DURRES – Rreth 300 kilogramë lëndë narkotike e llojit “cannabis sativa” u bllokuan mbrëmë në Portin e Durrësit. Burime të Policisë bënë të ditur se gjatë kontrollit të automjeteve që po imbarkoheshin në tragetin e linjës “Durrës-Bari”, në një kamion janë gjetur disa thasë, brenda së cilëve rezultoi se ishin rreth 300 kilogramë lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Lënda ishte fshehur në një trajler të kompanisë private “T.E”. Drejtuesi i mjetit, Sazan Vrapi, nga Tirana u ndalua nga policia për trafik lëndësh narkotike, ndërkohë që po punohet për të zbuluar vendin e origjinës, destinacionin si dhe identitetin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Ndalimi në kohë i drogës është bërë vetëm pas kontrollit të kryer para se mjeti të futej për në sheshin e trageteve. Lënda narkotike ishte e ndarë në thasë plastikë dhe ishte fshehur në pjesën e pasme të mjetit, në dyshemenë e dubluar të trajlerit, e modifikuar nga transportuesi. Policia bëri të ditur se trajleri ishte me targa TR 8002 G, ndërsa pjesa e pasme e tij (vend në të cilin u gjet droga), është me targa TR 8055 J. Në Portin e Durrësit tentohet të kalohet herë pas here lëndë narkotike, ndonëse rastet e goditjes ndaj trafikantëve kanë qenë të shumta. Më 10 maj, policia e Durrësit zbuloi 10 kg heroinë në tentativë për ta trafikuar në Itali. l.m
Gjirokastër, Policia kap 94 punëtorë të drogës
GJIROKASTER – Policia e Gjirokastrës ka ndaluar rrugëtimin për në Lazarat të 94 mëditësve që ishin nisur në Lazarat për mbjelljen e kanabisit. Grupi prej 70 punëtorësh u gjet në bordet e 5 furgonëve të linjës Gjirokastër-Lazarat. Bllokimi i furgonëve të Lazaratit ndërkohë ka ndeshur në rezistencën trupore të shoferëve, të cilët kanë kundërshtuar aksionin e Policisë për boshatisjen e mjeteve të tyre të transportit nga klientët e përditshëm. Ndërhyrja ka qenë tepër energjike nga ana e Policisë së Gjirokastrës, e mbështetur nga FNSH. Aksioni ka vazhduar duke u ndaluar në periferi të fshatit 24 punëtorë të tjerë. Që nga fillimi i aksionit janë 300 persona të kapur, të cilët kanë deklaruar se shkonin për të punuar në tokat e drogës në Lazarat. p.n











