Bakaj ka sigluar një dopietë me Odesën, Januzi ka hapur serinë e golave në fitoren e Vorsklas, ndërsa Besart Berisha ka shënuar golin e parë në humbjen e Brisbane Roar në Championsin aziatik. Një ditë e suksesshme për një pjesë të mirë të legjionarëve shqiptarë. Kështu, në Ukrainë, ku u luajt dje java e 29-të e kampionatit, Çernomorets Odesa fitoi bindshëm 3-1 në fushën e Oleksandria, ku protagonist ka qenë lojtari i Kombëtares shqiptare, Elis Bakaj. Fantazisti kuqezi shënoi me kokë golin e barazimit të përkohshëm në minutën e 11-të të ndeshjes, 5 minuta pasi Shevçenko kishte kaluar vendësit në avantazh. Por loja e bukur e fatalistit shqiptar vazhdoi edhe më tej, aq sa ai u bë protagonist edhe në golin e dytë të shënuar në minutën e 38-të nga Matos. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, Bakaj vulosi rezultatin me golin e tretë për ekipin e tij në minutën e 58-të dhe të dytin personal në këtë ndeshje. Me këtë fitore Odesa shkoi në kuotën e 34 pikëve, në vendin e 9-të pas Vorsklas së Dalkut dhe Januzit. Në fakt, edhe skuadra e dy shqiptarëve fitoi 0-2 dje në transfertë në fushën e Tavrija Simferopol, ku golin e parë për miqtë e shënoi Ahmed Januzi në minutën e 39-të. Më pas, në fund të takimit, ishte Rebenok që dyfishoi shifrat. Ky ishte goli i shtatë sezonal për Januzin, vetëm në kampionat, ndërsa Bakaj, i cili shkoi te Çernomorets vetëm në merkaton e janarit, ka shënuar deri tani katër gola: tre në kampionat dhe një në kupën e Ukrainës. I suksesshëm ka qenë dje edhe Besart Berisha, por jo skuadra e tij, Brisbane Roar. Australianët u mundën në fushën e japonezëve të Tokios me rezultatin 4-2 për Kupën e Kampioneve të kontinentit aziatik. Serinë e golave në këtë takim e hapi pikërisht sulmuesi shqiptar në minutën e 4-t të pjesës së parë. Por më pas Takahashi (5’) barazoi për vendësit dhe Mukuhara (20’) i kaloi në avantazh. Pjesa e parë do të kishte dhe dy gola të tjerë nga një për secilën skuadër: Broish (33’) barazoi për australianët e Brisbane Roar, ndërsa Vatanabe (43’) trefishoi për vendësit me penallti. Në pjesën e dytë i njëjti lojtar shënoi edhe golin e 4-t në minutën e 60-të. Duhet thënë se Berisha është i vetmi lojtar shqiptar që ka shënuar gola në dy Champions të ndryshëm: në Europë (me Hamburgun) dhe tani në Azi.
Cana e Bogdani në stol
Lorik Cana dhe Erjon Bogdani nuk luajtën për asnjë minutë në përballjen që konsumuan mbrëmë Lacio dhe Siena për javën e 36-të të Serisë A. Edhe pse ishin që të dy në listën e 18 lojtarëve për këtë ndeshje, asnjëri prej tyre nuk u përdor nga trajnerët respektivë. Bogdani jepej si titullar deri një ditë para takimit, por çuditërisht tekniku i Sienës nuk e aktivizoi për asnjë minutë. Tjetër gjë për Canën, i cili vuan tashmë formën e shkëlqyer që po kalon kolegu i tij te Lacio, Ledesma.
LEONARD KARAJ











