
Sulmuesi shkëlqen te FSV Frankfurti. Bogdani titullar, Cana e nis nga stoli.
Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani shënoi dy golat e fitores 2-0 të FSV Frankfurtit të tij në transfertën e Ingolshtadtit. Në minutën e 42-të, “xholi” Yelen ekzekutoi një goditje të lirë dhe Kapllani nga një distancë prej shtatë metrash, i gjendur i pambuluar përdori armën e tij më të fortë, kokën, duke i çuar shifrat në 1-0, me të cilën u mbyll edhe pjesa e parë. Në pjesën e dytë, vendësit patën sërish shanse për të barazuar, Mijatoviç mund të kishte shënuar me kokë në minutën e 54-t, por Kapllani i bëri surprizën e dytë Ingolstadtit. Durrsaku realizoi në minutën e 78-të, pas një krosimi të Teikserës duke gjuajtur rrëmbimthi me të djathtën. Menjëherë pas golit të dytë, Kapllani u zëvendësua për arsye taktike nga trajneri Beno Mohlman. “Këtu më japin shumë besim dhe ndihem mirë. Nëse më thërret Kombëtarja, unë jam gati”, tha sulmuesi për “Panorama Sport”. Në këtë ndeshje u aktivizua 10 minutat e fundit edhe mesfushori Odise Roshi, i cili shpresonte që të luante si titullar përkrah Kapllanit.
Hyka – Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Jahmir Hyka, luajti 90 minuta në fitoren 2-0 të Lucernës kundër Servetes. Mesfushori kuqezi bëri një paraqitje të mirë, duke treguar se është në përmirësim e sipër. Gjithsesi, ai ende nuk ka bindur trajnerin De Biazi për t’i besuar frenat e mesfushës te kuqezinjtë.
Bogdani – Erjon Bogdani luajti si titullar në ndeshjen e djeshme Siena Torino, që përfundoi me rezultatin 0-0. Në pjesën e dytë të ndeshjes u aktivizua në radhët e Torinos edhe mesfushori kosovar me pasaportë shqiptare, Migjen Basha. Ndërkaq, Cana e nisi nga stoli te Lacio dhe u aktivizua vetëm në shtatë minutat e fundit në fitoren 1-0 kundër Atalantës. Ujkani luajti si titullar te Palermo, i cili humbi 3-0 kundër Napolit.











