
Komisioni i Ligjeve iu rikthye dje axhendës së tij normale të punës pas disa mbledhjesh radhazi të zhvilluara për zgjedhjen e kreut të shtetit. Por, megjithëse në rendin e ditës ishte për shqyrtim propozimi i Grupit Parlamentar të PS-së për shfuqizimin e moratoriumit të skafeve, deputetët nuk i shpëtuan debatit të nisur prej javësh për Presidentin. Gjatë debatit mbi procedurën e shqyrtimit të nismës së opozitës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, tha se opozita vazhdon ta ketë mendjen akoma te zgjedhja e Presidentit edhe më shumë se 15 orë pas përfundimit të seancës parlamentare. “Nata është këshilltari më i mirë. Ju nuk e keni shfrytëzuar as natën për këtë punë. Mbaroi zgjedhja e Presidentit, nervozizmin nuk e sjellim dot sot, sot është ditë e re”, u shpreh Rusmali. Por, nënkryetari socialist ia ktheu duke thënë se brenda maxhorancës, kryetari i Komisionit nuk e donte zgjedhjen e Nishanit President. “Lëre këtë. Po të jetë për t’u nervozuar, personi më i nervozuar, Ilir, je ti për çështjen e Presidentit, se ke arsye personale. Ne nuk kemi arsye personale, i kemi politike”, iu përgjigj Xhafaj, duke shtuar jo pa ironi se Kryeministri Berisha i kishte lënë detyrë Rusmalit të gjente edhe se kush ishin 3 deputetët që votuan kundër Presidentit të ri. Në përgjigje të thumbimeve të opozitës, kryetari i Komisionit tha se edhe zgjedhja e kreut të shtetit apo rrëzimi i moratoriumit ishin tregues të faktit se maxhoranca nuk ka rrjedhje votash. “Ishte provë për të parë soliditetin e palëve, siç e bëtë ju me Vishën dhe humbët, siç e bëtë te Presidenti dhe humbët. Ne e bëjmë edhe te moratoriumi dhe fitojmë. Prova janë të gjitha këto”, u shpreh Rusmali.
Dosjet
Në mbledhjen e Komisionit nuk u kursyen akuzat dhe batutat edhe sa i përket çështjes së dosjeve, çështje që sipas opozitës, çoi në dorëheqjen e kandidatit për President, Artan Hoxha. Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, i pyeti përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme nëse kishin informacion për miliarderët që kërkojnë të shfuqizohet moratoriumi. Por kaq mjaftoi që opozita të reagonte dhe Sajmir Tahiri i kujtoi Hoxhës se kishte kërkuar një amendament të këtij ligji për të lejuar të lundronin varkat me motor që përdoren për peshkim. “Në procesverbalin e mbledhjes që kaloi ke bërë një amendament për motorin tënd të ujit”, u shpreh Tahiri. Ndërsa Hoxha u përgjigj duke thënë: “Lëri shantazhet. Unë nuk e kam motor për të lundruar, por për peshkim, dhe s’ka lidhje me ato skafet që doni ju. Shantazh mua me dosje nuk më bën dot. Kam qenë gjithë jetën time kundër banditëve. Merre dosjen time dhe hape. Hape dosjen time siç hape të Artan Hoxhës”, u përgjigj deputeti i PD-së. Sipas tij, Grupi Parlamentar socialist është marrë peng nga një grup miliarderësh. Gjatë debatit ndërhyri edhe kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili tha se “për fat të keq, në gjirin tonë kemi ende njerëz që duan të abuzojnë dhe të prishin rendin e gjërave. Ne sherrxhiun e kemi të identifikuar gjithmonë, sa herë vjen dhe sa herë nuk vjen. Kur nuk vjen, mbledhja është e qetë; kur vjen sherrxhiu, do ketë sherr, se për atë punë është, nuk është ligjvënës, është sherrxhi. Ky është problem që kemi ne”.
Debati në Komision
Bashkim Fino: A mund të bëj një pyetje?
Ilir Rusmali: Ligji është i juaji. Ne kemi në shqyrtim nismën.
Fatmir Xhafaj: Ai do ta pyesë për ligjin. Mos bëj rregulla të reja. Ka të drejtë ta pyesë Fino.
Ilir Rusmali: Në rend dite kemi nismën e PS-së, jo opinionin e Ministrisë.
Fatmir Xhafaj: Nuk do t’u caktosh deputetëve ti çfarë pyetje do të bëjnë. Çfarë të ketë qejf, ta pyesë.
Ilir Rusmali: Nata është këshilltari më i mirë. Ju nuk e keni shfrytëzuar as natën për këtë punë. Mbaroi zgjedhja e Presidentit, nervozizmin nuk e sjellim dot sot. Sot është ditë e re.
Fatmir Xhafaj: Lëre këtë. Po të jetë për t’u nervozuar, personi më i nervozuar, Ilir, je ti për çështjen e Presidentit, se ke arsye personale. Ne nuk kemi arsye personale, i kemi politike.
Fatos Hoxha: Fatmir, je i nxehur.
Fatmir Xhafaj: Sinqerisht nuk jam i nxehur, për Zotin nuk jam. Vetëm më vjen keq.
Fatmir Xhafaj: Rusmali ka qëndruar gjithë natën, e ka ngarkuar Doktori të gjejë ata tre që votuan kundër. Këtë punë ka ky.
Dashnor Sula: Nuk e ka Rusmali detyrën e fotografisë, jo.
Shega Ligori: Mos ia ka gjetur Arenca.
Fatos Hoxha: Nëse keni dijeni apo statistika si Ministri, kush janë këta miliarderë që kanë këto skafe në Shqipëri dhe bëjnë të mundur një nismë ligjore që t’i vënë në punë këto?
Sajmir Tahiri: Fatosi vetëm motor uji ka.
Fatos Hoxha: Ç’janë këta miliarderë?
Ilir Rusmali: Për këtë pyetje duhet të përgjigjen nismëtarët, sepse Ministria nuk mund të përgjigjet, nuk e disponon.
Sajmir Tahiri: Shiko deklaratat e pasurisë, Fatos.
Fatos Hoxha: Pse ju dhëmbi kaq shumë kjo imja.
Sajmir Tahiri: Fatos, sa herë e ke ngritur dorën për nisma të personalizuara, do ta kesh në dosje.
Fatos Hoxha: Shantazh mua me dosje nuk më bën dot. Kam qenë gjithë jetën time kundër banditëve. Merre dosjen time dhe hape.
Shega Ligori: Ti je për President vlla.
Fatos Hoxha: Hape dosjen time siç hape të Artan Hoxhës.
Sajmir Tahiri: Në procesverbalin e mbledhjes që kaloi ke bërë një amendament për motorin tënd të ujit.
Fatos Hoxha: Lëri shantazhet. Unë nuk kam motor për të lundruar, por për peshkim, dhe s’ka lidhje me ato skafet që doni ju.
Sajmir Tahiri: Mos peshkon me dinamit?
Fatos Hoxha: Jo, peshkoj me grep. Lëri shantazhet me dosje, o Sajmir.
Sajmir Tahiri: Na tregon ne miliarderët ti.
Ilir Rusmali: O Fatmir, mbani njerëzit o burrë i dheut se është turp.
Fatmir Xhafaj: Ai e filloi.
Fatos Hoxha: Ju kanë vënë përpara një grup banditësh dhe ju kanë vënë të bëni nisma të turpshme. Po ju marrin nëpër këmbë një grup banditësh, ka shumë nga ju të ndershëm këtu.
Sajmir Tahiri: Fol me emra, ose shko denoncoi.
Bashkim Fino: Mos fol si Saliu tani.
Fatos Hoxha: Sajmir, jeni marrë peng, më vjen keq, çlirohuni.
Ilir Rusmali: Për fat të keq, në gjirin tonë kemi ende njerëz që duan të abuzojnë dhe të prishin rendin e gjërave. Ne sherrxhiun e kemi të identifikuar gjithmonë, sa herë vjen dhe sa herë nuk vjen. Kur nuk vjen, mbledhja është e qetë; kur vjen sherrxhiu, do ketë sherr se për atë punë është, nuk është ligjvënës, është sherrxhi. Ky është problem që kemi ne.
Fatmir Xhafaj: Kryetar, me thënë të drejtën, të shikoj shumë të acaruar për një gjë që nuk ka arsye.
Ilir Rusmali: Jam pak, kur prishet rregullorja unë mërzitem shumë.
Fatmir Xhafaj: Edhe tani që po flet po bën gabim edhe për etikë, edhe për funksionin që ke. Procedurë është që të qetësohesh. Kërko pushim, pra. Ajo që më duhet mua është të vazhdojë një proces normal. Ti doje që ta tensionoje dhe ishte pjesë e strategjisë që kishe që në fillim.
Ilir Rusmali: Ratë brenda ju. Naivë të mëdhenj jeni.
Fatmir Xhafaj: Ke rënë brenda ti se nuk po kontrollon dot veten. Thashë edhe ky ka nevojë të flasë, është mbushur normal.
Ilir Rusmali: Ishte provë për të parë soliditetin e palëve, siç e bëtë ju me Vishën dhe humbët, siç e bëtë te Presidenti dhe humbët. Ne e bëjmë edhe te moratoriumi dhe fitojmë. Prova janë të gjitha këto.
Rrëzohet drafti i PS për skafet
Komisioni i Ligjeve rrëzoi me 9 vota pro dhe 12 kundër propozimin e një grupi deputetësh të PS-së për shfuqizimin e moratoriumit. Opozita e mbrojti draftin me faktin se po dëmton turizmin në vend, ndërsa për maxhorancën bllokimi i skafeve ka dhënë rezultate pozitive. “Po pse, ky është problemi më i madh që ka Shqipëria sot? Ju jeni ngurtësuar në këtë nismë ligjore prej kohësh me forcë dhe propagandë, dhe nuk keni sjellë asnjë nismë tjetër ligjore”, u shpreh Tritan Shehu në mbledhjen e djeshme.
“Avokati të ruajë paanësinë”
Me votat e të gjithë deputetëve u miratua dje rezoluta për punën e Avokatit të Popullit për vitin 2011. “Kuvendi kërkon nga Avokati për vitin 2012 bashkëpunim, duke e informuar më mirë për situatën e të drejtave të njeriut dhe shkeljet e administratës publike. Kuvendi kërkon ruajtjen e paanësisë së institucionit të Avokatit të Popullit duke përdorur vetëm mjetet ligjore në përmbushje të objektivave për vitin 2012, si dhe duke shmangur çdo zgjidhje ekstraligjore”, thuhet në rezolutën që do të votohet të enjten në Parlament.
“ILDKP të rrisë numrin e hetimeve”
Në draft-rezolutën që do të miratohet në Kuvend në seancën e ardhshme për Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive thuhet se “Kuvendi kërkon për vitin 2012 forcimin e mekanizmave investigues për pasuritë e paluajtshme në terren dhe interesave private të zyrtarëve brenda dhe jashtë vendit; rritjen e numrit të hetimeve administrative të iniciuar kryesisht nga denoncimet e qytetarëve, shoqërisë civile, medias, biznesit etj.”. Rezoluta pritet të marrë votat e shumicës dhe të opozitës.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











