Dorëheqja, 20 drejtorët e Ramës: Pse ikim nga bashkia

Jul 19, 2011 | 10:27

Drejtorët e përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës kanë dhënë dje dorëheqjen e tyre përmes një deklarate publike. Janë 20 drejtorë që nuk pranojnë të punojnë me kryetarin e ri të Bashkisë, Lulzim Basha, i cili pritet të marrë detyrën në fundjavë.Në deklaratën e tyre, bashkëpunëtorët më të afërt të Edi Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës shprehen se kreu i ri vjen si rezultat i tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve. “Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin t’i shërbejmë dhe me keqardhje për pamundësinë që të vazhdojmë punën nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji për të qëndruar në pozicionet tona, si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit ne i deklarojmë opinionit publik dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra”, shprehen drejtuesit e drejtorive të Bashkisë së Tiranës në deklaratën e tyre. Duke falënderuar besimin e kryetarit të Bashkisë, Rama, për përgjegjësitë e dhëna, por edhe përkushtimin e tyre në detyrat që kanë mbajtur, në deklaratën e dorëheqjes drejtorët e Bashkisë shprehen se janë munduar që t’i shërbejnë qytetarëve. “Në gjithë këto vite pune pasionante, me përkushtim e profesionalizëm, falë edhe një lidershipi frymëzues, kemi shënuar të gjithë së bashku rezultate të jashtëzakonshme, duke transformuar rrënjësisht kryeqytetin dhe krijuar një institucion publik të standardeve europiane, Bashkinë e Tiranës”, shprehen ata. Sipas tyre, gjatë kësaj pune ata janë munduar të jenë shërbëtorë të qytetarëve. Por, zgjedhjet e 8 majit, sipas tyre, sollën një rezultat që nuk përligj votën e qytetarëve. “Këto kushte, të domosdoshme për një institucion të ngritur mbi meritokracinë dhe respektin për vlerat e aftësitë e çdo individi, siç ishte në gjithë këto vite Bashkia e Tiranës, nuk ekzistojnë më. Fatkeqësisht, nuk ekziston më as themeli moral mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre”, shprehen drejtorët e dorëhequr në deklaratën e tyre. Të premten e shkuar, ish-kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, mblodhi në një takim të fundit të tij në këtë detyrë drejtorët e Bashkisë, të cilët i falënderoi për kontributin e dhënë. Në këtë takim, ata i shprehën vendimin për të dhënë dorëheqjen e tyre të parevokueshme, kërkesa që janë firmosur nga vetë Rama, si vendimi i fundit në krye të Bashkisë Tiranë.

Letra e drejtorëve të Bashkisë

Të gjithë drejtorët e Bashkisë së Tiranës japin dorëheqjen; Drejtuesi i ri s’ka legjitimitet
Në gjithë këto vite pune pasionante, me përkushtim e profesionalizëm, falë edhe një lidershipi frymëzues, kemi shënuar të gjithë së bashku rezultate të jashtëzakonshme, duke transformuar rrënjësisht kryeqytetin dhe krijuar një institucion publik të standardeve europiane, Bashkinë e Tiranës.
Në këtë institucion kemi gjetur forcën për t’u përballur me çdo sfidë të ndryshimit e zhvillimit të Tiranës, në radhë të parë, falë faktit që na janë garantuar të gjitha kushtet për të punuar gjithnjë si shërbëtorë të qytetit e të qytetarëve, asnjëherë si rrogëtarë të zgjedhur përmes lidhjesh politike dhe të varur prej interesave e orekseve të politikës.
Këto kushte, të domosdoshme për një institucion të ngritur mbi meritokracinë dhe respektin për vlerat e aftësitë e çdo individi, siç ishte në gjithë këto vite Bashkia e Tiranës, nuk ekzistojnë më. Fatkeqësisht, nuk ekziston më as themeli moral mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik të tjetërsimit të vullnetit të tyre.
Me krenari për shërbimin e kryer deri këtu ndaj qytetit tonë, me nderim për çdo qytetar, të cilit kemi pasur privilegjin t’i shërbejmë dhe me keqardhje për pamundësinë që të vazhdojmë punën nën një lidership pa legjitimitet moral, pavarësisht mbrojtjes që na ofron ligji për të qëndruar në pozicionet tona si nëpunës të shërbimit civil dhe shtetit, ne i deklarojmë opinionit publik dorëheqjen tonë të parevokueshme nga detyra.

Dorëheqjet në Bashkinë e Tiranës

Dritan Agolli         Administrator i Përgjithshëm
Majlinda Dhuka     Drejtor i Përgjithshëm
Sonila Qato         Drejtore e Urbanistikës
Albana Koçiu,            Drejtore e Infrastrukturës
Viola Haxhiademi    Drejtor i Përgjithshëm
Irfan Dashi         Drejtor i Përgjithshëm
Arben Seferaj         Drejtor i Përgjithshëm
Androkli Kokthi     Drejtor i Përgjithshëm
Pal Doçi         Drejtor i Shërbimeve
Joana Bushi         Drejtor Drejtorie
Flutura Pulaci         Drejtor Drejtorie
Enton Punavija     Drejtor i Transportit
Afrim Qëndro         Drejtor Drejtorie
Kujtim Spahiu         Drejtor Drejtorie
Anila Shehu,         Drejtore e Pastrimit
Hantin Bonati         Drejtor për Kontrollin e Territorit
Ogerta Manastirliu     Drejtor Drejtorie
Migena Vishko         Drejtor Drejtorie
Julian Zanaj         Drejtor Drejtorie
Zyhdi Dajti         Kryeinspektor i Polic. Bashkiake
Ardit Kaja         Kryeinspektor i Insp.Ndërtimor
Albana Dhimitri     Nënkryetare
Vali Bizhga        Nënkryetare
Belinda Balluku      Drejtoreshë e kabinetit

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura