
GJIROKASTER – Zbulohet trafiku i drogës nga Lazarati, duke përdorur itinerarin Sarandë-Korfuz e më pas Greqinë. Policia e Gjirokastrës sekuestroi 150 kg marijuanë, duke arrestuar dy prej disponuesve të saj e dy të tjerë janë në kërkim. Operacioni i koduar “Eklipsi” u finalizua pasi të arrestuarit janë mbajtur në survejim prej rreth një muaji, për të zbuluar veprimtarinë e një grupi të mirorganizuar me veprimtari kriminale në fushën e trafikut kundër drogës, i cili operonte në fshatin Lazarat e më gjerë. Blutë çuan në pranga shtetasit Dorjan Rapi, 28 vjeç nga Tirana dhe Shkëlqim Besimaj, 39 vjeç nga Vlora, të cilët po trafikonin 150 kg marijuanë. Mësohet se rreth orës 23:30 të së mërkurës, blutë e Gjirokastrës ishin vënë në dijeni, se katër persona dy prej të cilëve nga Lazarati, pjesëtarë të këtij grupi kriminal, qarkullonin nga ky fshat me një automjet tip xhip në drejtimin jugor të tij. Brenda mjetit dyshohej se kishte një sasi të madhe marijuane, por fillimisht ishte ende e papërcaktuar. Destinacioni i mallit narkotik ishte Greqia, ku më parë do të kalonte përmes Sarandës, e më pas me mjete lundruese në ishullin e Korfuzit. Policia u vu në lëvizje duke ngritur disa pika kontrolli në aksin Gjirokastër-Muzinë. Personat që transportonin mallin, për t’iu shmangur postblloqeve policore, në afërsi të fshatit Grapsh, rreth 12 km në jug të Gjirokastrës, kanë shkarkuar nga mjeti lëndën narkotike afër një përroi. Më pas, drejtuesi i makinë, banor i Lazaratit, bashkë më një bashkëfshatarin e tij janë larguar në drejtim të Muzinës. Ata ia kanë lënë drogën për ta transportuar Rapit dhe Besimajt, duke përshkuar rrugën malore të Muzinës. Policia, falë mjeteve logjistike moderne vëzhguese, evidentoi personat që transportonin lëndën narkotike në faqen e malit, poshtë Qafës së Muzinës, aty ku ndahet administrativisht Gjirokastra me Delvinën. Pas kësaj, ata janë vënë në ndjekje duke arrestuar dy transportuesit. Në vendngjarje grupi hetimor, evidentoi katër çanta të mëdha shpine dhe një thes plastmasi i bardhë me marijuanë. Lënda ishte përgatitur në pako të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Në secilën çantë kishte nga 35 pako me marijuanë, ndërsa në thesin e plastmasit 10 pako. Sasia totale ishte 150 pako në formë katrore me peshë 1 kg secila që rezultonte me peshë totale 150 kg. p.n
Precedentët
Ky është rasti i tretë brenda pesë ditëve që policia e Gjirokastrës sekuestron marijuanë me një peshë totale rreth 300 kg. numri i të arrestuarve që kërkonin të transportonin lëndë narkotike rezulton të jetë gjashtë në pesë ditët e fundit. të shumtët e të arrestuarve kanë qenë studentë nga universitetet e Tiranës dhe të Gjirokastrës.











