Drogë Lazarati për në Itali, bllokohen 90 kg

Sep 7, 2012 | 12:45
Droga e bllokuar dje nga policia

GJIROKASTER – Një tjetër sasi marijuane ka mundur të dalë nga Lazarati, por pas 20 kilometrash u arrit të bllokohej nga Policia e Gjirokastrës. Bilanci flet për sasinë prej 90 kg të sekuestruar, si dhe arrestimin e njërit prej trafikuesve, ndërkohë që katër të tjerë, mes të cilëve drejtuesit e trafikut, janë shpallur në kërkim. Droga ishte destinuar të shitej në Itali dhe do të përcillej atje përmes rrugës detare. Këto janë të dhënat që mundën të grumbullonin në përfundim të hetimeve specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Policinë Rajonale. Marijuana prej 90 kg doli nga fshati Lazarat në orët e para të së enjtes përmes një automjeti, i cili po merrte rrugën në drejtimin verior të Gjirokastrës. Në kufirin administrativ mes Gjirokastrës dhe Tepelenës, postblloku i instaluar në Ujin e Ftohtë përbënte pengesën kryesore të trafikimit të 90 kg marijuane dhe kësisoj, automjeti me drogë ndaloi dhe më pas punën e tij do ta kryenin tre transportues që do të mbanin në krahë nga një çantë për secilin, me 30 kg marijuanë. Drejtuesi i automjetit e ka lënë lëndën narkotike në afërsi të pyllit të Ujit të Ftohtë, rreth 500 metra mbi aksin nacional dhe më pas është larguar, ku janë afruar persona të tjerë. Menjëherë policia është vënë në ndjekje të tyre dhe në fund arritën të kapnin vetëm 31-vjeçarin nga Shijaku, Ervis Murataj, i dënuar me katër vjet burg për trafik të lëndëve narkotike në Greqi. Ndërsa dy të tjerët, përkatësisht A.K. dhe K.M., 29 dhe 26 vjeç nga Tepelena, mundën të arratiseshin nga vendi i ngjarjes duke njohur shtigjet e zonës, pasi janë banorë të fshatit Luzat, fare pranë mjedisit ku u kap lënda narkotike. p.n

© Panorama.al

Te lidhura