Domosdoshmëria e një reforme rrënjësore në arsimin kombëtar

Sep 9, 2024 | 7:59
SHPËRNDAJE

Ekrem spahiuEKREM SPAHIU

Fillimviti shkollor sigurisht që është një ditë e shënuar në shpirtin arsimdashës të kombit shqiptar. Me këtë rast, ne kujtojmë me nderim e përulje plejadën e mësuesve, pedagogëve dhe personaliteteve të shquar shtetarë shqiptarë në fushën e arsimit. Kujtojmë veçanërisht një shembull, që është unik për këtë qëllim të shenjtë: Mirash Ivanaj, ministër i Arsimit në vitet e Mbretërisë shqiptare, i lauruar me dy diploma të shkëlqyera universitare. Mirash Ivanaj, edhe pse kundërshtar në pikëpamje e bindje politike, iu kërkua republikanit nga Mbreti Zog, që të pranonte detyrën e ministrit të Arsimit për të bërë një reformë rrënjësore në fushën e arsimit. Kjo reformë e ideuar prej tij kërkonte mbështetje të plotë dhe të gjithanshme, duke përfshirë edhe ndryshime kushtetuese (Statuti Themeltar i Shtetit), me synimin që arsimi të përshkohej vetëm nga fryma komb¸tare dhe karakteri plotësisht laik, duke m¸njanuar presionet e rrezikshme t¸ t¸ huajve, të organizmave private dhe të institucioneve fetare, të cilat përcillnin të tjera interesa.

Duke evokuar këta emra të mëdhenj, ndjehemi të gjithë përgjegjës që aktualisht arsimi në Shqipëri është në gjendje emergjence kombëtare, përderisa një sërë strategjish për reforma strukturore dhe eksperimente të shpallura në vite me terma grandomanie kanë dështuar dhe përderisa vijon ende të mbetet instrument ndikimi politik. Vite më parë dështoi eksperimenti paradoksal, kur në Shqipëri lulëzuan universitete fantazmë, duke arritur një universitet për 50–60,000 banorë, kur shumica e tyre nuk plotësonin as standardet minimale për të qenë të tillë! Është kjo arsyeja që edhe universiteti ynë më i mirë është më i fundit në rajon për nga standardet. Askush nuk përgjigjet se sa njihen diplomat e arsimit shqiptar në vendet e tjera, pse nuk njihen, cili është shkaku përse nuk njihen dhe kur do të njihen? Në vlerësimet më të fundit, Komisioni i Venecias për renditjen europiane të arsimit parauniversitar, Shqipëria ka zbritur 15 vende më poshtë se në vitin 2023. Askush nuk jep përgjigje se përse në vitin 2017 kishim 153 nxënës për 1,000 banorë, ndërsa në vitin 2022 kishim 136 nxënës për 1,000 banorë.

Strukturimet dhe ristrukturimet e shpeshta në të gjitha nivelet e administratës kanë rezultuar në kaos edhe në administrimin e arsimit. Kështu, struktura me katër drejtori rajonale të arsimit parauniversitar është një nga eksperimentet tashmë të dështuara. Këto drejtori, ashtu si edhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar janë shndërruar më së shumti në struktura, ku në drejtim janë caktuar militantë politikë.

Për turp kombëtar, Kuvendi i Shqipërisë nuk ka as Komision, as nënkomision parlamentar për Arsimin. Ka vetëm një Komision për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, a thua se jemi ende një vend komunist që shqetësim kemi edukimin e njerëzve ndërkohë që ministria përkatëse, normalisht dhe historikisht, quhet “Ministria e Arsimit” dhe jo “Ministria e Edukimit”! Është kjo arsyeja që Kuvendi dhe komisionet e tij nuk dinë dhe as që nuk pyeten për reformat që kryhen në arsim.

Prandaj është urgjente ngritja e një strukture kombëtare me ekspertë të shquar në fushën e arsimit, pa dallime politike, e cila të evidentojë problemet dhe të përcaktojë prioritetet dhe reformat përkatëse për të dalë nga kjo emergjencë. Është urgjente që drejtoritë e arsimit të kthehen në bazë qarku, sikurse kanë qenë, ndërsa në bashki të rikthehen zyrat arsimore. Është urgjente që arsimi parashkollor dhe arsimi profesional të rikthehen në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Është urgjente të rishikohen kurrikulat dhe niveli i teksteve mësimore, për të përcjellë si azhurnimin me zhvillimet e reja, ashtu edhe frymën kombëtare, si dhe historinë e afirmuar kombëtare jo shijet personale apo politikat partiake. Kjo urgjencë përballohet duke rishikuar Ligjin Nr.69/2012 “Për Arsimin Parauniversitar në RSH”, si dhe Ligjin Organik Nr.80/ 2015 “Për arsimin e lartë në RSH”. Ndër çështjet pastërtisht kombëtare, arsimi kombëtar nuk duhet të jetë çështje politikash apo paradash partiake. Arsimi është pasaporta e sigurisë dhe e së ardhmes së shtetit dhe të kombit./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura