Drama pa katarsis e ligjit të dosjeve

Apr 2, 2015 | 12:28
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

   Një ndër kauzat më të mëdha e më të ndjeshme të shoqërisë postkomuniste…shqiptare – hapja e dosjeve dhe Lustracioni i shoqërisë – po shpartallohet trishtueshëm e në mënyrën më banale në kuotën e demokracisë ala shqiptare të vitit 2015. Pesëmbëdhjetë vjet pas rënies së diktaturës komuniste, përbëjnë një hark kohor më se të mjaftueshëm, përgjatë të cilit ne i kemi pasur të gjitha mundësitë e ndarjes definitive me fantazmat e së shkuarës, me fajësinë e padurueshme të krimeve monstruoze që përlyenin gjithë qytetarët shqiptarë dhe, më së fundmi (jo nga rëndësia), të nxirrnim një mësim të madh moral, me vlerë historike nga përvoja jonë e hidhur në të mirë të së ardhmes dhe brezave që vijnë. Kjo mundësi pesëmbëdhjetëvjeçare vdiq dje – aty ku kanë vdekur përgjithësisht të gjitha kauzat e mëdha kombëtare e shoqërore – në Kuvendin e Shqipërisë! Akti qe i shkurtër. Thjesht një seancë e Komisionit të Ligjeve, punimet e së cilës u zhvilluan në një stil gjysmë ilegal, mes një atmosferë tejet të shpërqendruar politike, në një Parlament të bllokuar nga shou mediatik i krimit dhe korrupsionit parlamentar, me episode të ngjashme si në filmat e Martin Scorsese- s mbi mafien. Spikama e formatit të personazheve dominuese në situatën e nxehtë (Doshi, Frroku, Meta, Bami etj.) e eklipsuan edhe një herë çështjen e ligjeve mbi hapjen e dosjeve, në një sallë të dominuar nga maxhoranca, pa praninë e përfaqësuesve të interesit, shoqatave apo instituteve.
Maxhoranca në Komision kaloi Ligjin e aksesit për informim të qytetarit me dosjen personale, kush ka pasur një të tillë nga Sigurimi i Shtetit, ose, siç njihet shkurt, Ligji Veliaj i Hapjes së Dosjeve. Meqenëse është folur mjaft rreth këtij ligji të hartuar nga qeveria e maxhoranca, fill pasi në Parlament qe depozituar nga shoqëria civile Ligji i Lustracionit, ne do të përqendrohemi shkurtimisht, thjesht e me pak fjalë të prezantojmë thelbin e këtij Ligji dhe mandej të argumentojmë se pse Ligji Veliaj është ligji i Mbylljes së Dosjeve, degjenerimit përfundimtar të tyre, ndotjes definitive të këtij diskursi madhor e moral për shoqërinë tonë.
I porositur, siç thamë, me ngut të madh (siç beh rëndom mendimi i lig sherrxhi për t’iu kundërvënë suksesit të mundshëm të dikujt), ligji u shkrua nergut dhe iu dha z. Erion Veliaj ta depozitojë në Parlament me emrin e iniciativën e vet dhe ta trumbetojë me të madhe si Ligji “gjerman” i Hapjes së Dosjeve. Ligji Veliaj plasi si epidemi nëpër media, studio, tubime e turne në terren rretheve të Shqipërisë, duke përsëritur deri në absurd atributin kinse të tij: ligji “gjerman”, stili “gjerman”, modeli “gjerman…”, fryma “gjermane”, aq sa në këtë refren papagalli ranë edhe disa gjermanë simpatish të majta… Nuk do të hyjmë në hollësi krahasuese midis Ligjit gjerman dhe Ligjit Veliaj, që pretendon se është “gjerman”. Ne do të ndalemi në disa pika të dallueshme edhe për qorrat:
1. Ligji gjerman u krye paralelisht me Lustracionin që në fillim të zbatimit të tij, sidomos kur në periudhën pas lëvizjes qytetare (1990), deri në vitin 1992 këmbeu elitat politike e intelektuale të ish-RDGJ-së, kohë në të cilën elitat e komprometuara me hierarkinë e lartë komuniste të udhëheqjes dhe strukturat e bashkëpunëtorë të STAS-it u larguan nga funksionet politike e publike, për t’u mbyllur në sferën e aktivitetit privat. Më tej, ligji ka vazhduar me amendime e përplotësime në detaje të imëta deri në vitin 2013, duke ua bërë të pamundur ligjërisht njerëzve të komprometuar me diktaturën riciklimin e tyre në pushtetet politike e publike. Pra, qytetarët kishin të drejtë të njiheshin me dosjet e tyre, por nga ana tjetër Autoriteti garantonte që kandidatët e komprometuar në të shkuarën me STAS-in dhe hierarkinë udhëheqëse të komunizmit do të dekonspiroheshin publikisht. Në këtë pikë, ligji “Veliaj” s’ka asgjë të përbashkët me të për nga qëllimi.
2. Ligji gjerman e sheh hapjen e dosjeve dhe dokumenteve sekrete si një akt të rëndësishëm për njohjen e diktaturës, ndonëse ato nuk janë i vetmi mjet. Ligji shqiptar “Veliaj” jep vetëm një akses të mjerë personal për të parë se çfarë ka në dosjen e tij dhe asgjë më shumë.
3. Ligji gjerman i obligon institutet shtetërore për të kontrolluar të dhënat e personit që rekrutohet në staf, pavarësisht deklaratës së detyrueshme që çdo punonjës duhet të paraqesë në togun e dokumenteve të detyrueshëm për “pastërti të figurës”. Ligji “Veliaj” as që e vë këtë ujë në zjarr.
4. Ligji gjerman e garantonte hapjen e dosjeve dhe dokumenteve sekrete për t’i shërbyer personit dhe publikut, që të njihen me krimet e diktaturës komuniste, duke mbajtur qëndrim ndaj persekutorëve dhe bashkëpunëtorëve të STAS-it, sikundërse ndaj hierarkëve komunistë (sekretarët e partive), duke mos i zgjedhur në asnjë funksion shtetëror e publik. Ligji kinse gjerman “Veliaj” e ka mprehur synimin vetëm te bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, ato që në slangun popullor quheshin “80 lekësha” dhe nuk i sekëlldisnin fare hierarkët ish-komunistë, ish-ministrat, ish-sekretarët, ish-kryetarët e Frontit apo të levave të tjera të PPSH, sikundërse as drejtuesit dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit me ish-hetuesit, ish-prokurorët, ish-gjykatësit etj…
Pra, ligji kinse gjerman “Veliaj” bën vetëm një gjë: të mundëson, me gishtin ndër buzë (shëshshsht!) të shohësh, në mirëbesim, vetëm dosjen tënde dhe… të heshtësh përjetë… ta mbyllësh gojën gjer në varr! Për Lustracion as që bëhet fjalë!
Ndërkaq, e kemi thënë tashmë, se Ligji i Lustracionit, i hartuar nga z. Aleksandër Meksi në konsultim të gjerë dyvjeçar me juristë shqiptarë, gjermanë, polakë e çekë, u hodh poshtë. Ky Ligj Lustracioni që i kishte të gjitha elementet për një qasje definitive ndaj të shkuarës së errët komuniste, ndonëse u depozitua i pari në Parlament në emër të shoqërisë civile (duke iu hequr emri i hartuesit të tij), u hodh poshtë, në të mirë të ligjit të paraporositur qeveritar – ligjit kinse gjerman “Veliaj”. Deputetët e maxhorancës e hodhën poshtë Ligjin e Lustracionit, me argumentin se gjoja “ligji bie ndesh me Kushtetutën”, pa pritur aspak që për këtë të shprehej, siç i takon me kompetencë ligjore, Gjykata Kushtetuese! Në fakt, qeveria kishte nxjerrë disa ditë para se të shtroheshin për diskutim dy p/ligjet një farë lajmi në media, disi të druajtur, e nxitimthi, me dy-tre rreshta, ku bëhej me dije se ekspertë të OSBE e kanë konsideruar p/ligjin e Lustracionit si “antikushtetues”. Vini re: përsëri nuk shprehet Gjykata Kushtetuese, e cila ka tagrin e argumentimit, por OSBE, çka nënkupton se, meqë e ka thënë OSBE, s’ia vlen mundi më t’i drejtohesh Gjykatës Kushtetuese! Por një interesim i thjeshtë telefonik i yni me zyrën e OSBE, nëse mund të na e konfirmonin zyrtarisht deklaratën që kanë dhënë ekspertët e tyre mbi pavlefshmërinë dhe antikushtetutshmërinë e p/ligjit të Lustracionit, ata na u përgjigjen se nga ana e tyre nuk rezulton të ketë dalë një lajm i tillë. Pra? Dikush ka marrë kompetencat për ta përfaqësuar “në mirëbesim” OSBE-në për t’iu kundërvënë fiktivisht Ligjit të Lustracionit në emër të një organizate me prestigj dërrmues, pa autoritetin ligjor vendimmarrës.
Kështu, ligji kinse gjerman “Veliaj”, që synon t’i mbyllë përgjithmonë dhe ato pak Dosje dhe dokumente sekrete të Sigurimit të Shtetit, konsiderohet thuajse i miratuar në Parlament. Ka mbetur thjesht çështje procedure. Maxhoranca dërrmuese sigurisht që do ta miratojë ligjin e porositur prej saj me “axhele”. Kështu do t’i vihet kapak kauzës madhore të Dosjeve, transparencës dhe Lustracionit të shoqërisë për t’u amnistuar njëherë e përgjithmonë krimi, kriminelët dhe trashëgimia e restauruar komuniste në duart e pinjojve trashëgimtarë. Sidoqoftë, se çfarë është në thelb Ligji Veliaj i Mbylljes së Dosjeve, do mundohemi ta përcjellim përmes një analogjie, qëllimisht të trashë, porse boll të prekshme:

Imagjinoni se keni para jush një bashkëshort në moshë tashmë të shtyrë. Ju e njihni këtë bashkëshort, sepse keni dëgjuar që në vegjëli për brengën dhe traumën që ka bartur ai me dekada tok me të shoqen, e cila pjesën më të madhe të jetës e kalon nëpër pavijonet psikiatrike. Dikur, në muajin e tyre të mjaltit ka ngjarë tragjedia e tyre: një bandë burrash të dhunshëm e kanë përdhunuar të gjorën deri në zali. Pas kësaj ngjarjeje, gruaje e re nuk qe më në gjendje të vijë plotësisht në vete, andaj trauma më e madhe, ajo e vetëdijshmja, i kaloi të shoqit, i cili me dhjetëvjeçarë e shoqëroi nëpër spitalet psikiatrike, gjithnjë me shpresën e shërimit të saj dhe me shpresën e shpagimit ndaj personave të panjohur që ia bënë atë gjëmë. Mirëpo, një ditë dhjetori, krejt befas këtë zotëri me moshë të thyer e ndalon në rrugë një çunak me kollare ala komsomolas.

– Mirëdita xhaxha! – i thotë.
– Mirëdita… – thotë plaku.
– Ju jeni filani, – i thotë komsomolasi, – e di… jam në dijeni të plagës që bartni përbrenda me vite e vite, qysh kur ju ndodhi…
– Kush je ti, mor bir? – pyet plaku.
– Ndiqmëni xhaxha! Unë do t’ju tregoj shkaktarët e vërtetë të fatkeqësisë suaj më të madhe, e cila ju ka shkatërruar jetën tuaj bashkëshortore. E kam këtë mundësi.
Dhe plaku, aspak indiferent për fjalët që i thotë tipi komsomolas, e ndjek pas në zyrë, duke mërmëritur me vete “pa të shohim”…
Plaku ulet ku i thonë dhe pret me se do ta habisin. Tipi ala komsomolas ka zbritur nga raftet një dosje të pluhurosur e të lidhur fjongo. E hap, shëtit sytë, kthen disa fletë dhe ia vë përpara plakut, duke ia kallëzuar me gisht katër emrat:
– Ja, pra, xhaxho, janë këta katër të poshtër përdhunuesit e gruas suaj të gjorë këtu e sa vjet më parë. Ja ku i keni emrat e tyre: filani, filani…. Doni t’i dini rrethanat, planin, pritën, hollësitë?
– Jo, – thotë plaku, duke mbyllur kapakët e dosjes. – I fiksova emrat… m’u gdhendën në tru. Rrofsh o bir, po a s’më thua, si mund t’i gjej këta dinsëszë? Deri më tash isha mirë, se nuk ua dija emrat, i kisha turbull, pa trajtë, pa fytyrë, pa emra… por tani… s’më thoni dot se ku t’i gjej?
– Aha, kollaj fare xhaxha… Që të katër janë njerëz të mëdhenj, në poste shumë të larta… njëri është në Gjykatën e Lartë, tjetri deputet në Parlament, i treti është miliarder, kurse i katërti… as… guxoj ta them dot.
– Po atëherë pse m’i tregove emrat e tyre? – revoltohet plaku. – Çfarë mund t’u bëj unë atyre?
– T’i rruaç për mëngjes, xhaxha, – thotë komsi me kollare.
– Po pse m’i kallxove?
– Se kështu thotë ligji, xhaxha, ligji i ri i shtetit që e kam hartuar unë, – justifikohet me krenari komsomolasi ynë.
– Cili ligj, more?! Ç’parashikon ai ligji yt? Pse nuk ua hidhni prangat?
– Jooooo xhaxh, jooo… ule zërin, ule… shëshshsht! – vë gishtin në buzë komsi ynë dhe i shkel me finokëri syrin. – Ky informacion ishte i rezervuar vetëm për ju, tek pullë, dhe kurrë të mos e marrë vesh njeri tjetër!
– Po ligji?! Po prangat?! – sa nuk ulërin plaku i përndezur nga zemërimi.
