
Adebajo humb ndjenjat pas një përplasjeje me Plakun.
Adebajo Adigun është duke luftuar me vdekjen. Mbrojtësi nigerian i Bylisit pësoi një goditje të rëndë në ndeshjen kundër Skë-nderbeut, e cila u luajt në Vlorë, goditje e cila i ka rrezikuar jetën. Në minutën e 62-të të ndeshjes Bylisi-Skënderbeu, një përplasje mes sulmuesit Plaku dhe mbrojtësit Adigun ka sjellë ankth dhe kaos në fushën e lojës. Lojtari nigerian i Bylisit është shtrirë në tokë, pasi gjatë dyluftimit u godit me bërryl nga sulmuesi i Skënderbeut. Për momentin u duk se nuk ishte diçka shqetësuese, por me kalimin e sekondave dhe pas ndihmës së parë të mjekëve, situata u bë aq alarmante, saqë edhe autoambulanca u kap e papërgatitur. Ndërhyrja e mjekëve të të dyja skuadrave ishte e menjëhershme, në një kohë që në fushë zbriti edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. “I kishte ikur gjuha brenda. Ia nxora menjëherë dhe shkova të merrja pak ujë, por i iku sërish gjuha brenda dhe m’u desh ta ndihmoja sërish”, – ka shpjeguar presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Ky i fundit është parë edhe nëpërmjet kamerave, kur është detyruar t’i bëjë masazh kardiak futbollistit. Lojtari ka përfunduar në spitalin e Vlorës, ku i është dhënë ndihma e parë. Drejtuesit e Bylisit pretendojnë se shërbimi nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Pas disa ekzaminimeve, është dalë në konkluzionin se lojtari ka pësuar një goditje në fyt dhe ka rënë pa ndjenja. Pas ndihmës së shpejtë, ai është lënë i lirë, me bindjen se nuk bëhej fjalë për ndonjë shqetësim serioz. Adebajo i është bashkuar skuadrës pas ndeshjes dhe, sapo ka mbërritur në Ballsh, ka humbur sërish ndjenjat. Zyrtarët e klubit e kanë çuar menjëherë në spital, por mjekët i kanë rekomanduar që ta dërgonin me urgjencë në Fier. 21-vjeçari është dërguar për në spitalin e Fierit pa ndjenja dhe, kur ka mbërritur aty, mjekët u kanë sugjeruar drejtuesve të klubit që ta nisnin menjëherë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës, pasi gjendja ishte kritike. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes ai është nisur drejt Tiranës, duke u mbajtur me oksigjen. Gjatë udhëtimit për në Tiranë, futbollisti nigerian është përmendur disi. Ish-portieri Egbo, që sot është pjesë e stafit të Bylisit, ka pohuar se lojtari nuk mbante mend asgjë. “Mban mend deri në momentin e dëmtimit. Nuk i kujtohen as vizitat në Vlorë dhe as udhëtimi në Ballsh. Ishte me të vërtetë në gjendje shumë të rëndë, ndaj jemi të alarmuar”, – ka thënë Egbo për mediat.
Vonohet ambulanca, mungon shoferi
Ambulanca dje në stadiumin e Vlorës është vonuar, sepse shoferi nuk kishte qenë aty në momentin që ndodhi përplasja mes Adigos dhe Plakut. Kështu njoftojnë zyrtarë të klubit ballshiot, sipas të cilëve, e gjithë kjo ka ndodhur për një papërgjegjshmëri të shoferit të automjetit. Gafa nis që me faktin se ambulanca nuk ndodhej brenda stadiumit, por jashtë saj. Atëherë kur është dashur që ajo të vinte sa më parë të mundej, është vënë re se mungonte shoferi. Pas kësaj është dashur të thyhet dera e automjetit dhe më pas makina të vihej në lëvizje. Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse është vonuar makina e ndihmës së shpejtë.
Superiore
Java 3-të
TË PREMTEN
Teuta-Tirana 1-1
Deliallisi 6’/ Ahmataj 64′
TË SHTUNËN
Apolonia-Kukësi 0-0
Bylis-Skënderbeu 1-1
K.Arbri 90’/ Pejiç 70′
SOT
Tomori-Flamurtari 14:00
Shkumbini-Besa 14:00
Vllaznia-Luftëtari 17:00
NESËR
Laçi-Kastrioti 14:00
Renditja
Nr. Ekipi ND P
1. Skënderbeu 3 7
2. Tirana 3 7
3. Besa 2 4
4. Luftëtari 2 4
5. Kastrioti 2 4
6. Laçi 2 4
7. Teuta 3 4
8. Kukësi 3 3
9. Bylis 3 2
10. Apolonia 3 2
11. Flamurtari 2 1
12. Vllaznia 2 1
13. Shkumbini 2 0
14. Tomori 2 0
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











