Dosja “McGonigal”/ Kreu i Unionit të Gazetarëve për “Panorama TV”: SPAK mendoj se duhet të nisë hetimet! Protesta e opozitës nuk bëhet vetëm për këtë çështje, por…

Feb 2, 2023 | 15:46
SHPËRNDAJE

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa thotë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duhet të nisë një hetim lidhur me akuzat që opozita i drejton kryeministrit Edi Rama pas publikimit të çështjes “McGonigal”. 

Në një intervistë për Panorama TV, Çipa tha se ende nuk ka akuza zyrtare nga ana e drejtësisë amerikane, ndaj kjo ka bërë që edhe ambasada të heshtë përpara kësaj çështje.

Ada Hazizolli: Nuk ka asgjë kompromentuese në çështjen “McGonigal”?

Çipa: Ka shumë pyetje retorike që mbeten në fuqi, për shkak të raporteve të krijuara me ish-drejtuesin e FBI-së, pas informacioneve të qarkulluara në mediat e huaj. Janë supozime të pavërtetuara nga gjykatat amerikane. Ky është proces që do të trajtohet vetëm nga gjykatat amerikane.

Ada Hazizolli: A duhet që SPAK të nisë hetime?

Çipa: Në pikëpamjen principiale mendoj që po. Ka të bëjë me pohime dhe raportime për mënyrën se si është lobuar financiarisht dhe si është përdorur influenca e ish-drejtuesit të FBI-së për të ndikuar në hapësirën politike ballkanike.

Ada Hazizolli: Mendoni që duhet të ketë reagim nga ana e ambasadës amerikane?

Çipa: Institucionet e diplomacisë amerikane nuk bien pre e përdorimeve politike. Nuk mund ta presim këtë pa u shprehur drejtësia amerikane. Drejtësia amerikane nuk është e intimidueshme. Kështu që, në këtë këndvështrim, nëse ambasada amerikane do ta bënte reagim, ky do ta bënte një precedent të dënueshme.

Ada Hazizolli: Të flasim pak për protestën e 11 shkurtit. A është momenti i duhur që opozita po e shfrytëzon për të bërë një protestë?

Çipa: Qëllimi kryesor nuk është thjesht stigmatizimi i mazhorancës dhe Ramës në këtë aferë. Kjo ka të bëjë më shumë me problemet e vendit. Protesta e zhvilluar në 11 shkurt, është protestë politike që përcjell një formë presioni ndaj institucioneve që të regjistrojnë opozitën në zgjedhjet e ardhshme të 14 majit. Nuk përjashtohen edhe efektet në këtë situatë el;ektorale. Në kushtet kur nuk është qartësuar palët në PD, për zgjedhjet e 14 majit, dilemat dhe pritshmëria e KQZ-së për një vendim të gjyqësorit se kush e ka logon, këto janë situacione që vendosen në këtë kontekst.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura