Dokumentar për Fakultetin e Histori-Filologjisë, diplomohen 293 studentë

Jul 21, 2011 | 10:38
Nga ceremonia e djeshme

Oborri i Fakultetit të Histori-Filologjisë ishte i mbushur plot dje në mbrëmje. Veç 293 studentëve të cilët mes urimeve e brohoritjeve morën në duar diplomat, nuk mungonin as prindër familjarë e dhjetëra pedagogë. Në ceremoninë që mbledh bashkë studentët e 5 departamenteve të Fakultetit, për të dytin vit radhazi atmosfera ishte tejet festive. Ishin prezent edhe drejtuesit e Universitetit të Tiranës, si dhe dekani Shezai Rrokaj. Për herë të parë këtë vit u transmetua edhe një dokumentar 15-minutësh, i cili ishte përgatitur enkas për historinë dhe mënyrën si funksionon Fakulteti nga studentët e departamentit të Gazetarisë. “Sot është një ditë e veçantë për të gjithë studentët që mbyllën me sukses shkollën e lartë. Fakulteti i Histori-Filologjisë ka një traditë shumëvjeçare dhe ka nxjerrë breza e breza studentësh, të cilët sot janë elita e shoqërisë. Do të vijojmë të synojmë drejt cilësisë, pasi cilësia e diplomave është shumë e rëndësishme. Një komb pa histori s’ka vlerë, Fakulteti ynë është historia e kombit”, tha dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Shezai Rrokaj. Për të 5 departamentet në total u diplomuan dje 293 studentë. Prej tyre, 177 morën diplomat për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, 50 mbyllën studimet me diplomën “Master Shkencash” dhe 66 studentë morën diplomën për  ndjekjen e “Master të nivelit të dytë”. Në Fakultetin e Histori- Filologjisë japin mësim 85 pedagogë, prej të cilëve 45 janë Profesorë ose Profesorë të asociuar, ndërsa 40 mbajnë titullin Doktor. Veç sistemit ditën, rreth 1200 studentë ndjekin shkollën e lartë me kohë të pjesshme. Prej vitesh në Fakultetin e Histori-Filologjisë studiojnë edhe studentë të huaj. Aktualisht, janë rreth 290 veta që i përkasin këtij grupi.

© Panorama.al

Te lidhura