen për çdo shqetësim apo të dhënë tjetër që do të mund t’i ndihmonte ata në zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme. Kjo u bë pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në këtë qark, ku në mes të ditës po grabiteshin banka e qytetarë, por edhe rastet e trafikut të drogës në Sarandë, Komisariati i së cilës është nën juridiksionin e Drejtorisë së Policisë së Vlorës.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











