
Dorëshkrimi origjinal i librit “Dimri i vetmisë së madhe” i shkrimtarit Ismail Kadare do të sekuestrohet nga arkivi personal i Nexhmije Hoxhës dhe do t’i dërgohet për ruajtje të përkohshme Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Vendimi u mor dje nga Bledar Abdullai, gjyqtari që po shqyrton padinë e shkrimtarit Kadare kundër së vesë së diktatorit Hoxha, në lidhje me pronësinë e këtij dorëshkrimi. Referuar vendimit, fillimisht përfaqësuesi ligjor i të paditurës Nexhmije Hoxha kërkoi rrëzimin e kërkesës, duke parashtruar se padia e Kadaresë është proceduralisht me të meta dhe e pabazuar. Por në vijim, ai pranoi dorëzimin e dorëshkrimit në Arkivin e Shtetit, nëse gjykata e vlerëson të domosdoshme. “E paditura parashtroi se, nëse gjykata do të vlerësojë se ka vend për marrjen e masës së sigurimit të padisë, u shpreh se ishte dakord që dorëshkrimi origjinal i ‘Dimrit të vetmisë së madhe’ të lihej përkohësisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”, thuhej në vendim. Sipas gjyqtarit Abdullai, kërkesa për sigurimin e

padisë ishte e bazuar në ligj dhe se gjykata vlerësonte që ajo duhej pranuar. “Gjykata vlerëson se ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit do të bëhej tejet i vështirë në rast të mosvendosjes së një mase sigurie, pasi në këtë mënyrë pasojat që do të prodhoheshin si rezultat i dëmtimit të veprës, do të ishin pasoja të rënda, gjë që, nëse do të pranohej padia e paditësit për çështjen në themel, do të vështirësonte ekzekutimin e vendimit të themelit, ose do ta bënte të paekzekutueshëm”, arsyetohej në vendim. Në lidhje me vendin e ruajtjes, gjykata u shpreh se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave vlerësohet si e përshtatshme, për shkak se ky institucion gëzon të gjitha cilësitë e nevojshme për zbatimin e masës së sigurimit në mënyrë korrekte. Kërkesë-padia e shkrimtarit Kadare kundër Nexhmije Hoxhës, në lidhje me kthimin e dorëshkrimit origjinal të një prej veprave të tij, u regjistrua në Gjykatën e kryeqytetit më 18 korrik 2012. Përmes saj shkrimtari i kërkonte Gjykatës së Tiranës rifitimin e të drejtës së autorit mbi dorëshkrimin dhe rifitimin e pronësisë së tij. Po aty shkrimtari kërkonte sigurimin e padisë për nxjerrjen e dorëshkrimit nga arkivi i Hoxhës dhe ruajtjen e tij në një institucion të pavarur deri në përfundim të ligjit, kërkesë që u pranua dje.
Avokati: Nuk kërkohet dhurata
Në përfundim të seancës së djeshme, përfaqësuesi ligjor i Nexhmije Hoxhës, avokati Aranit Rosha, u shpreh për mediat se dorëshkrimi i është dhuruar klientes së tij. “Ne e vlerësojmë në aspektin historik dhe, për këtë arsye, dorëshkrimi duhet të ruhet në Arkivin e Shtetit”, tha avokati. Në vijim, ai tha se: “Ne jemi edhe për zgjidhjen jashtëgjyqësisht, dhurimin e këtij dorëshkrimi Arkivit dhe le të jetë pronë e shtetit shqiptar. Por është një gjyq principesh, sepse kur dikush të dhuron diçka dhe pas 40 vjetësh të kërkon dhuratën, kjo është e padenjë”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











