Drejtori i ACR në minierë, Nikollaj lihet jashtë porte

Aug 23, 2011 | 10:36
Giga Bedineishvili, administratori i ACR-së, dje në Bulqizë

Ndodhi ashtu siç kishte paralajmëruar Konfederata e Sindikatave. Minatorët e Bulqizës u janë rikthyer protestave si mënyra e vetme për zgjidhjen e kërkesave të tyre, pasi nuk po arrihet ende nënshkrimi i marrëveshjes mes kompanisë së huaj dhe minatorëve.Kushtëzimi që ACR-ja ka për mosnjohjen e presidentit të KSSH-së, Kol Nikollaj, mbetet pika kyçe e mosmarrëveshjeve ACR-minatorë. Giga Bedineishvili, administratori i ACR-së në vendin tonë, nuk e ka pasur problem të ripërsërisë deklaratën e tij se nuk ulet në bisedime me Kol Nikollajn. Kronologjia e rinisjes së protestave në qytetin e minatorëve është e ndryshme nga ditët e mëparshme.
Rreth orës 06:00, Giga Bedineishvili, Medat Zogu dhe grupi që e shoqëronte, kanë hyrë në zyrat e ACR-së, ndërkohë që minatorët kanë mbërritur në piacale gjysmë ore më vonë. Ata nuk janë penguar nga rojet e sigurisë së objekteve, ndërkohë kanë mësuar lajmin se brenda zyrave ndodhej administratori i ACR-së. Bashkë me rojet e sigurisë së objekteve te porta kryesore e minierës janë instaluar edhe forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, të paktën 20 forca të tilla, ndërkohë shumëfishi i forcave të tjera të policisë qëndronin në hyrje të pusit nr. 1, aty ku ishin ngujuar minatorët dhe brenda territorit të minierës së kromit. Në orën 07:20 kanë mbërritur pranë minierës edhe drejtuesit sindikalistë të protestave, Kol Nikollaj, Taf Koleci e Ferit Duka, por ata nuk janë lejuar të hyjnë në mjediset e ACR-së. “Kemi urdhër nga drejtuesit e minierës që ju të mos hyni në mjediset e ACR-së”, janë shprehur shkurt rojet dhe policia. Nikollaj është shprehur se ai është dhe nënkryetar i bordit të punës në MPÇS, mirëpo këtë fakt askush nuk e ka marrë në konsideratë.

Kol Nikollaj pas portës së minierës, i bllokuar nga rojet

Minatorët e pranishëm dhe familjarët e tyre janë rrekur të ndihmojnë krerët sindikalistë të bashkohen me ta, por kjo nuk është bërë e mundur. Të gjendur në këto kushte, minatorët kanë shpërthyer në brohoritje: “Duam të drejtat tona”; “Plotësoni kërkesat ekonomike”, “Kola, Kola” etj. Administratori i ACR-së ka dalë në piacale, duke tentuar një takim me një përfaqësi minatorësh, por kjo nuk është pranuar. Minatorët kanë kërkuar që çdo marrëveshje të nënshkruhet në prani të Kol Nikollës, presidentit të Konfederatës, si i zgjedhuri i tyre. Situata ka agravuar më keq kur punonjës të administratës kanë vazhduar me ritin e mëparshëm duke shpërndarë fletushka për minatorët, ku u bënin të njohura kushtet e ofruara dhe faktin se nesër, në orën 07:00 minatorët ftoheshin në nisnin punën. “Ky është një shantazh i madh për minatorët. Ne nuk pranojmë kushtet e deklaruara nga ACR-ja. Në këto fletushka thuhej se kompania na siguron vetëm rritjen e pagës 20 për qind dhe transparencë të investimeve, ndërkohë kërkesat tona janë më shumë”, u shprehën ata. “Është dita e parë pas 49 ditësh që Medat Zogu na del para syve, madje kërkon të na provokojë për incidente. Ai ta harrojë se do të ketë marrëdhënie korrekte me ne minatorët. Zogu është strumbullari i gjithë kësaj situate. Nuk ka për të arritur kurrë të ndalë lëvizjen sindikaliste dhe të emërojë drejtuesit e Sindikatës së Minatorëve”, tha për “Panoramën” Taf Koleci, president i Konfederatës së Industrisë. Sipas tij, minatorët po kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje, duke pasur në krye të tyre një sindikatë të ligjshme, ndërsa të huajt, në bashkëpunim me mbështetësit e tyre në Bulqizë, duan të shuajnë Sindikatën. Tentuan të hyjnë në bisedime me njerëzit e Gëzim Kalasë dhe dështuan. Kështu do të dëshirojnë deri atëherë kur ACR-ja të nënshkruajë marrëveshjen me këshillin sindikal të minatorëve, e vetmja sindikatë që ka kontratë kolektive me firmën koncesionare”, deklaroi Koleci.

“Protesta” e Bedineishvilit në Bulqizë

Ka krijuar ilaritet te minatorët fjala dhe thirrjet anti-Nikollaj e administratorit të ACR-së, Bedineishvili, sidomos thirrjet e tij: “Bulqiza, Bulqiza” dhe “Jo Kola, jo Kola”. Ai pretendon se shumica e minatorëve janë në mbështetje të firmës “ACR” dhe se një pjesë e vogël e tyre mashtrohen nga Kol Nikollaj. “Në sheshin e minierës ka rreth 100 minatorë që janë në mbështetje të Kol Nikollës dhe që janë duke dhënë mesazhet e tyre, ndërkohë që janë edhe 500 minatorë të tjerë, të cilët nuk ndodhen këtu dhe janë të gatshëm të fillojnë punë. Kjo situatë duhet të ndryshojë në Bulqizë, ku forcat në minorancë përpiqen me anë të presioneve të mbizotërojnë mbi maxhorancën”, nënvizoi administratori i firmës së huaj. Ai shtoi se kompania ka garantuar tri nga kërkesat e minatorëve, siç janë, rritja e pagës 20%, përmirësim i kushteve të punës dhe transparenca në planin e investimeve, se janë tri kërkesa të firmosura nga kompania në mënyrë të njëanshme të pranuar nga kompania dhe se të tria kërkesat do të implementohen menjëherë, mjafton të kthehen minatorët në punë”, deklaroi Bedineishvili.

Minatorët refuzojnë pilafin e Bedineishvilit

Në pamje të parë duket si diçka ironike, por ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Bulqizë. Njerëzit që shoqëronin administratorët e ACR-së, Gigën dhe Medat Zogun, u janë afruar minatorëve që po konsumonin mëngjesin në dy klube që ndodhen ngjitur me minierën dhe u kanë thënë pronarëve të tyre se pilafi është i paguar nga administratori. Dikush ka menduar se çdo mëngjes mund të ndodhte kështu, kurse të tjerë që kanë kuptuar se bëhej fjalë vetëm për mëngjesin e djeshëm, e kanë refuzuar qerasjen e Giga Bedineishvilit dhe Medat Zogut dhe kanë paguar

Kërkesat e minatorëve

• Rritja e pagës me 20%

• Kryerja e investimeve në puset e thellimit
16-21

• Heqja e taksës së sheshtë

• Largimi i drejtorit të minierës, Medat Zogu

• Përmirësimi i kushteve të punës në minierë

• Largimi i subjekteve
të tjera nga territori i ACR-së

Kushtet e ACR-së

• Rritje e pagës bruto me 20%

• Mundësimin e transparencës në realizimin e investimeve të parashikuara në kontratën e koncesionit

• Përmirësimin e kushteve të punës

• Largimin nga drejtimi i Sindikatës të Kol Nikollajt

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura