
TIRANE – Gjykata e Tiranës e pati të pamundur t’i jepte fund dje procesit gjyqësor për regjistrimin e partisë Fryma e Re Demokratike në regjistrin e partive politike. Seanca gjyqësore e shqyrtimit të kërkesës së depozituar në emër të deputetit Gazmend Oketa për regjistrimin e FRD si parti zgjati vetëm 10 minuta. Shkak i ndërprerjes u bënë mangësitë në dokumentacionin e paraqitur nga pala kërkuese në Gjykatë. Lajmi u konfirmua nga burime pranë Gjykatës së Tiranës. Sipas burimeve, gjykata e ndërpreu seancën dhe caktoi seancën e radhës më 20 qershor, në orën 15:30. Në seancën e radhës, kërkuesit pritet të paraqesin të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Burime brenda seancës së djeshme sqaruan se dokumentacioni i munguar kishte lidhje me vendimin e krijimit të partisë nga ana e grupit nismëtar, si edhe procesverbali i mbledhjes së zhvilluar për përgatitjen e statutit të partisë. Po sipas burimeve, dje, përfaqësuesit ligjorë të FRD-së kanë paraqitur vulën e partisë, stemën e saj, si edhe flamurin. Njëkohësisht, të pranishëm në seancë kanë qenë edhe tre persona që do të pyeteshin si dëshmitarë. Pyetja e tyre do të bëhet në seancën e radhës. I kontaktuar në telefon, deputeti Gazmend Oketa tha dje se “zvarritja” e regjistrimit të FRD në Gjykatë nuk ka prapavijë politike. Sipas tij, kemi të bëjmë veçse me një harresë dhe burokraci. “Nuk ka asnjë problem me vendimin e Gjykatës për të mos regjistruar Frymën e Re Demokratike. Është veçse harresë dhe çështje burokratike, dihet si janë procedurat gjyqësore, mund të harrosh një dokument, por që mund të plotësohet më pas. Mund t’ju them që nuk ka asnjë prapavijë politike dhe shqetësuese. Ne disponojmë listën që na është kërkuar dhe nesër do të dorëzojmë kërkesën në Gjykatë dhe gjithçka është në rregull”, u shpreh Oketa për gazetën.
PADIA
Kërkesa për regjistrimin e FRD në regjistrin e partive politike u depozitua në Gjykatën e Tiranës më 31 maj. Në kërkesën drejtuar Gjykatës, FRD shprehet se “… themelohet me vullnetin e lirë të 11 432 (njëmbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e dy) shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, mbi bazën e bindjeve, ideve dhe interesave të përbashkëta”. Disa prej firmëtarëve janë Gaznmend Oketa, Aleksandër Biberaj, Edlira Gjoni, Belma Muka, Sali Shehu e Andi Seferi.











