ANASTAS KOSTANDINI
Miku im i mirë, Kur mësova se më 20 gusht të këtij viti mbushje dhjetë vjet që ishe ndarë nga kjo botë, u trishtova shumë, po aq sa atë ditë që nuk do doja ta kujtoja. Sot është vonë të të them që unë miqtë e mi i dua si veten time dhe, kur më ka humbur ndonjë mik, jam ndier jashtë mase keq. Edhe në rastin tënd, Dori. Kaluan ditë dhe, kur mendova se e kisha lënë pas trishtimin për mikun e humbur, ndërsa shikoja siluetën e malit të Dajtit prej dritares së spitalit ku isha shtruar për një vizitë mjekësore, nuk di pse m’u shfaq koka jote në ato pjerrësitë e këtij mali. Ajo koka tashmë ikonë që del paksa prerazi nga një bluzë pa jakë, ku shquajnë mbi gjithçka sytë e menduar, flokët e shpupuritur, mustaqet e gjata… shumë e njohur për të gjithë. Duket, kishte ardhur momenti që unë ta hidhja në telajo portretin e mikut tim të vjetër. Po si?!… Filloi kështu brenda meje si të thuash, ai procesi i meditimit që lidhej me gjetjen e idesë sa artistike aq dhe poetike, mbi të cilën duhej ta ndërtoja pikturën time. Ditë më pas, ndërsa shihja me kuriozitet ndryshimet në qendër të Tiranës, m’u shfaqe përsëri miku im. Këtë radhë mes tri simboleve të saj, kullës së sahatit, xhamisë së E’them Beut dhe monumentit të Skënderbeut. Ishte buzëmbrëmje dhe gati sa nuk thirra me zë “e gjeta”!… Por, m’u desh të gdhihem e ngrysem afro dy javë me imazhin tënd në kokë, derisa vendosa ta hedh gjetjen time direkt në telajo. E ndieja që nuk kisha nevojë ta skicoja e vizatoja më parë portretin tënd, ndaj i hyra punës me gjithfarë mjetesh dhe ndalova kur e kuptova që duhej ta ktheja telajon nga muri. Pas një jave, i bindur se ajo ishte tharë teknikisht dhe më lejonte të ndërhyja, iu afrova përsëri. Këtë radhë, punova gati-gati në mënyrë inkoshiente. Pas tri orësh vendosa ta kthej përsëri telajon nga muri. Tani isha i sigurt se herën e tretë nuk do ta ngacmoja më. Dhe vërtet, kur e ktheva dhe e pashë, kisha harruar vetëm ta nënshkruaja, kështu që hodha firmën dhe u ula të çmallem me mikun tim.
* * *
E mban mend Dori kur jemi njohur?… Shumë herët, në fillim të viteve ‘80, atëherë kur ti punoje gazetar në gazetën “Drita”. Në fakt, pa të njohur fizikisht, kur shihja firmat e autorëve në fund të shkrimeve të kësaj gazete apo dhe të të tjerave, emri dhe mbiemri yt më bënin shumë përshtypje. Emri Teodor më dukej i lashtë e mitik, ndoshta prej adhurimit që kisha për Teodor Kavaljotin e famshëm. Mbiemri Keko më dukej tokësor, edhe pse ishte shumë i famshëm për shkak të prindërve. Më vonë, kur u njohëm nga afër, kuptova që miku im nuk kishte nevojë për famën e prindërve të tij që të bëhej po aq i famshëm. Jo se i shkonte ndesh rrjedhës logjike të destinacionit human të prindërve, por se ai jetoi epokën e tij dhe e jetoi atë në një mënyrë të thellë e origjinale.
Më kujtohet se, gjatë atyre viteve, përveç takimeve miqësore ku ti modeloheshe në shoqëri në mënyrë shumë të natyrshme, madje për ta bërë sa më të afërt atë, më flisje mua në dialektin e zonës, pasi siç më thoshe, “ju poradecarët nuk dalloni në të folur nga korçarët”, kemi ndërmarrë së bashku edhe ndonjë udhëtim pune, siç ishte ai në fushën e Korçës në gusht të vitit 1983 kur ti si autor reportazhi dhe unë e Ylli Haruni si autorë të skicave shoqëruese kemi kaluar ditë të mrekullueshme në kulmin e fushatës së korrje-shirjeve. Edhe pse kanë kaluar kaq vite, nuk mund ta harroj atë drekë në Maliq ku debatuam mes nesh për disa orë, gjithnjë dhe vetëm për probleme të letërsisë dhe artit. Eh, miku im! Si gjithnjë, edhe atë ditë ti ishe i veçantë. I veçantë në diskutim. I veçantë në debat. I veçantë në ndërhyrje. I veçantë edhe në rikthimin e atmosferës miqësore në tavolinë sa herë debati acarohej e ne të tjerët ngrinim zërin. Dhe, veç këtyre sa thashë, ti ke meritën e madhe që atë ditë çdo gjë ishte në ndërkryerje e sipër. Sot mund të mos i besojnë apo kuptojnë këto që po rrëfej unë, po, pikërisht në këto tavolina të improvizuara, thuheshin të gjitha llojet e të vërtetave në atë kohë.
