Policia ka vënë në pranga Bahrije Gjunin, gjyshen e 3-vjeçarit që u rrëmbye dhe u mbajt i fshehur për një javë. Në dëshminë e saj ajo është shprehur se planin për marrjen e nipit e kishte bërë bashkë me Rexhep Gjunin, bashkëshortin e saj.
Bahrije Gjuni ka deklaruar se donin që ta rrisnin vetë nipin, për të cilin thotë se u zëvendësonte djalin që kanë humbur në aksident.
Ajo ka treguar se përgjatë këtyre ditëve që ka qenë në kërkim nga policia, kishte qëndruar mes Kukësit dhe Tiranës, në vende dhe hotele të ndryshme.
Ndërsa për arsyen e dorëzimit në polici, Bahrije Gjuni është shprehur se e ka çuar pranë autoriteteve për shkak se ndiqej nga policia.
“E dua se e kam fëmijën e djalit. Nuk i bej keq! Është fëmija i djalit. E donim ta rrisnim ne jo familja e nënës. Nuk na e linin ta rrisnim ne ndaj e morëm. E duam shumë nipin. Nuk kam bërë krim. Dua nipin ta rrisim ne se na vdiq djali në aksident”, mësohet të ketë thënë ajo.
Njoftimi i policisë:
Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpuntorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.
Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.
Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al