Konkurroi për herë të tretë në ”Top Fest” dhe filloi të bëhet i dashur për publikun shqiptar. Historinë e dy të rinjve të dashuruar që sapo ishin ndarë, e tregonte më mirë vetë djaloshi sharmant, Drilon Shala, me këngën ”Mos thuaj mbaroi”. Për herë të parë ka qenë pjesëmarrës me këngën “Ti, vetë jeta”. Në “Top Fest 7” është prezantuar si vokalist i një grupi me këngën “Macja e zezë”, ndërsa ishte një ndër konkurrentët gjysmëfinalistë te spektakli ”The Vocie”. Me çfarë po merret Driloni, i cili muzikën e ka pasion, ndërsa vetë punon në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, si dhe a ka ambicie për Eurosong-un, ai e tregon në këtë bisedë të shkurtër që kemi realizuar…
Drilon, me çfarë po merresh kohëve të fundit?
Unë sapo jam kthyer nga dy turet që bëra nëpër Shqipëri, njërin me “Summer Fest” të organizuar nga “Top Channel”, ku isha pjesëmarrës në koncertin e organizuar në qytetin e Vlorës (këndova dy këngë, këngën time të Top Fest 9 “Mos thuaj mbaroi” dhe një cover – HIM “Wicked Game”).
Gjithashtu në turin veror të organizuar nga TVSH-ja prezantova këngën time më të re, të titulluar “Më mungon”, një baladë pop-rock, e cila është krijim i imi, pra si kompozim dhe tekst, me orkestrim të Alfred Kaçinarit, këngë kjo të cilën ia kam dedikuar gjyshes sime që nuk jeton më. Këtë këngë e prezantova në 3 qytete, më saktësisht në Pogradec, Velipojë dhe Tiranë.
Ke ndërmend të bëhesh pjesë e ndonjë kompeticioni muzikor?
Tani planet e mia janë për të marrë pjesë ose te “Kënga Magjike” ose te festivali i fundvitit në TVSH, gjë të cilën do e bëj të ditur së shpejti…
Të përfaqësosh Shqipërinë në Eurosong e ke menduar ndonjëherë, mendon se kemi talente të spikatura për përfaqësim dinjitoz?
Po, s’do ishte keq. Mendoj që Shqipëria dhe Kosova kanë shumë talente që mund të korrnin suksese edhe më të mëdhaja në Eurosong, e pse jo edhe ta fitonin atë. Mirëpo e gjitha, sipas mendimit tim, ka të bëjë me rezultatin që del nga një bashkëpunim i saktë mes këngëtarit, kompozitorit, tekstëshkruesit dhe orkestruesit. Nëse këto elemente kanë kimi me njëra-tjetrën, atëherë suksesi nuk mungon…
Si duhet menaxhuar situata që të arrihet suksesi i Ronës në festivalin europian?
Sipas mendimit tim, është një pjesë e madhe e talenteve shqiptare që ndoshta nuk arrijnë të bëjnë një ndërlidhje të mirë të këtyre faktorëve, përndryshe suksesi nuk do mungonte. Shembulli konkret i Rona Nishliut sipas meje, ishte pa diskutim vokali brilant i Ronës, mirëpo në një pjesë të madhe edhe puna dedikuar realizimit të këngës dhe bashkëpunimi mes saj dhe aktorëve të tjerë të këngës “Suus”.
BLERAND REXHEPI