Sa për takimet…Mbaj mend që takoheshim me një dashuri të madhe, e cila lexohej qartazi në sytë tanë. Pastaj, uleshim dhe bisedonim me pasion të madh për orë të tëra, shkëmbenim mendime në mirëkuptim për shumë gjëra… Tani që rri e kujtoj takimet tona të atëhershme, mendoj se shpirtërisht ne kemi pasur një raport shumë të afërt njëri me tjetrin, pa folur pastaj që, mbi të gjitha, mua më afronte me ty antikonformizmi yt që shfaqej përmes një befasie apo spontaniteti krejt të veçantë. Këto dhe batutat e tua fantastike me kalimtarët e shumtë dhe të rastësishëm gjatë atyre minutave të takimeve tona pasi ti ishe shumë i njohur, më bënin mua të të shihja si një njeri që thoshe, pse jo, edhe teorema. Por jo teorema të menduara. Absolutisht jo. Teoremat e tua kishin një spontanitet të paparë dhe kjo gjë më gëzonte jashtë mase mua pasi, në një kuptim, ato më plotësonin mungesën e atmosferës krijuese që unë përjetoja në Poradec… Tarafet dhe aleancat e artistëve që të vlerësojnë në sy apo të shajnë pas krahëve, njerëzit me pushtet që edhe se nuk marrin vesh nga arti, nuk e kanë për gjë të lëshojnë mbi ty një bateri fyerjesh… mungesa këto jo të vogla për të motivuar dhe nxitur një artist të krijojë, më mungonin mua atje ku jetoja. Këto ndoshta dhe nostalgjia për atë botën e munguar, janë arsyet që unë, herë pas here vija në Tiranë dhe nxitoja të takoja miqtë e mi të mirë, mes tyre, dhe ty Dori. Ndërsa, kur takoheshim në Lidhjen e Shkrimtarëve, në dy apo tri raste ti më ke tërhequr veçmas dhe atëherë kemi ndenjur e biseduar më gjatë për krijimtarinë dhe problemet e saj në përgjithësi, sigurisht pa harruar t pyesim për planet krijuese dhe duke inkurajuar njëritjetrin… Ka qenë një kohë shumë interesante, një kohë që na futi të dyve në listat e njerëzve që u përmendej emri sa herë flitej për gjeneratën e re të artistëve. Ishte një kohë entuziaste dhe krijuese. Megjithatë, ti, unë, dhe të tjerë si ne, në bisedat tona të sinqerta nuk mund të mos ishim kundërshtarë të gjithë atij paradoksi në të cilën ishte futur jeta jonë në atë periudhë. Kjo pasi ne e ndienim epokën e re të ndryshimit që po trokiste edhe në Shqipëri dhe duhej të rendnim. Është koha kur në të gjitha kalimet e tua drejt Korçës apo nga Korça, ti ndaloje në Poradec dhe më kërkoje atje, tek ajo studioja e vogël që kam pasur dikur në qendër të qytetit. Nuk mund ta harroj trokitjen dhe buzëqeshjen tënde te dera e studios. Për ty unë isha “Caci”, edhe pse mua nuk më pëlqente e të thosha të më thërrisje “Taso” pasi tingëllonte më mirë… Jo, më kundërshtoje ti duke qeshur, mua më tingëllon shumë mirë “Caci”. Mirë atëherë, të thosha unë, po të toleroj meqë “C”-ja jote është e veçantë (ndoshta për shkak të dy dhëmbëve të parë pak të hapur e që të bënin shumë simpatik kur qeshje). Pastaj çmalleshim dhe bisedonim për minuta të tëra për letërsinë dhe pikturën duke pirë kafe apo ndonjë kupë verë buti… Në një rast, kemi shkuar për vizitë edhe në shtëpinë e Petraq Cicit, kunatit tim mjek, shumë më i madh prej nesh, i cili kishte një pasion të madh e të fshehur për