Seria A ka njohur edhe “Mbretin Luan”, ish-bomberin e frikshëm të Fiorentinës, Romës dhe Interit, përveçse të Kombëtares së Argjentinës. Aktualisht ai punonte si analist futbolli në televizionet e vendlindjes së tij, por prej disa kohësh po has probleme të shumta shëndetësore. Gjunjët duket se nuk i mbajnë më një prej ikonave dhe golashënuesve më të mirë të Serisë A, i cili në një intervistë të lëshuar për “Gazzetta dello Sport” tregon se nuk mund të qëndrojë më shumë se 30 minuta në këmbë. Origjina e problemeve të tij është e largët, si rrjedhojë e shiringave të shumta që kanë shpuar gjunjët e tij gjatë kohës që ishte në aktivitet. Dhimbjet sa vijnë e bëhen më të forta, por ç’është më e keqja, forca në këmbët e tij sa vjen e zbehet, duke rrezikuar edhe një paralizë. Ndërkaq “Bati-gol” pohon se ka bërë vizita të shumta te mjekët, por ende nuk ka gjetur kurën e shërimit.