– Shëshshsht, xhaxho, ule zërin, të lutem… qetësohu… dhe tani dëgjo: ne jemi shtet i lirë, demokratik, që ruajmë dhe respektojmë të dhënat intime, personale. Kaq kishim për detyrë t’jua themi, thjesht mbase juve ju intereson t’i njihni nga afër përdhunuesit e gruas suaj… të shkretë. Kaq kam në dorë unë si ministër hartues i këtij ligji.
Brenda kësaj analogjie do ta gjejnë veten të gjitha viktimat e komunizmit, njerëz të survejuar, të dënuar, të spiunuar. Ligji i Veliajt ua jep mundësinë ta njohin fytyrën e keqbërësit, e cila deri dje ishte abstrakte, ndërsa tani bëhet konkrete, e mishëruar me një qenie me emër e mbiemër, për të cilët ligji i Veliajt nuk parashikon as edhe një masë. Maksimumi i mundshëm që mund të nënkuptojë ky ligj, është ky: “Nëse dëshironi të kini turp, kini! Nëse nuk dëshironi, mos e vrisni mendjen!”
Por, po të kemi parasysh se para disa ditësh një gazetë e përditshme botoi një speciale të z. Aleksandër Meksi, ku dëshmon me dokumente autentike urdhrat e ish-ministrit të Brendshëm të diktaturës në vitin 1990 për zhdukjen e 29 mijë dosjeve të periudhës 1982- 1992, bëhet e qartë se sa shumë është kujdesur nomenklatura për ta pastruar veten dhe ata persona të përpunuar, do t’i riciklonte në demokraci si elita politike në spektrin e partive tona. Është e qartë se spastrimi i dosjeve ka vazhduar, kryesisht për ata aktorë të sotëm të politikave dhe zotëruesve të monopoleve ekonomike-arsimore e kulturore. Dhe, nëse hapen ato dosje të mbetura, le të ngushtohet sfera e tyre te ca mjeranë me njolla në biografi, mbi të cilën u lëshua egërsia e makinës së regjimit, për t’i thyer me çdo kusht (sepse ato që nuk thyheshin, kalonin nëpër të gjitha nivelet e lebetisë). Kështu, ligji Veliaj drejtohet vetëm ndaj këtyre mjeranëve, shkallares më të fundit e më minore të diktaturës, dukje mbrojtur bishat e vërteta, Komitetin Qendror të PPSH-së, komitetet e partisë nëpër rrethe, të gjithë kuadrot e ministrive, gjithë establishmentin e propagandës, shtypit, Sigurimit, instituteve, Lidhjes së Shkrimtarëve, Akademisë, Kinostudios, Ushtrisë etj. etj.
Dhe, kur Ligji Veliaj i Mbylljes së Dosjeve do të hapet për këta mjeranë, shërbëtorë të dobët e fatkëqij, atëherë do të duken dhe frutat e hidhura të kësaj stine mashtrimtare: trashëgimia enveriste e veshur me petkun e sjelljes liberale “polikorrekte”, me nënqeshje e cinizëm do të nisë të pëshpërijë gjithë e më fort, deri të sokëllijë, se “ja, dikur shoku Enver i pati konsideruar këto klasa si fundërrinat e historisë. Ne nuk i besuam, por ke parë ti që shoku Enver paskësh pasur të drejtë! Ja, Dosjet u hapën dhe, shihini vetë, kush paskan qenë, ata për të cilët ndienim dhimbje, mëshirë, keqardhje… Njerëz të ulët, që spiunonin njerëzit e tyre”. Ligji Veliaj i Mbylljes së Dosjeve po përgatit ridënimin, rideklasimin e krundeve të diktaturës, për t’ia mveshur mandej këtë imazh gjithë klasës martire, që duroi peshën e dhunës më të egër, gjenocidin stalinist shqiptar për një gjysmë shekulli.
Në tragjedinë antike greke, të gjitha dramat e Sofokliut, Euripidit apo Eskilit kur viheshin në skenë, kryenin funksionin më të rëndësishëm artistik (estetik dhe edukativ) – katharsis-in aristotelian: njeriu, duke e përjetuar intensivisht dramën në gjithë trajektoren e saj, me kulmin dhe zgjidhjen, filtrohej shpirtërisht përmes perdes së valë të lotëve. Ky ishte katharsis-i, pastrimi. Dosjet e komunizmit te ne duhet të përmbushin pikërisht këtë rol, pastrimin tonë të dhimbshëm nga e keqja, dhe ky proces është një pasurim i madh shpirtëror e moral, me vlerë për të nesërmen.
Ligji i Dosjeve “Veliaj”, që po miratohet në Parlament, është tallje me dramën e vërtetë shqiptare. Ky ligj synon që tragjedinë tonë ta vërë në skenë si komedi. Se një tragjedi pa katharsis është më keq se një komedi. Një vodëvil i neveritshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura