Droga në makinën zyrtare, Ledion Ruçi, dy ditë në qeli

Feb 1, 2012 | 13:36

Foto ilustruese

DURRES/ Mister zbulimi i 1.5 gramëve kanabis tri ditë pas kontrollit

Policia: Djali i deputetit i ndaluar, Prokuroria do vendosë për të

Droga e gjetur në makinën me targa zyrtare të deputetit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, mban të izoluar prej së hënës të birin e tij 28-vjeçar, Ledian Ruçi. Policia e Durrësit ka qenë shumë e rezervuar në dhënien e informacionit për rastin në fjalë, mbi sasinë prej 1.5 gramë kanabis sativa të gjetur në xhepin e derës në mjetin tip “Volkswagen” Touareg me targa TR 0141 Z. Kjo makinë ka mbetur e bllokuar nga policia e Durrësit, që prej së premtes, fillimisht për mungesë dokumentacioni dhe së fundi për gjetjen e drogës brenda saj. Akuzat e policisë së Durrësit ndaj Ruçit nisën prej 5 ditësh, në momentin kur u ndalua teksa ishte duke u kthyer nga Gjirokastra së bashku me dy shokët e tij, E. Malaj dhe Lori Kelolli. Madje po atë ditë, shtetasi Lori Kelolli u arrestua nga Policia e qytetit bregdetar, pasi rezultoi se gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po udhëtonin tre të rinjtë, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive, pushkë (pa numër), që dyshohet se posedohej nga 23-vjeçari. Burime nga Policia e Durrësit pohuan se 28-vjeçari Ledian Ruçi është në masën e ndalimit dhe i takon Prokurorisë së Rrethit që të vendosë për të: nëse do të kërkojë masë sigurie në Gjykatë apo do të kërkojë menjëherë lënien i lirë nga policia. Mbi 28-vjeçarin rëndon akuza për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Ledian Ruçit iu komunikua ndalimi në Drejtorinë e Policisë në Durrës, ku ai vetë kishte shkuar për t’u interesuar në lidhje me proceduarat që duhet të ndjekë për të nxjerrë nga pika e bllokimit mjetin e të atit të tij, që iu sekuestrua të premten e shkuar në rrethrrotullimin e plepave. Me anë të një komunikate, Policia e Durrësit njoftoi dje se “Ledian Ruçi u ndalua pasditen e së hënës, rreth orës 18:10 minuta. Ndalimi i Ledian Ruçit u bë për arsye se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që disponohej nga ky shtetas tip “Volkswagen” Tuareg me targa TR 0141Z, rreth orës 14:10, në xhepin e derës së automjetit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 1.5 gramësh lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti që dispononte. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, deklarohet në njoftimin e bërë publik nga Policia e Durrësit. Gjithashtu, sqarohet se do të jetë Prokuroria dhe Gjykata që do të vendosë nëse do të arrestohet apo jo, pasi sipas Policisë 28-vjeçari Ruçi nuk është kapur në kushtet e flagrancës me lëndën narkotike. Në fakt, kjo është dhe pjesa mister e kësaj çështjeje: pasi fillimisht mbi makinën me targa Z u ushtrua një kontroll që zbuloi armën sportive. Më pas, një tjetër kontroll, që sipas policisë ishte “më i imtësishëm”, zbuloi sasinë e drogës, në sasi minimale. Pritet që vetëm pas përfundimit të afatit të ligjshëm për ndalimin e një personi të saktësohet dhe pozicioni i 28-vjeçarit në këtë çështje.

1.5 grame
kanabis sativa u gjetën në makinën në pronësi të familjes Ruçi, ku udhëtonte i biri, Ledian Ruçi, i ndaluar prej së hënës
nga Policia e Durrësit

Ruçi, tri herë në polici për 3 muaj
Ky është shoqërimi i tretë brenda pak muajsh që i bëhet djalit të kreut të Grupit Parlamentar të deputetëve të Partisë Socialiste brenda pak muajsh. Në nëntor të 2011-s, ai u përfshi në një aksident në Tiranë me pasojë vdekje, ndërsa u lirua pa asnjë problem, pasi prokuroria e kryeqytetit nuk e cilësoi atë si fajtor në përplasjen tragjike. Pesë ditë më parë, Policia e po këtij qyteti njoftoi se 28-vjeçari Ruçi u ndalua pasi po drejtonte mjetin e të atit të tij, eurosocialistit Gramoz Ruçi, me targa zyrtare, që nuk korrespondonte me dokumentacionin përkatës. I ndaluar në kohën kur ky mjet po udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, Ruçi nuk iu është bindur shërbimeve të Policisë për ndalim dhe verifikim të dokumentacionit te mjetit. Si pasojë, makina po mbahet ende e sekuestruar, fillimisht për mungesë dokumentesh e së dyti për shkak të akuzës së posedimit nga ana e drejtuesit të lëndëve narkotike.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura