Tashmë gara e “Top Fest 9” ka hyrë në zonën e nxehtë të shifrave. 38 artistë janë përzgjedhur për fazën gjysmëfinale që do të prezantohen në datat 4, 11 dhe 18 maj në orën 21:00 në “Top Channel”. 16 këngë do të arrijnë të prekin finalen më 3 qershor në Pallatin e Kongreseve, ku do të ndahen 10 trofe. Drejtori artistik i këtij festivali të muzikës Moderne, Dorian Gjoni, zbulon emrat e këngëtarëve të përzgjedhur për gjysmëfinale, ku për herë të parë këngët do të këndohen në dy versione, akustik dhe origjinal.
Ka mbaruar faza e prezantimit të këngëve të “Top Fest 9” dhe tashmë kemi hyrë në fazën gjysmëfinale. Sa këngë janë përzgjedhur për këtë fazë?
Në fazën e dytë të edicionit të nëntë të “TopFest” që është faza gjysmëfinale, u përzgjodhën 38 artistë. Ata do të vazhdojnë konkurrimin për nominimet dhe për trofetë.
Cilat rryma muzikore kanë dominuar?
Në përgjithësi në këtë edicion ka pasur një balancë tepër të mirë të rrymave në prurjet muzikore. Nuk ka pasur dominime të tepruara, por mund të veçoj zhanrin poprock, që ka pasur një numër më të madh prurjesh.
Mund të përmendni emrat e këngëtarëve që do të kenë mundësinë të vazhdojnë garën më tej?
Mund të përmend disa emra artistësh, si: Besa Kokëdhima, grupi “Burn”, Eugent Bushpepa, Argjentina Ramosaj, Xhensila Myrtezaj, Yllka Kuqi, Stine, Çiljeta, Dr.Flori ft Fatima, Klajdi Haruni, Julka, Devis Xherahu, Malda Susuri, Orgesa Zaimi, Kejsi Tola, Enrika dhe Marsela, të cilat u prezantuan për herë të parë në “The Voice of Albania”, dhe shumë artistë të tjerë të rinj dhe të mirënjohur.
Cilët janë disa nga emrat e njohur apo deri diku të njohur që nuk kanë mundur të kalojnë në këtë fazë?
Është një pyetje, e cila do të ishte më mirë të mos kishte një përgjigje konkrete. Mund të them që jashtë kësaj liste kanë mbetur shumë artistë të mirë, të cilët kanë sjellë këngë shumë të bukura në këtë edicion. Por për shkak të formatit që “Top fest” ka për gjysmëfinalet, ne jemi të detyruar të përzgjedhim një numër të vogël këngësh, të cilat do të vazhdojnë këtë maratonë.
Si është bërë përzgjedhja e këngëve për gjysmëfinale, dhe sa këngë do të shkojnë në finale?
Është bërë traditë tashmë që këngët gjysmëfinaliste të përzgjidhen nga bordi artistik i festivalit. Ky bord përzgjedh këngët duke i selektuar sipas kategorive konkurruese për nominimet, për çmimet që do të ndahen në natën finale. Në këtë natë çmimesh do të jenë rreth 16 këngë, të cilat do të mbajnë të ndezur atmosferën në Pallatin e Kongreseve.
Si do të procedohet tashmë me gjysmëfinalistët, sa do të zgjasë kjo fazë?
Do të jenë tri gjysmëfinale, të cilat do të transmetohen në “Top Channel” gjatë datave 4, 11 dhe 18 maj në orën 21:00. Kjo periudhë do të jetë tepër intensive në prezantimin e këngëve, jo vetëm gjatë këtyre mbrëmjeve tepër energjike, por edhe në të gjitha emisionet e mediat që transmetojnë muzikë, duke i theksuar me prioritet këngët gjysmëfinaliste.
Do të ketë ndryshime në dhënien e çmimeve, sa kupa do të jepen, dhe cila do të jetë vlera e çmimit të madh?
Janë shumë detaje që mbeten për t’u gjykuar ditët në vazhdim. Për momentin mund të them që do të jenë rreth 10 trofe, të cilët do t’u jepen artistëve finalistë.
Sa të fortë e konsideroni garën, do të dalin hite nga ky edicion?
Mendoj që edhe ky edicion, ashtu si të gjitha edicionet e tjera të “Topfest”, ka sjelle risitë e veta në muzikën shqiptare, ka ndikuar tek publiku duke i shërbyer atij me spektakël dhe muzikë të bukur. Ka sjellë këngë të cilat do të jenë pjesë e jetës sonë të përditshme duke na shoqëruar emocionet tona.











