Drama e deputetit: Grekët vranë 28 pjesëtarë të familjes sime

Oct 13, 2016 | 11:48

Deputeti Tahir Muhedini e ka nisur fjalimin e tij duke treguar dramën e familjes së tij në Çamëri.

Deputeti i PDIU-se, Tahir Muhedini
Deputeti i PDIU-se, Tahir Muhedini

Një ditë pas vizitës së kryeparlamentarit Meta në Greqi, Muhedini tregoi për herë të parë se në vitin 1944 28 familjarë të tij u masakruan vetëm se ishin shqiptarë.

“Unë jam Tahir Muhedini. Do pyesni veten me të drejtë: pse e prezantoj unë veten sot, kur nuk jam i panjohur për ju? Arsyeja është e thjeshtë. Kam lindur në Tiranë nga një familje me shumë pak anëtarë sepse 28 prej tyre, u therrën në një ditë, në 27 qershor 1944. Nga familja e nënës sime me dhjetëra të masakruar. Kam lindur në Tiranë dhe nuk kam arritur të vendos kurrë një tufë me lule në varret e të parëve të mi. Çfarë ka ndodhur në familjen time? Unë nuk e kam thënë kurrë në Parlamentin shqiptar”, tha Muhedini.

Sipas tij “ky gjenocid ka nisur në shtëpinë time. 27 qershori ka ndodhur në shtëpinë e Sali Hafuz Muhedinit. Unë jam nipi i Sali Muhedinit. Ata u vranë në Çamëri se ishin shqiptarë, siç mund të ishin vrarë gjyshërit e çdo shqiptari po të kishin lindur në Çamëri. këta njerëz u vranë se ishin shqiptarë si ju, nuk mohonin kombin si disa nga ju. Ne si shqiptarë kemi disa detyrime, ne nuk duhet të ulim stekën që vendosi komisioneri Hahn. Unë jam vendosur që në shenjë respekti ndaj jush të shkoj dhe të vendos një tufë me lule në varret e gjyshërve të secilit prej jush. Këtë respekt po pati kohë ndonjëri nga ju të ma vlerësojë, por varrin e gjyshit tim nuk keni ku ta gjeni”.

© Panorama.al

Te lidhura