Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nominoi të hënën ish-avokatin e tij personal, Todd Blanche, për të shërbyer në mënyrë të përhershme si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, duke e vendosur atë në krye të sistemit federal të zbatimit të ligjit.
Trump kishte sinjalizuar më herët gjatë javës se Blanche, i cili u emërua në detyrë në prill pas shkarkimit të Pam Bondi, do të ishte zgjedhja e tij për këtë post.
“Ai është një djalë shumë i talentuar”, tha Trump gjatë një interviste në podcast.
Bondi u largua nga detyra pasi u përball me kritika lidhur me mënyrën e trajtimit të dosjeve të lidhura me Jeffrey Epstein, një çështje që prej vitesh ka ndjekur edhe vetë presidentin amerikan.
Emërimi i Blanche duhet të miratohet nga Senati i Shteteve të Bashkuara, ku republikanët aktualisht gëzojnë shumicën.
Blanche, ish-prokuror federal në New York, ka qenë pjesë e ekipit ligjor të Trump në disa prej proceseve më të rëndësishme gjyqësore ndaj tij. Ai e mbrojti presidentin në çështjen e pagesave të fshehta ndaj aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels, ku Trump u shpall fajtor për 34 akuza penale që lidhen me falsifikimin e të dhënave të biznesit.
Gjithashtu, Blanche përfaqësoi Trump në çështjen federale për dokumentet e klasifikuara dhe në hetimet për pengimin e procesit zgjedhor, procese të cilat nuk vijuan më tej pas fitores së Trump në zgjedhjet presidenciale.
© Panorama.al












