Një ndeshje pa shumë histori. Kjo edhe për faktin se kroatët kaluan në avantazh që në minutën e tretë të pjesës së parë me anë të Mandzukiç. Një shushatje e mbrojtjes irlandeze bëri që sulmuesi i Volsburgut të mos ta kishte shumë të vështirë të drejtonte me kokë një top drejt rrjetës edhe pse ishte thuajse 14 metra larg portës. Me faj edhe portieri Shej Given, i cili nuk ishte në pozicionin e duhur për të ndalur atë top. Gjithsesi, irlandezët e drejtuar nga Xhiovani Trapatoni nuk heqin dorë, kjo pasi ka ende shumë kohë në dispozicion, ndaj edhe nisin nga sulmet drejt portës së mbrojtur nga Pletikosa. Në një të tillë është Ledxher, i cili përfiton nga një gabim në vendosje i Shildenfeld për të kaluar edhe portierin, duke barazuar gjithçka. U duk sikur ndeshja do shkonte në këto parametra, pasi edhe ishullorët, pas barazimit nisën të kontrollin më shumë gjysmëfushën. Gjithsesi, kur po mendohej se skuadrat do shkonin në dhomat e zhveshjes në paqe, vjen edhe plogështia e mbrojtjes irlandeze dhe përfiton aty Jelaviç, i cili edhe pse ndodhej në një pozicion disi të dyshimtë vazhdoi aksionin duke shënuar golin e dytë. Protestojnë irlandezët, por gjyqtari e vlerëson si të vlefshëm golin. Pjesa e dytë nisi njëlloj si e para, pasi është sërish Mandzukiç, i cili në minutën e tretë, por të fraksionit të dytë, shënoi edhe golin e tretë. Nga ai moment, Kroacia shikon trepikëshin, ndaj edhe tekniku nis ta kthejë skuadrën në gjysmëfushën e vet, në mbrojtje të rezultatit. Sakaq, Trapatoni nuk pret shumë për t’i bërë zëvendësimet, të cilat në fakt nuk i dhanë përgjigjet që ai kërkoi nga kjo ndeshje. Me këtë humbje, dhe duke pasur parasysh se dy kundërshtarët e radhës janë Spanja dhe Italia, duket se Europiani i Irlandës do përfundojë që në ndeshjet në grupe, ashtu sikundër edhe parashikohej.
© Panorama.alIrlandë-Kroaci 1-3
Shënues: Ledxher 19’/ Mandzukiç 3’, 48’, Jelaviç 43’
Kartonë të verdhë: Endrju/ Modriç, Krajnçar
Gjyqtarë: Bjorn Kuipers/ S.van Roekel dhe E.Zeinstra (HOL)Irlanda: Given, O´Shi, Djun, Lexher, Uard, Daf, Uilan, Endrjus, MekGidi (Koks 54’), Dojl (Uolters 54’), Kin (Long 75’).
Trajner: Xhiovani TrapatoniKroaci: Pletikosa, Srna, Korluka, Shildenfeld, Striniç, Vukojeviç, Rakitiç (Djumoviç 90’), Modriç, Perisiç (Eduardo 89’), Mandzukiç, Jelaviç (Krajnçar 72’).
Trajner: Slaven Biliç











