Drejtori i Bitburger te “Birra Korça”: Më mahniti cilësia

Jun 6, 2012 | 14:49

“Të ardhme me sukses në tregun europian”

Werner Wolf: Investim gjigant. Vlerësime maksimale për “mbretëreshën shqiptare”

Birra “Korça”, ikona e investimeve të Shqipërisë, impresionon drejtuesit e fabrikave gjermane të birrës. Infrastruktura moderne, falë së cilës në duart e konsumatorit mbërrin një birrë me kualitet të lartë, i ka befasuar drejtuesit e birrës së famshme gjermane “Bitburger”.
Të shoqëruar nga vetë presidenti i kompanisë “IHB Group”, Irfan Hysenbelli, por edhe nga një pjesë e stafit të fabrikës, dy drejtuesit e birrës së njohur, e cila është dhe sponsore e skuadrës gjermane të futbollit, kanë vizituar të gjitha ambientet e saj. Ata kanë treguar interes të veçantë për mënyrën e prodhimit të kësaj birre, e cila në Shqipëri konsiderohet si mbretëresha. Ajo që është vënë në dukje prej tyre përtej vlerësimit për investimin, ka qenë shija e veçantë, e cila konsiderohet unike në historinë e fabrikimit të birrës. Drejtori ekzekutiv i “Bitburger”, Werner Wolf, në një intervistë për gazetën “Panorama” është shprehur se infrastruktura reflektohet më së miri në produktin përfundimtar, që është birra.
Sapo keni vizituar fabrikën “Birra Korça”. Si ju janë dukur ambientet e saj?

Presidenti i “IHB Group”, Irfan Hysenbelli, me drejtuesit e “Bitburger”, dje në ambientet e fabrikës “Birra Korça”

Dua t’i jap urimet e mia Shqipërisë për këtë investim sepse unë kam qenë këtu edhe më herët, diku nga viti 1997, dhe atëherë nuk ka pasur një investim madhor. Kështu që duhet të përgëzohet patjetër. Nga vizita ime këtu jam i mahnitur nga kualiteti, teknologjia dhe cilësia e saj.
Si e shihni investimin për tregun e birrës?
Natyrisht, këtu janë shumë para të investuara dhe jam i bindur që suksesi i saj do të jetë edhe në tregjet europiane. Përsa u përket investimeve, është një investim ndoshta më i madhi që unë kam parë në Shqipëri dhe me një cilësi shumë të lartë. Gjithçka ka qenë e shkëlqyer, madje edhe kushtet higjienike kanë qenë perfekte.
A e shijuat birrën? Ç’mendim keni për të?
Sigurisht, ne e testuam edhe birrën “Korça”, bëmë gëzuar me të dhe ishte e një cilësie të shkëlqyer. Ishte një birrë e standardeve europiane. Ka diferencë në shijen e birrës gjermane dhe asaj që sapo provova, por personalisht preferoj këtë birrë. Unë e kam provuar dhe me herët birrën “Korça” dhe e them natyrshëm: është birra më e mirë shqiptare, por jo vetëm.

“Birra juaj, e mrekullueshme”
Andreas Reimes, drejtor eksportesh i “Bitburger”, është shprehur optimist për birrën “Korça” duke e parë atë së shpejti si lidere në tregjet europiane dhe më gjerë.
“Përshtypjet e mia janë nga më të mirat. Unë jam për herë të parë në Shqipëri dhe jam i mahnitur nga ky investim. Ndihem i surprizuar me këtë teknologji, investim dhe standard europian. Mendoj se është investimi më i mirë që mund të ishte bërë, dhe Shqipëria zhvillohet nga investime të tilla”, u shpreh ai.
“Birra “Korça” ishte e mrekullueshme, unë e provova atë dhe më la një përshtypje të shkëlqyer. Ne vijmë nga vendi i birrës dhe birra “Korça”, pa dyshim, është më e mira në Shqipëri dhe do të konkurronte edhe tregun gjerman. Ndërkaq, do të doja që birra “Korça” të ishte lidere edhe në tregjet e tjera europiane në një kohë shumë të shkurtër”.

“Bitburger” dhe birra “Korça” së bashku

Gjatë takimit mes përfaqësuesve të birrës shqiptare dhe asaj gjermane

Të ftuarit nga Gjermania janë ulur në një tryezë të rrumbullakët së bashku me mikpritësin e tyre dhe disa nga punonjësit e fabrikës ku kanë diskutuar për mundësitë reale që birra gati 1-shekullore ta dominojë për një kohë të gjatë tregun. Përtej investimit madhor që është kryer në këtë fabrikë, ajo që vlen për t’u përmendur është ruajtja e origjinalitetit të saj. Ndërtesa e fabrikës “Birra Korça” me strukturë të veçantë dhe parametra bashkëkohorë mbetet pjesa që vizitohet më shumë në këtë qytet, pasi siç është treguar disa herë, itinerari i turistëve nis pikërisht këtu dhe nuk ka se si të mos vlerësohet ndërthurja e së vjetrës me bashkëkohoren. Historikut të kësaj birre tashmë janë duke iu shtuar edhe detaje të reja, gjurmë dhe mbresa të lëna nga vizitorët e shumtë që do të ruhen në një album, sepse janë të shumta dhe nuk mund të memorizohen.

Drejtori i fabrikës, Karavias: Rritje e eksportit në Europë
“Bashkëpunim me Bitburger-in në të ardhmen”

Dimitris Karavias

Drejtori i fabrikës “Birra Korça”, Dimitris Karavias e cilësoi ardhjen e drejtorit të Bitburger-it dhe përfaqësuesve të kompanisë gjermane si një ngjarje të shënuar për industrinë e birrës në përgjithësi dhe të birrës “Korça” në veçanti. “Vizita e tyre është inkurajim për birrën “Korça” sepse jo vetëm që tregon interes në rritje të industrisë së birrës europiane, por në mënyrë të veçantë të birrës “Korça”, që është emër shumë i madh në industrinë e birrës. Fjalët e mira që drejtori i Përgjithshëm i Bitburger-it tha për birrën “Korça” nuk janë përkëdhelje për birrën “Korça”. Ato janë një ambicie e qartë për birrën, për të rritur dhe standardizuar cilësinë, konkurrencën, klientelën e saj. Këto vlerësime janë për produktin që përbën legjendën e birrës shqiptare”, u shpreh Karavias. “Kemi projekte të qarta për ta eksportuar këtë birrë në Europë, sepse mbështetja e kompanive të mëdha, siç është dhe “Bitburger”, na nxit dhe inkurajon që ta rrisim eksportin në vendet e Europës. Është një vlerësim i madh që të bashkëpunojmë me kompaninë “Bitburger”. Drejtori i kompanisë “Bitburger” u shpreh me vlerësime për investimin gjigant, cilësinë e lartë dhe stafin e kualifikuar të fabrikës. Këto përbëjnë dhe shtyllat e bashkëpunimit tonë me kompaninë “Bitburger”.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura