Drenusha Latifi: Një muaj në Nju Jork me Fadil Berishën

Feb 11, 2012 | 13:52

Ishte nisur për një javë drejt Nju Jorkut, por ngeli atje më shumë se një muaj. Këngëtarja kosovare, Drenusha Latifi, është gjendur rrugëve të këtij metropoli për një muaj rresht për shopping dhe për punë. ‘’Jam nisur për një javë në Nju Jork dhe kam qëndruar një muaj’’,- thekson për qëndrimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bukuroshja Drenusha Latifi. ‘’Sa i përket Fadilit, është njeriu më i mirë që unë kam takuar deri më sot, është shumë pozitiv dhe gjithë shqiptarët që vizitojnë studion e tij, ai i ndihmon me të gjitha mundësitë që ka. Fadili më sugjeroi që të pushoj një ditë para fotosesionit, por unë bashkë me mikeshat e mia ishim jashtë deri në 5 të mëngjesit dhe në orën 10 e kishim caktuar orën për fotosesion. Në momentin e parë që më ka parë, e ka kuptuar që unë nuk kisha fjetur fare dhe më tha: “Drenusha, pranoje që nuk ke fjetur deri në mëngjes, unë nuk pranoj që para fotosesionit personazhi të jetë i lodhur’’, tregon Drenusha për eksperiencën gjatë fotosesionit me fotografin e njohur, Fadil Berisha. “Por falë talentit të tij, gjithçka shkoi mirë dhe unë jam e kënaqur me fotot e realizuara”, – përfundon ajo.

© Panorama.al

Te lidhura