Droga në Durrës, Policia: Po kërkojmë 3 të tjerë

Sep 20, 2012 | 14:48
Droga e bllokuar në Portin e Durrësit

DURRES – Policia e Durrësit po vazhdon përpjekjet për kapjen e tre shtetasve në kërkim, të cilët dyshohet të jenë të implikuar në trafikimin e sasisë së madhe të kanabisit që u bllokua mbrëmjen e së hënës në portin më të madh të vendit. Ndonëse në terren janë hedhur forca të shumta policie si dhe efektiva të Antidrogës, deri më tani raportohet se nuk dihet vendndodhja e tyre. Me anë të një njoftimi, shpërndarë për median, zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Ornela Cako, bëri të ditur se nga puna e deritanishme është bërë i mundur vetëm arrestimi i shtetasit Agim Sula, ndërsa po vijon puna për kapjen e tre bashkëpunëtorëve të tij. “Në vijim të punës, që lidhet me hetimin e rastit të trafikimit të sasisë prej 1024 kg kanabis sativa, nëpërmjet Portit të Durrësit drejt Italisë, u arrit të dokumentohet përfshirja në këtë veprimtari edhe e 4 personave të tjerë. Nga kontrollet e ushtruara në vijimësi, u arrestua në flagrancë një shtetas, si dhe u shpallën në kërkim dhe po vijojnë masat për kapjen e 3 personave të tjerë të përfshirë, gjeneralitet e të cilëve për shkak të hetimit mbeten anonime”, pohoi zëdhënësja. I arrestuar është shtetasi Agim Sula, 55 vjeç, banues në Manëz Durrës, në emër të të cilit ishte porositur ngarkesa në kamion. Policia ka shfajësuar nga të gjitha akuzat drejtuesin e trajlerirt, në të cilin u zbulua malli, ndërsa të gjitha këto akuza tashmë rëndojnë mbi 55-vjeçarin Sula dhe bashkëpunëtorëve të tij.                 l.m

© Panorama.al

Te lidhura