GJIROKASTER/ Ndalohen 21 të parët. “Po, shkojmë në fshat për hashashin”
Mëditësit e hashashit të Lazaratit deklarojnë hapur se udhëtimi i tyre në fshatin rebel ka pasur për qëllim kultivimin e kanabisit. Policia e Gjirokastrës vazhdoi dje aksionin në ndalimin e rrugëtimit të të tjerë individëve që kanë dashur të punojnë dhe shpërblehen nga lazaratasit, për punën që do të kryenin në mbjelljen e drogës dhe kultivimit të saj. Një aksion blic, i ndërmarrë në orët e mesditës së të premtes nga forcat e Policisë rajonale dhe atyre të FNSH së Fierit, ka shërbyer për bllokimin e mëditësve të hashashit, në një prej stacioneve të furgonëve të linjës Gjirokastër-Lazarat. Aksioni izoloi daljen e të gjithë furgonëve nga Gjirokastra në drejtim të fshatit, në orën 9:30 minuta, duke krijuar amulli në qarkullimin e automjeteve në zonën e poshtme të qytetit në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije, në zonën e quajtur “Postblloku”. Policia ka vëzhguar nga larg mbushjen e furgonëve dhe menjëherë ka ndërhyrë në momentin kur mjetet po bëheshin gati për nisje drejt Lazaratit. Në moment uniformat blu kanë ndeshur në rezistencën e drejtuesve të furgonëve, të cilët kritikuan qëndrimin e Policisë, duke u shprehur se pasagjerët janë të shenjtë dhe shërbimi i tyre është i domosdoshëm. Mirëpo kjo gjendje u superua menjëherë në momentin kur forca të shumta policie rrethuan vendstacionimin e furgonëve të Lazaratit. Të gjithë pasagjerët që ndodheshin në bordin e katër furgonëve, janë shoqëruar për në Policinë e Gjirokastrës dhe aty kanë dekonspiruar të gjithë planin e hartuar nga punëdhënësit e tyre në Lazarat. Në deklaratat e tyre, mëditësit e hashashit, shumica e të cilëve ishin burra në raport me ditën e djeshme që ishin gra, deklaruan hapur dhe pa ndrojtje se në Lazarat do të shkonin për të hapur gropa për kultivimin e kanabisit. Ishin këto deklarata të thëna në seri nga çdo intervistues mëditës, që vendosën në pozita pune punonjësit e Policisë së Gjirokastrës. Menjëherë uniformat blu ndërmorën një kontroll të dytë në të gjithë zonën e dyshuar ku transportohen mëditës të hashashit në Lazarat, me qëllim bllokimin e çdo materiali dhe fuqie punëtore për kultivimin e kanabisit në fshatin rebel. Sipas Policisë së Gjirokastrës, të 21 mëditësit kanë dhënë deklaratat e tyre që nuk do të punonin në parcela apo dhe kultivim të hashashit dhe, pas kësaj, janë lënë të lirë, ndërkohë që mendohet se disa prej tyre kanë vazhduar rrugën për në Lazarat me mjete të tjera transporti. Disa prej mëditësve të hashashit të cilët u privuan nga puna në Lazarat, ishin kontingjent i armatës së të papunëve që grumbullohen përditë në sheshin “Omonia”, në afërsi të zonës industriale të Gjirokastrës. Mjaft prej tyre janë të ardhur nga Elbasani dhe Cërriku, ndërsa pjesa tjetër nga Gjirokastra. Grupi i djeshëm i bashkohet atij të djeshëm, ku 100 individë, shumica gra, u ndaluan nga Policia e Gjirokastrës të rrugëtonin drejt Lazaratit.
Arrestimi
Blendi Lato, 30 vjeç nga Elbasani, me banim të përkohshëm në Gjirokastër, është arrestuar mbrëmjen e të enjtes nga uniformat blu, pasi u gjet me 100 gramë marijuanë. Drogën e kishte blerë në Lazarat për ta shitur në Gjirokastër te nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët.
GJIROKASTER/ PIRO NASE
© Panorama.al