shumë vite ndaj pikturës, këtij bekriu i cili mezi priste ta linte mënjanë bluzën e mjekut, pasi kishte filluar ethshëm të pikturonte. Atë ditë dimri u harruam pas pikturave, pimë verë sa plasëm, por nuk harruam të bënim të tre një fotografi buzë liqenit kur dolëm për të të përcjellë drejt Tiranës. Është një foto tepër prekëse, të cilën unë e dua shumë dhe e ruaj në një nga albumet e mia… Sa herë të shoh në atë fotografi miku im, të futur gati të tërin nën atë pallto gub, ngjyrë gri të errët, të madhe e të rëndë, më vinë ndër mend brishtësia e fytyrës së atij djalit me fytyrë qytetare që vinte nga kryeqendra dhe që kishin filluar t’i binin flokët, bisedat aq miqësore dhe të hapura, tokësore dhe konfidenciale, shumë larg shtirjes dhe akademizmit të jo pak miqve tanë të përbashkët, e që i mbyllte me shprehjen “Caci, mja ndenje këtej, hajde tani andej nga ne se po të presim”… Në ato vite, ti Dori ishe prototipi i djalit nga qyteti që unë e kam dashur shumë pasi disa nga miqtë e mi më të mirë kanë qenë nga Tirana… Pse ta fsheh… Teodor Keko, Gazmend Leka, Leon Çika dhe Ilir Pojani, ishin njerëzit që unë gëzoja më shumë kur i takoja. Meqë jemi te kujtimet, do të kujtoj dhe një tjetër moment tëndin miku im, atë të shfaqjes në skenën politike… Ishte një gjë e mrekullueshme kur të shikoja në televizor në vijën e parë të ndeshjes me botën e vjetër, duke debatuar dhe sfiduar politikën e dalë boje, duke tentuar t’i heqësh gurin e fundit hipokrizisë së politikanëve, oreksit për gllabërim, pushtetit të korruptuar… Ti ishe ndër të parët në ato ditë të ndryshimit të madh, që guxove të mos flisje me gjuhën e politikës në foltoren e Parlamentit, por me gjuhën e njerëzve të thjeshtë. Dhe ishe tej mase i vërtetë, edhe pse shpesh i hidhur e sarkastik. Ti nuk e di, po pikërisht në një nga këto ditë historike të vitit 1991, kur nuk mungonte tifozllëku bashkë me thirrjet “bravo, je i madh!” për gjeste që doja vetë t’i bëja apo fjalë që doja vetë t’i thosha, unë të kam vizatuar direkt nga televizori Më pas u gëzova shumë kur u zgjodhe deputet i Korçës. Nuk e di si kanë qenë rrethanat, por atë ditë ke dërguar në Poradec një makinë enkas për mua, pasi doje që të asistoja në koktejin e organizuar në Korçë me rastin e fitores. Ishte një koktej i jashtëzakonshëm, një koktej i zhurmshëm, ku falë teje unë pata rastin të takohem me llojlloj fytyrash, kryesisht të reja, të cilët më vonë u shfaqën si lidera. Atë natë miku im, të mbaj mend me një gotë shampanjë në dorë, në qendër të grupeve e bisedave dhe, gjithnjë me sytë nga unë e pranë meje. Ende nuk e kam kuptuar pse doje që atë natë unë të isha aq pranë teje!… Vitet që pasuan, në të gjitha takimet tona, gjithnjë rastësore, asnjëherë të programuara, ti vazhdove të ruash si pak të tjerë, të njëjtat marrëdhënie miqësore me mua. Ke ardhur në ekspozitën time që hapa në Tiranë, si dhe ke botuar një shkrim ku përveçse më quan “eremitin e pikturës”, me dy-tri fjalë tepër koncize dhe thellësisht fluturake ke thënë ca të vërteta, jo vetëm për mua, por për gjithë atë botë të asaj kohe.
* * *
Miku im! Tani që e shoh portretin tënd në pikturën time, të them se ndihem mirë që kam realizuar një portret i cili më shikon nga përtej jeta dhe që bisedon me mua edhe nga ajo distancë. Unë e di, vdekja ishte një fatalitet që nuk e zgjodhe vetë ti si në rastin e Van Gogh (të dy ikët shumë shpejt nga kjo botë), por, ashtu si ai, ndërsa ne që jetojmë kemi fatin e keq që ta prishim emrin që kemi krijuar në një moment të caktuar dhe të biem ndesh me veten tone, ti që nuk jeton më, ke luksin e madh që nuk bie më ndesh me veten tënde dhe për këtë shkak je kthyer në një ikonë dhe një simbol i brezit tonë të viteve ‘70- ‘80. Sigurisht, unë nuk jam ekspert i letërsisë, por nga sa kam lexuar, mendoj se ti miku im, si rrallë të tjerë, kishe atë kuturisjen e shkrimtarit për të ndaluar e zbuluar hollësitë e pafunda të xhepave të jetës dhe, në këtë pikëpamje, bashkë me personazhet e shumtë, e jetove dhe vetë atë jetë në një mënyrë shumë personale dhe pasionante. Ndoshta ti je artisti që e ndjeu më mirë se ne të tjerët që arti nuk është gjë tjetër veçse një shprehje ultrapersonale, gjë kjo që ndihet më së miri në tregimet dhe në poezitë e tua, sa të çuditshme aq dhe të mrekullueshme që shkrove dhe që nënvizojnë këtë jetë periferike. Unë do të kisha shumë dëshirë që një ditë ta ilustroja këtë lloj jete që ti e përjetove aq mrekullisht dhe në të njëjtën kohë e përjetësove po aq mrekullisht në veprën tënde. Edhe unë e kam përjetuar ashtu si ti këtë jetë periferike, ndoshta jo në të njëjtën mënyrë, por, jam i bindur, është i njëjti ajër, është e njëjta epokë, është i njëjti vend, është i njëjti sy. E them këtë pasi ne të dy kemi pasur një dimension, një metër ndryshe nga të tjerët… Ikja jote dhjetë vjet më parë miku im, më trishtoi pa masë, aq sa për një kohë u ndjeva thuajse i braktisur, pasi nuk e imagjinoja që unë të të humbisja ty apo ti të më humbisje mua. Por jeta kështu qenka, e mbushur me të papritura. Megjithatë, dashuria dhe malli ynë për ty është dëshmi që kujtesa nuk buron si rezultat i pozicionit zyrtar të një personi apo detyrimit për të qenë korrekt me dikë. Ajo buron thjesht nga afiniteti ultranjerëzor, nga marrëdhëniet krejtësisht njerëzore, nga miqësia shumë e sinqertë mes nesh. Kështu, duke pasur shumë miq dhe duke lënë një letërsi të jashtëzakonshme pas vetes, pa kuptuar dhe me një shpejtësi marramendëse, ti po shndërrohesh në një personazh tipik të epokës sate. Mbi të gjitha, talenti i spikatur po të bën të pavdekshëm sepse fjala jote, antikonformizmi yt dhe lirshmëria jote e të folurit me veten, janë të barabarta me të folurin tënd me njerëzit, pasi i gjithë arti i madhështisë dhe i vlerës nuk është gjë tjetër veçse komunikimi. Dhe, ti Dori, ke folur e ke thënë të vërteta të mëdha sa jetove, edhe se i thoshe ato si nëpër të, në mënyrë të natyrshme, shpesh edhe në zhargon. Kjo mënyrë e të thënit të gjërave, bëri që, me kalimin e viteve, portreti yt të arrinte gati-gati në perfeksion. Mbaj mend që, në një rast të thashë, ke filluar të më ngjash me filozofin gjerman Niçe. Ndërsa ti, buzëqeshe dhe heshte. Edhe diçka, miku im… Ndryshe nga shumë njerëz që vazhdojnë të ecin rrugëve të Tiranës apo Poradecit dhe që janë shëndoshë e mirë me shëndet, por që ne nuk bisedojmë kurrë me ta, pasi ata janë më të vdekur nga të vdekurit, ti i dhe privilegjin vetes që të mund të bisedojmë së bashku edhe mbas vdekjes. Edhe se nuk jeton fizikisht, ti vazhdon të jetosh ndër njerëzit që të kanë njohur, me imazhin tënd, me figurën tënde, me letërsinë tënde, me background-in tënd që të ka kthyer në një personazh të jetës shqiptare, në një personazh të botës moderne shqiptare, nëse më lejohet të shprehem kështu. Kjo është arsyeja që edhe mua, sa herë vete në Tiranë dhe sa herë shoh malin e Dajtit, më fanapset portreti yt në ato pjerrësitë e këtij mali… Kështu i themi ne këtej nga anët tona, kur të shfaqet vazhdimisht njeriu që të mungon. Zoti të ndjeftë miku im!
© Panorama.al











